“J’Accuse - Oficeri dhe Spiuni” flet për një rast të famshëm gjyqësor të fundviteve ‘800, por denoncon intolerancën e sotme. Është një makineri përbaltjeje që nuk kursen askënd (mbi të gjitha regjisorin)
Filiberto Molossi* - Ka diçka shumë bashkëkohore në këtë film, në dukje mjaft klasik. Mbi të gjitha, është vetë regjisori Roman Polanski. Jo ai i buzëqeshuri i “Na ishte një herë në… Hollivud”, por ai i përjashtuari, i akuzuari, ai që dezerton nëpër festivale dhe që fotografohet i plakur dhe i vetëm, i ulur mbi një shkallë tjetër dyshimi, në labirintet e akuzës së radhës.
E pastaj është pushteti: ai universali dhe gjithnjë i njëjtë në vetëpëlqimin e tij, në të ushqyerit e vetvetes me të njëjtat gënjeshtra, gjithnjë i ankoruar përjetësisht tek imazhi që ka ndërtuar për vetveten; duke mohuar realitetin. Ka të drejtë autori i çmimit Oscar për “Pianistin”: Në epokën e post të vërtetave kanë rëndësi vetëm emocionet. Jo faktet. Por që janë gjëja e vetme – dhe Polanski ashtu si Dreyfus e di – që nuk mund të ndryshohen.
![](https://gazetasi.al/wp-content/uploads/2019/11/19112019-Polanski.jpeg)
Është besimi etik dhe laik i atij që zgjedh të dëgjojë ndërgjegjen e tij, lufta e tij shpallur kundër topitjes së një shoqërie që – ashtu si dje edhe sot – nuk mund t’ia lejojë vetes luksin që të pranojë gabimet e veta, idotësia e shpifur dhe e dhunshme e një populli që djeg librat dhe që refuzon të vërtetën në filmin e fundit të një regjisori të kulturuar dhe gjenial. I cili lëshon një akuzë personale kundër një shoqërie antisemite, ksenofobe, rrezikshmërisht sovraniste. Ngjarje e 1800-s? Sigurisht, por për shumë arsye është tmerrësisht e ngjashme me ditët e sotme.
Duke evokuar çështjen Dreyfus, historinë e kapitenit francez me origjinë hebraike të dënuar – edhe pse i pafajshëm – për tradhëti, Polanski vendos që të mos gabojë asgjë: Çdo gjë është në vendin e vet, madje edhe pluhuri është aty ku duhet. Ndaj, çka ka rëndësi është ajo që rëndom vihet në titrat e fundit të filmave: “të gjitha faktet e treguara, kanë ndodhur vërtet". Këtu nuk ke nga ia mban, nuk ka rrugëdalje. As gjysmë të vërteta. Sepse e vërteta është një dhe e vetme: Është i gjithë filmi! Edhe vetë ideja për kinemanë e Polanskit shkon në këtë drejtim: Sheh qindra njerëz në uniformë dhe kupton që nuk ka asnjë efekt digjital, nuk ka asnjë mistifikim të realitetit. Por figurantë të ngritur herët në agim, në të ftohtë, që ecin në heshtje, sepse kështu duhet bërë një film.
Të godet rigoroziteti, vëmendja e madhe, narrativa e plotë e “J’Accuse”. Dhe askujt nuk i shpëton fakti që regjisori e sheh padyshim veten tek ai oficer i përsekutuar pa të drejtë, si një artist që për mbi 40 vjet është ndjekur nga polemikat, akuzat dhe dyshimet. Mes një komploti të tmerrshëm, shtypi të manipuluar, betejave gjyqësore, makinerisë së përbaltjes: në një të djeshme që ekziston ende sot, Polanski zgjedh të rezistojë. Dhe ia beson këtë frymë jo këndvështrimit të rëndomtë të viktimës, por atij të persekutorit (luajtur mrekullisht nga Jean Dujardin). Dhe, në luftën përballë një muri gome, të ringrihet në këmbë. Për të mos tradhtuar ndërgjegjen e vet dhe kultin e një të vërtete, për të cilën burrat e vërtetë janë të gatshëm të sakrifikojnë gjithçka. *Rollingstone
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.