Në Angli janë të sigurt se mesfushori francez, Pol Pogba, do të largohet nga Mançester Junajtid para mbylljes së merkatos. “Express” bën të ditur se kampioni i botës nuk dëshiron të qëndrojë më te “Djajtë e kuq” dhe se e ka gjetur mënyrën për t’ua bërë të ditur drejtuesve vendimin e tij. Gazeta britanike shkruan se Pogba i ka dërguar një mesazh drejtorit të përgjithshëm të Mançesterit, Ed Vuduard, të cilit i qartëson situatën dhe vendimin që ka marrë: do të largohet.
Francezi kërkon të lërë Mançesterin pas dy vjetësh me shumë ulje-ngritje dhe kritika, ndërkohë që mesazhin ua ka dërguar edhe shokëve të skuadrës. Po tani çfarë do të ndodhë? Askush nuk mund ta thotë me siguri, por Pogba është i vendosur për t’u larguar. Barcelona e pret dhe agjenti i tij, italiani Mino Raiola, është mjaft aktiv në kontaktet për transferimin e lojtarit në Spanjë.

Përgjegjës për gjithë këtë histori është trajneri portugez, Hoze Mourinjo. Në opinionin sportiv flitet se trajneri e ka vënë në presion të madh Pogbanë dhe gjithmonë është ankuar për të. Është i ditur tashmë fakti se Mourinjo ka metoda shumë të forta për të motivuar lojtarët, metoda që sipas tij, i kanë sjellë sukses në karrierë. Por ndoshta Pol Pogba është ndryshe dhe fare mirë mund të mbrohet me faktin se sapo ka fituar Kupën e Botës, duke luajtur shumë më mirë se në “Old Trafford”. Ai ka një raport shumë të vështirë me trajnerin portugez dhe kjo e shtyn për t’u larguar nga Mançesteri.
Edhe drejtuesit e klubit janë shumë të nervozuar me sjelljen e futbollistit, pasi kështu rrezikohet të krijohet një situatë e pakëndshme në ekip para sezonit të ri. Askush nuk dëshiron të mbajë në ekip me zor një lojtar, por tashmë koha është limituar dhe nëse Pogba ikën, duhet gjetur patjetër një zëvendësues në nivelin e tij. Dhe këtu gjithçka komplikohet, sepse koha është e paktë. Mes francezit dhe Mançesterit “mundja e dorës” ka nisur…

Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.