Sport

Peshëngritësi shqiptar rezulton me doping pas 7 vitesh

Pas një periudhe disi të qetë, peshëngritjes shqiptare i shtohet një tjetër skandal. Endri Karina është sportisti që ka rezultuar pozitiv në testin antidoping, por e veçanta qëndron në faktin se ky test i referohet Lojërave Olimpike “Londër 2012”. Pra, pas plot 7 vitesh ai rezulton se ka marrë doping. Testi është kryer në një prej mostrave të urinës që Karinës i është marrë gjatë aktivitetit në fjalë. Dhe ky është testi i dytë, sepse të parin ai e kishte kaluar me sukses.

Karina i shtohet kështu listës së gjatë të peshëngritësve që kanë përdorur doping në vitin 2012. Peshëngritësi shqiptar ka konkurruar në Londër në kategorinë 94 kilogramë dhe zuri vendin e 14-të, por fitoi shumë pozicione, sepse 7 peshëngritës të tjerë kishin rezultuar pozitiv në testin antidoping. Renditja përfundimtare e Karinës ishte vendi i 7-të, por tashmë edhe ai humb gjithçka. Për peshëngritësin shqiptar është marrë masa e pezullimit nga Federata Ndërkombëtare e Peshëngritjes. Masa ta tjera pritet të merren ndërkohë nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar.

Disa vite më parë shtanga shqiptare u përfshi në një skandal, ku shumë peshëngritës kanë pasur probleme me dopingun, madje edhe emrat më të njohur si Erkand Qerimaj dhe Daniel Godelli për meshkuj dhe Romela Begaj për femra, por edhe shumë të tjerë. Këto vitet e fundit kjo çështje kishte rënë në qetësi, por ja ku vjen një tjetër dënim, që rikthen skandalin e dopingut, edhe pse bëhet fjalë për një garë të zhvilluar 7 vite më parë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë