Rend dhe Ligj

Policia e Shtetit kalon në gatishmëri për zgjedhjet lokale, 7.530 efektivë të angazhuar

Gazeta Si - Duke nisur nga kjo e premte nga ora 18:00 (12 Maj 2023), të gjitha strukturat e Policisë së Shtetit kanë kaluar në gatishmëri të përforcuar deri në përfundim të procesit zgjedhor.

Rreth 7.530 punonjës policie janë trajnuar dhe do të angazhohen për mbarëvajtjen e zgjedhjeve vendore të 14 majit.

Në një deklaratë për mediat, Drejtori i Departamentit për Rendin dhe Sigurinë Publike Rebani Jaupi ka bërë të ditur planin e masave që ka marrë Policia e Shtetit për procesin zgjedhor.

Sipas tij, punonjësit e policisë do të angazhohen me detyra gjatë procesit zgjedhor, sipas niveleve të menaxhimit, që nga niveli bazë i veprimit policor.

“Do të angazhohen për sigurimin e 5211 qendrave të votimit, 92 KZAZ-ve dhe 92 VNV-ve, 5511 punonjës policie”, - tha Jaupi.

Ata do të angazhohen edhe për ruajtjen e objekteve zgjedhore në të gjithë Shqipërinë dhe do të ndërhyjnë në rast se kërkohet nga komisionet zgjedhore apo nga KQZ-ja.

Rebani Jaupi bëri të ditur gjithashtu se objektet e rëndësisë së veçantë do të merren në mbrojtje nga 192 punonjës policie nga forcat komando.

Sa i përket krimeve zgjedhore, Jaupi sqaroi se kanë nën hetim denoncime për raste të ndryshme në Has, Kavajë, Patos, Kukës dhe në Durrës.

Jaupi po ashtu tha se “janë përgatitur dhe miratuar urdhrat e ministrit të Brendshëm, ministrit të Mbrojtjes dhe Drejtorit të Policisë së Shtetit për ruajtjen e 57 objekteve të rëndësishme”.

Drejtuesi i lartë i policisë shpjegoi se punonjësit e Policisë së Shtetit, deri tani, nuk janë përfshirë në veprime që bien ndesh me ligjin “Për Policinë e Shtetit” dhe me Kodin Zgjedhor.

“Deri tani nuk kemi ndonjë konstatim prej tyre, lidhur me zbatimin e detyrimeve ligjore nga Policia e Shtetit. Gjithashtu, deri tani nuk kemi asnjë rast të punonjësve të Policisë së Shtetit, të evidentuar në shkelje të kërkesave ligjore, punonjës të kompromentuar për pozicionin e tyre si punonjës të depolitizuar apo punonjës që kanë reflektuar qëndrime të njëanshme apo politike”.

Policia apelon qytetarët dhe partitë politike që të respektojnë detyrimet ligjore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë