Ngjarje

Polici ‘private’ në varësi të Sandër Lleshajt për ruajtjen e institucioneve

Të gjitha institucioneve shtetërore do t’u duhet të kontraktojnë kompaninë e sigurisë shtetërore që do të jetë në varësi të ministrit Sandër Lleshajt dhe jo më privatin. Qeveria ka marrë një vendim, duke krijuar shoqërinë “Illyrian Guard” me një kapital tërësisht shtetëror.
Vendimi i marrë në mbledhjen e sotme të qeverisë parashikon krijimin e shoqërisë tregtare “Illyrian Guard”, sh.a., me kapital 100 % shtetëror, për ofrimin e shërbimeve ndaj personave fizikë e juridikë publikë dhe privatë.

“Shoqëria “Illyrian Guard”, sh.a., themelohet, organizohet dhe funksionon si shoqëri aksionare, në përputhje me parashikimet e ligjit nr.9901, datë 14.4.2008, “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”, të ndryshuar. Kapitali fillestar për krijimin e shoqërisë “Illyrian Guard”, sh.a., të jetë 10 000 000 (dhjetë milionë) lekë. Autoriteti publik, që përfaqëson shtetin si pronar të 100 (njëqind) % të aksioneve të shoqërisë “Illyrian Guard”, sh.a., është Ministria e Brendshme”, thuhet në vendimin e qeverisë.
Pika pesë e kësaj VKM-je parashikon që shoqëria “Illyrian Guard”, sh.a., ofron shërbime me pagesë, kundrejt subjekteve të treta, publike apo private, në fushën e rendit e të sigurisë publike, teknologjisë së informacionit, si dhe çdo shërbim tjetër në përputhje me qëllimin e krijimit dhe statutin e saj.
Shoqëria “Illyrian Guard”, sh.a., ofron shërbime mbështetëse në Ministrinë e Brendshme dhe institucionet në varësi të saj, në zbatim të kompetencave që i njihen kësaj të fundit sipas fushës së përgjegjësisë shtetërore. Mënyra e përllogaritjes së tarifave të shërbimeve specifike, që u ofrohen subjekteve publike, përcaktohet me udhëzim të përbashkët të ministrit të Brendshëm dhe të ministrit të Financave dhe Ekonomisë.
Efektet financiare për zbatimin e këtij vendimi, për krijimin e kapitalit fillestar të shoqërisë, në vlerën 10. 000. 000 lekëve, përballohen nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit. Ministria e Brendshme transferon këtë shumë pranë kësaj shoqërie menjëherë pas regjistrimit të saj në Qendrën Kombëtare të Biznesit.
Qeveria kërkon që Ministri i Brendshëm, brenda 30 ditëve nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi, të ndjekë procedurat e nevojshme për: a) themelimin e miratimin e statutit të shoqërisë tregtare “Illyrian Guard”, sh.a.; b) regjistrimin e shoqërisë “Illyrian Guard”, sh.a., në Qendrën Kombëtare të Biznesit.
Të gjitha institucionet dhe subjektet publike, të cilat kanë në administrim objekte shtetërore, ruajtja dhe sigurimi i të cilave duhet të realizohet nga shërbime të specializuara për këtë qëllim, i drejtohen, me kërkesë, kësaj shoqërie, për të përfituar shërbimin e ruajtjes dhe të sigurisë fizike. Nëse kjo shoqëri merr vendim për pamundësinë e ofrimit të shërbimit të kërkuar, institucionet dhe subjektet publike mund ta sigurojnë këtë shërbim në përputhje me legjislacionin përkatës në fuqi. Ministria e Brendshme i siguron shoqërisë “Illyrian Guard”, sh.a., nga inventari i saj i pronave publike, mjediset e punës të nevojshme për fillimin e ushtrimit të veprimtarisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë