Ngjarje

Plasari letër Sorecas: Ambasador, na zhgënjeve për Teatrin


Aktorja dhe regjisorja Sesilia Plasari i ka dërguar një letër të hapur Ambasadorit të ri të BE-së në Tiranë, Luigi Soreca, duke i shkruar se në  shoqërinë shqiptare vazhdon të diskutohet zhgënjimi i pësuar prej këtij ambasadori, qëkur, sipas Plasarit, Soreca, u pa në Twitter-in e ambasadorit një foto e Erion Veliajt me fëmijë.“Si në fillim të një misioni të ri, sado i parainformuar, ju nuk keni si ta njihni personin në fjalë, as përpjekjet e tij për të joshur, me maniera nga më të pështirat, të vegjël e të mëdhenj. Këto maniera të tij janë bërë, në Shqipëri dhe jashtë saj, objekt karikaturash, bejtesh, barsoletash, që do të thotë edhe shqetësimi shumë të madh. Ju mund t’i verifikoni.”, shkruan aktorja, ndërsa vijon në letrën e saj ta përshkruajë kryetarin e bashkisë së Tiranës “nga ata politikanë që po orvaten të shkatërrojnë – përveç shkatërrimeve të tjera – ndërtesën e Teatrit Kombëtar, një monument me rëndësi kulturore dhe historike të shumëfishtë.”

Retweet-i i Soreca-s së postimit të kryebashkiakut Erjon Veliaj. 

Dhe për t’ia dalë, i sqaron ajo Soreca-s, mjetet e përdorura nga kryebashkiaku “kanë zbritur në nivelin më të padenjë, saktësisht të neveritshëm. Efuzionet e tij ndaj asaj pjese artistësh dhe qytetarësh që nuk bien në të njëjtin mendim me të kanë qenë të një zhargoni aq rrugaçëror, sa do t’ju vrisnin veshin t’jua përktheja.”Plasari vijon duke iu drejtuar ambasadorit të ri të BE-së se Shqipëria është një vend nën censurë. “Mediet nuk u japin zë për të shprehur indinjatën e tyre dhe për të informuar masivisht shoqërinë shqiptare atyre që nuk janë në një mendje me planin shkatërrues Veliaj & Rama.”

Teksa ndalet gjatë tek protesta për mbrojtjen e  godinës së Teatrit Kombëtar, si monument me rëndësi kulturore dhe historike të shumëfishtë, Plasari ka shkruar se ardhja e ambasadorit për atë komunitet që ka protestuar prej muajit shkurt çdo ditë përpara godinës së TK-së, ka qenë inkurajim. “Ju mbërrini në një moment kur një pjesë e rëndësishme e shoqërisë shqiptare është e zhgënjyer nga disa diplomatë të huaj, por edhe dispononi një media të rëndësishme. Erion Veliaj i ka gjithë mediet dhe makinën propagandistike me vete, postimi juaj vetëm sa mund ta ndikojë atë për keq, duke e bërë të ndihet më i përkrahur.”Plasari i thotë Soreca-s se shoqëria shqiptare ka të tjerë që e meritojnë më shumë vëmendjen e tij. “Po t’ju informonin për mjetet që përdor kryeministri arrogant i Shqipërisë, duke sfiduar intelektualët më të shquar të vendit, do t’ju tregonin, për shembull, për krahasimet që kohëve të fundit i bën ai vetes me inxhinierin Gustave Eiffel. Ndër deliret pa asnjë lidhje, me të cilat orvatet të sugjestionojë opinion publik, është edhe krahasimi i “teatrit të ri”, që ai po ofron t’ua bëjë “dhuratë” shqiptarëve, me kullën Eiffel.”  - vijon më tej aktorja dhe regjisorja, e cila një pjesë të jetës dhe karrierës së saj e ka  kaluar në Paris, duke e bërë me dije ambasadorin se ata që protestojnë për ruajtjen e godinës së teatrit, nuk kanë qenë kundër ndërtimit të një teatri të ri. “Protesta e njerëzve të teatrit, e arkitektëve, specialistëve të trashëgimisë kulturore, historianëve etj., që përbëjnë pjesë të ndjeshme të shoqërisë, është drejtuar kundër prishjes së Teatrit Kombëtar ekzistues si monument me rëndësi kulturore dhe historike të shumëfishtë.

Plasari në protestat para godinës së Teatrit Kombëtar

Jo kundër ndonjë “teatri të ri”.”Në fund të letrës së saj, Plasari i drejtohet ambasadorit Soreca me lutje. “Kini mirësinë dhe bëni që shoqëria shqiptare, e cila ka provuar këto vite më shumë se kurrë rrugët e kurbetit – mund t’i verifikoni vetë shifrat e frikshme – të ndihet më pak e zhgënjyer. Ju e dini më mirë se ne që Europa nuk mund t’i mbajë më të ikurit.”Ajo i ka sqaruar ambasadorit të BE-së historinë e saj ku pas 18 vitesh aktivitet profesional në Francë, u rikthye në vendin e saj, “por m’u desh të largohem për së dyti, sepse pushteti i sotëm është pushtet barbar për artistët. Dhe sigurisht jo vetëm për ta. Si edhe sepse, në ndryshim nga kolegët e mi në Shqipëri, të cilët i kërcënojnë me bukën e gojës duke i detyruar të heshtin ose të konformohen, unë nuk heshta.”, ka thënë ajo, duke shtuar se përvoja në Francë i ka dhënë kurajën të mos heshtë e të mos konfirmohet dhe kjo letër është edhe në emër të atyre që nuk munden të shprehen, ka thënë ajo.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë