Politike

Nuk ka vendim, Gjermania i shtyn negociatat për në shtator!

Ajo që duhet të ishte kështjella kryesore e shpresës për hapjen e negociatave me Shqipërinë, Gjermania, duket të jetë tërhequr nga vendimi për nisjen e bisedimeve me vendin tonë në qershor.

Parlamenti gjerman nuk arriti të dalë me një vendim për hapjen e negociatave të pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, duke e lënë qeverinë pa mandat për të miratuar nisjen e bisedimeve këtë muaj. Duke qenë se deputetët gjermanë do të shkëputen për pushimet e verës, mundësia më e hershme për marrjen e një vendimi do të paraqitet në shtator.

Sipas Këshillit të Politikave të Demokratizimit (DPC), një grup parlamentar me qendër në Berlin, grupi parlamentar i CDU / CSU deklaroi se nuk kishte kohë të mjaftueshme për të shqyrtuar raportet e Komisionit Europian për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë në seancën parlamentare të kësaj jave, e fundit para 20 qershorit. Ndërkohë, mediat në Berlin raportojnë se qeveria gjermane është armiqësore ndaj integrimit të Shqipërisë dhe se sheh si një zgjidhje kompromisi hapjen e negociatave vetëm më Maqedoninë e Veriut dhe shtyrjen për Shqipërinë.

Merkel kundër, Roth pro!

Gazeta e njohur gjermane, “Süddeutsche Zeitung" ka publikuar një shkrim tronditës për Tiranën zyrtare, duke raportuar se kancelarja Angela Merkel ka refuzuar qartësisht kërkesën e Komisionit Europian për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Sipas burimeve të gazetës gjermane, ky qëndrim i papritur i kancelares gjermane ka ardhur gjatë një seance të komisionit parlamentar të Bundestagut për Europën.

“Merkel ka bërë të qartë, se një vendim për këtë pritet më së hershmi në tetor", shkruan “Süddeutsche Zeitung". Me anë të kësaj deklarate, kancelarja del qartazi kundër partnerit në koalicionit, Partisë Socialdemokrate, SPD, që përkrah hapjen e negociatave në Këshillin e BE-së më 18 qershor. Ministri gjerman i Shtetit për Europën në Ministrinë e Jashtme, Michael Roth (SPD) është një nga politikanët gjermanë që është angazhuar fort javët e fundit për hapjen e negociatave me dy vendet e Ballkanit. Ai ka theksuar në intervista të ndryshme, se angazhimi i Shqipërisë për reforma duhet të vlerësohet”,thekson gazeta

Përcarjen e qeverisë gjermane e thekson edhe televizioni i njohur gjerman “Deuche Welle”, duke shkruar se mospërputhja e qëndrimeve brenda koalicionit qeverisës gjerman u vu re hapur pas publikimit të progres-raportit të Komisionit Europian në fund të majit. “KE kërkoi hapjen e shpejtë të negociatave si me Shqipërinë ashtu edhe Maqedoninë e Veriut.

"Por CDU/CSU është e rezervuar edhe këtë vit, ajo ka nevojë për analizë të kujdesshme raportit. Deputeti gjerman i CDU, dhe kryesues i grupit parlamentar për Ballkanin Perëndimor në Bundestag, Johann Wadepuhl, ka thënë se CDU/CSU do duhet të shqyrtojë me kujdes raportet e progresit mbi Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”, raporton “DW”. Sipas mediave gjermane, për shkak të kalendarit të punës të CDU/CSU nuk besohet, se kjo temë do të shqyrtohet para vjeshtës.

Michael Roth dhe Gent Cakaj

Për Wadephul, Shqipëria nuk ka plotësuar asnjë nga kushtet e caktuara në Këshillin e Ministrave të Jashtëm, të datës 28 qershor 2018. Vetëm duke shqyrtuar me kujdes raportin e KE-së mund të marrim një vendim të përgjegjshëm nëse janë plotësuar me të vërtetë kushtet e fillimit të negociatave për anëtarësim të këtyre dy vendeve në BE", ka thënë Wadephul në një deklaratë të publikuar menjëherë pas publikimit të progres-raportit në fund të majit.

Sipas tij, kjo as nuk do të justifikohej dot para popullsisë gjermane, e as nuk do të ishte e drejtë ndaj vendeve në fjalë. "Ndaj Bundestagu gjerman do të mund të vendosë vetëm në fund të shtatorit për çeljen e negociatave të anëtarësimit, sikurse është rënë dakord me kolegët e grupit parlamentar socialdemokrat".

Ky qëndrim i grupit parlamentar CDU/CSU, të kancelares Angela Merkel, bie ndesh me atë të ministrit të Gjermanisë për Europën, Michael Roth (SPD), i cili ngul këmbë që Shqipërisë t'i çelen negociatat në qershor, sikurse është premtuar një vit më parë. Roth argumenton në një artikull të publikuar para pak ditësh në gazetën “Frankfurter Allgemeine Zeitung” se Shqipëria i ka plotësuar detyrat e saj dhe se e meriton çeljen e negociatave.

Në anën tjetër, Wadephul është kundër këtij perceptimi. "Sipas një analize fillestare Shqipëria deri më tani nuk ka arritur të përmbushë asnjë nga kushtet e vendosura nga ministrat e jashtëm të BE-së, më 26 qershor 2018”, shprehet ai. Wadephul jep si shembuj mosfunksionimin e sistemit gjyqësor, mungesën e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë".

"Nuk janë krijuar ende as organi i posaçëm antikorrupsion e as Byroja kombëtare e Hetimit. Ka përparime në nivelet e ulëta dhe të mesme në luftën kundër korrupsionit. Por ka shumë pak procedura gjyqësore për raste korrupsioni të nivelit të lartë dhe asnjë dënim. Kjo ishte një nga kërkesat e ministrave të jashtëm të BE-së, në qershor të vitit 2018", shkruan në deklaratën e tij deputeti kristiandemokrat.

Sipas tij, po aq të dobëta janë përpjekjet në luftën kundër krimit të organizuar. "Nuk është hapur asnjë proces gjyqësor kundër politikanëve dhe kriminelëve, që në fillim të vitit dolën se kishin të bënin me blerjen e votave", thotë ai. Një mangësi që përmend Wadephul është edhe "mospërfundimi i ligjit zgjedhor, një kusht ky i vënë nga ministrat e jashtëm një vit më parë".

Wadephul pohon se "Shqipërisë i duhet edhe shumë kohë derisa të jetë gati për negociatat e anëtarësimit dhe se duhet të bëjë përpjekje maksimale për të përmirësuar kushtet për një vendim pozitiv të BE-së në shtator."

Johann Wadephul dhe Edi Rama

Edhe pse ministri Roth është i mendimit se Shqipëria i ka plotësuar kushtet, zëvendës-zëdhënësja e qeverisë gjermane, Martina Fietz, tha para pak ditësh se Berlini do të analizojë me kujdes progres-raportet dhe pastaj do të shohë se cilat janë konkluzionet.

Për të dhënë një po për çeljen e negociatave, qeverisë gjermane i duhet më parë opinioni i shumicës së deputetëve gjermanë. Sipas burimeve të DW në Berlin, ditët e fundit ka pasur shumë ecejake për ta bindur Parlamentin gjerman ta trajtojë këtë çështje në fillim të qershorit. Sipas medias gjermane, deputetët konservatorë deri tani nuk e kanë pranuar këtë kërkesë. Një vendim ky që, sipas analistëve, ka qenë më i lehtë të merret, në një kohë kur edhe vende të tjera, si Franca, Holanda dhe Danimarka, janë kundër fillimit të bisedimeve me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

As për zgjidhjen e krizës në Shqipëri, qeveria e kancelares Angela Merkel nuk ka mbajtur një opinion unik, megjithëse kohët e fundit në Tiranë janë dërguar shumë deputetë nga partia e saj. Zëdhënësja e ministrisë së Jashtme, Maria Adebahr, e quajti "të gabuar vendimin e opozitës për t'u larguar nga Parlamenti" dhe shprehu "keqardhjen që opozita nuk po merr pjesë në zgjedhjet lokale të 30 qershorit."

Zëvendëskryetari i grupit parlamentar CDU/CSU e përmend në deklaratën e tij të ditës së enjte sërish krizën në Shqipëri dhe kërkesën e tij për një dialog të mirëfilltë mes qeverisë dhe opozitës për kapërcimin e krizës shtetërore. "Grupi parlamentar CDU/CSU është ende i gatshëm të ndihmojë. Të dyja palët duhet të jenë të gatshme për një dialog të tillë pa parakushte. Asnjë temë nuk duhet përjashtuar që më parë", thotë Wadehpul.

Në një deklaratë të mëparshme të dhënë ekskluzivisht për DW, së bashku me kolegun e tij Christian Schmidt, raportuesi për Shqipërinë në Komisionin e jashtëm, kishte lënë të hapur edhe opsionin e shtyrjes së zgjedhjes, si një mundësi për të dalë nga kriza.

Burimet: , “Süddeutsche Zeitung", “DW”, “Frankfurter Allgemeine Zeitung”


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë