Rend dhe Ligj

Kajmaku në arrati, "preferon" të dënohet me burgim

Ish-kryetari i Bashkisë së Vorës, Agim Kajmaku tërhiqet nga kërkesa e tij për të ndryshuar masën e sigurisë “arrest me burg” . Gjykata e Tiranës pushoi kërkesën në seancën e sotme gjyqësore, pasi nuk u paraqitën avokatët mbrojtës të Kajmakut. Me këtë vendim mbetet në fuqi masa e mëparshme e sigurisë, ajo e arrestit në burg. Edhe pse ndodhet në kërkim prej 5 muajsh nga policia, Kajmaku ka paraqitur kërkesën me anë të avokatit të tij siç duket. Kajmaku është denoncuar nga PD-ja për fshehjen e dënimit në Greqi, duke mos e pasqyruar atë në formularin e Dekriminalizimit. Për PD-në, Kajmaku mbante edhe emrin e dytë Jorgo Tota, e ndonëse këtë e kishte deklaruar në formular, kishte fshehur faktin se kishte qenë i dënuar për veprën penale të falsifikimit të eurove afro 10 vite më parë. Prokuroria ka mbyllur hetimet ndaj ish-kreut të bashkisë Vorë dhe e ka dërguar dosjen në gjykatë për seancën paraprake ku do të vendoset nëse çështja do të kalojë në gjykim, apo do t’i kthehet prokurorisë për hetime të tjera. Dy javë më parë Kajmaku me anë të avokatit kishte kërkuar ndryshimin e masës së sigurisë në atë për detyrim për paraqitje, pasi avokatët pretendonin se një nga nënkryetarët e bashkisë kishte tërhequr kallëzimin ndaj.
Tashmë ndaj Kajmakut rëndojnë dy akuza ajo e fshehjes së dënimit, si dhe e tejkalimit të kompetencave. Edhe pse u shkarkua me vendim të KQZ-së, Kajmaku falsifikoi vendimin ku rezultonte që të kishte shkarkuar dy nënkryetarët e bashkisë së Vorës. Për këtë akt ndaj tij u bë një denoncim.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë