Rend dhe Ligj

Policë të korruptuar, arrestohen 3 oficerë në Vlorë dhe Fier. Balla: Largimi i të inkriminuarve nuk do ndalet

Gazeta Si - Tre oficerë policie, dy në Vlorë të forcave "Shqiponja" dhe një në Fier, i Policisë Rrugore, janë arrestuar si të dyshuar për korrupsion dhe shpërdorim detyre.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Vlorë-Gjirokastër) njofton se ka kryer arrestimin në flagrancë të oficerëve të policisë, inspektor Eldo Shyti dhe inspektor Granit Nuraj, me detyrë Trup Shërbimi në Forcën e Posaçme Shqiponja në DVP Vlorë.

Arrestimi i tyre u krye pas kallëzimit të marrë nga dy shtetas holandezë, të cilët ditën e djeshme, rreth orës 18:30, janë ndaluar në qytetin e Vlorës për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.

Oficerët e policisë, duke shpërdoruar detyrën, si dhe duke falsifikuar dy procesverbale të shkeljes administrative, dyshohet se kanë përfituar një shumë prej 30.000 lekësh me qëllim moskryerjen e detyrës funksionale, me preteksin se do të kryenin pagesën e gjobës dhe se i kanë favorizuar, duke mos u pezulluar lejen e drejtimit.

Dy policët akuzohen për veprat penale “Shpërdorim i detyrës” i kryer në bashkëpunim, “Falsifikim i dokumenteve” dhe “Korrupsioni pasiv kryer në bashkëpunim”.

Gjithashtu, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Fier-Berat) bën me dije se në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, ka bërë ndalimin e oficerit të policisë Klisman Çela, me detyrë Trup Shërbimi i Trafikut Interurban në DVP Fier, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Korrupsion pasiv” dhe “Shpërdorim detyre”.

Ndalimi u krye, pasi ai ka kryer veprime korruptive me drejtues automjetesh, duke mos i ndëshkuar ata me masë administrative.

Ministri i Brendshëm Taulant Balla, përmes një reagimi në rrjetet sociale, ka përshëndetur operacionin e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.

“Vijon procesi i vetë-pastrimit në Policinë e Shtetit. Gjatë 24 orëve të fundit janë arrestuar dhe vendosur përpara përgjegjësisë penale tre oficerë të Policisë së Qarkullimit Rrugor, dy në Vlorë dhe një në Fier për veprime korruptive, duke i çuar në 10 rastet e turpit të goditura në tetë javët e fundit nga një proces vetëpastrimi i radhëve të Policisë, i cili ka hyrë në një fazë të re, pa kthim pas”, shkruan ministri Balla.

Në javët e fundit ka patur disa procedime e arrestime në flagrancë të efektivëve të dyshuar për shkelje.

“Punonjës të nivelit të parë drejtues apo zbatues, të dyshuar për shpërdorim detyre, korrupsion, vepra penale në fushën e narkotikëve, veprime arbitrare apo dhe çdo veprim tjetër të paligjshëm do të vijojnë të përballen, pa dallim dhe zero kompromis me ashpërsinë e ligjit dhe vendosmërinë e qeverisë dhe Ministrisë së Brendshme për ta rritur në një tjetër nivel sundimin e shtetit të së drejtës dhe besimit të qytetarëve tek Policia e Shtetit”, nënvizoi ministri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë