Analize

Pesë gabimet kryesore të Rusisë në dy vitet e luftës në Ukrainë

Nga David Brennan-Viti i tretë i pushtimit rus të Ukrainës nga Rusia, ka nisur me një vijë fronti kryesisht statike prej 1450 kilometrash. Forcat ruse dhe ato ukrainase, janë përpjekur vazhdimisht të thyejnë linjën mbrojtëse të palës tjetër, por kanë pasur një sukses të kufizuar. Për Rusinë, situata në fushën e betejës është një dëshmi e dështimeve sistematike.

Pavel Luzin, analist ushtarak rus dhe studiues në Shkollën e Drejtësisë dhe Diplomacisë në SHBA, thotë se strategjia e Kremlinit ishte që në fillim me shumë të meta. “Gabimi më i madh ishte fillimi i kësaj lufte. Rusia nuk mund ta fitojë dot. Ajo nuk ka shanse, dhe asnjë mënyrë për të ndrequr ndonjë gjë. Gjithçka është e gabuar:strategjia, ideologjia, procesi i vendimmarrjes, sistemi i trajtimit, etj”-thekson ai.

Doktrina shkatërrimtare e Kremlinit, po rrënon ende zonat e vijës së parë të frontit, por është braktisur synimi i fitores totale. Ja cilat janë 5 gabimet e mëdha të Rusisë në 2 vitet e fundit të luftës.  

1. Kolona ushtarake gjigante që rrethoi Kievin

Sulmi i rrufeshëm i Rusisë ndaj kryeqytetit të Ukrainës, që u mendua të mbështetej nga pushtimi i aeroportit Hostomel në periferi të Kievit, përfundoi me një dështim shumë të kushtueshëm. Një kolonë gati 65 kilometra e gjatë, që niste nga kufiri me Bjellorusinë, ishte baza kryesore e përpjekjes së rusëve për të vendosur nën kontroll Kievin.

Por sfida logjistike që kërkoi ky operacion, u pa të ishte shumë e madhe për forcat e Moskës. Kolona gjigante, e cila u shkurtua gradualisht nga sulmet e guximshme të ukrainasve, u shndërrua në një emblemë të mendjemadhësisë së ushtrisë ruse.

Njësitë elitë të ushtrisë ruse zunë pozicionet e tyre dhe filluan masakrat ndaj civilëve në periferi, si në Bucha dhe Irpin. Por pa furnizimin e duhur, pushtimi i Kievit ishte i pamundur.  Ukrainasit e ndalën shumë shpejt atë kolonë, duke u treguar shumë të shkathët, duke shembur urat dhe ndalur lëvizjen e tyre.

“Kjo do të ishte e vështirë në rast se ushtria ruse do të treguar kompetente”- thotë Peter Mansoor, kolonel në pension i ushtrisë amerikane, dhe profesor i historisë ushtarake në Universitetin Shtetëror të Ohio. Sipas tij, u vërtetua se Rusia është tërësisht e paaftë për të zhvilluar një luftë moderne.

2. Poshtërimi në det

Forcat tokësore, ajrore dhe detare të Rusisë, kanë pësuar humbje poshtëruese gjatë 2 viteve të para të luftës. Ndërsa ushtria u bllokua në tokë, dhe forcat ajrore nuk arritën të pastronin qiejt nga avionët ukrainas, flota e frikshme ruse e Detit të Zi u vendos befas nën shënjestër, pavarësisht se nuk kishte përballë një marinë ukrainase të ngjashme.

Për pasojë, dështuan planet fillestare për një zbarkim amfib rus në vijën bregdetare jugore rreth Odessës, një qytet-port i rëndësishëm në Detin e Zi. Në prillin e vitit 2022, ukrainasit qëlluan dhe fundosën anijen kryesore të Flotës së Detit të Zi, kryqëzorin Moskva që kishte një ekuipazh prej 510 vetash.

Ajo ishte humbja më e rëndë detare që nga Lufta e Dytë Botërore. Por e para nga shumë të tjera. Besohet se kjo flotë kishte rreth 80 anije përpara fillimit të luftës. Ukraina pretendon se ka fundosur të paktën 25 anije luftarake të madhësive të ndryshme, dhe ka dëmtuar rëndë duke nxjerrë jashtë funksionit 15 të tjera.

“Ne do t’i sulmojmë anijet ruse, derisa të gjitha të kenë fatin e Moskva-s ose të zhvendosen në pjesën lindore të Detit të Zi dhe të qëndrojnë atje”- tha për Newsweek shtatorin e vitit të kaluar Andriy Zagorodnyuk, ish-Ministër i mbrojtjes i Ukrainës, sot këshilltar i Ministrisë së Mbrojtjes.

3. “Gjestet e vullnetit të mirë”

Tërheqja e Rusisë nga rrethinat e Kievit në prill 2022, u pasua nga ripërtëritja e forcave nga të dyja palët, përpara se Ukraina të arrinte fitore të mëdha në rajonin lindor të Kharkiv dhe rajonin jugor Kherson. Ofensiva drejt Khersonit deri në brigjet e lumit Dnieper ishte e parashikueshme.

Por Ukraina nisi një kundërsulm të papritur në lindje të Kharkiv, duke sprapsur disa njësi ruse të armatosura relativisht lehtë, dhe duke çliruar më shumë se 1040 km2 territor. Kjo i parapriu suksesit në jug, ku trupat ukrainase e çliruan Kherson-in në nëntor.

Por këto fitore u u përshkruan nga Moska si tërheqje, si një “gjest të vullnetit të mirë”. E tillë u cilësua edhe braktisja në qershor 2022 e ishullit të gjarpërinjve në mesin e Detit të Zi. Por po atë muaj presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha:”Armiku nuk na bën asnjë dhuratë, dhe as “gjeste të vullnetit të mirë”. Ne luftojmë me guxim dhe duhet të kuptoni se në çdo hap që përparojmë, ndeshim gjithmonë rezistencë nga armiku, pra ka gjithmonë humbje të jetës së heronjve tanë”.

4. “Kuzhinieri” i Putinit

Lufta e Rusisë kundër Ukrainës, i ka ndryshuar dinamikat e pushtetit në Kremlin, dhe ka ofruar rrugë të reja ndikimi për aleatët e Vladimir Putin, të cilët janë treguar të pamëshirshëm dhe shumë të shkathët për t’i shfrytëzuar ato.

Rritja meteorike e ndikimit të Yevgeny Prigozhin - një oligark me ndikim, pasuria e të cilit i dha pseudonimin “kuzhinieri i Putinit” - është historia më e habitshme që ka dalë nga psikodrama e Moskës në 2 vitet e para të luftës. Prigozhin u bë komandant lufte, duke shfrytëzuar  pozicionin e tij si kreu i grupit  Wagner, një organizatë paraushtarake mercenare, për të fituar një ndikim të madh.

Forcat e tij udhëhoqën luftën e ashpër në Donetsk gjatë viteve 2022-2023, duke u shfaqur në maj 2023 si fitueset e luftimeve në Soledar dhe Bakhmut. Por përplasjet e tij të forta me Ministrin e Mbrojtjes Sergei Shoigu dhe shefin e Shtabit të Ushtrisë Valery Gerasimov, sollën edhe fundin e tij.

Qershorin e vitit të kaluar, Wagner nisi një rebelim nga baza e tij në qytetin jugperëndimor të Rostov afër kufirit me Ukrainën. Udhëtimi drejt Moskës, u braktis jo shumë larg kryeqytetit rus dhe Prigozhin arriti një marrëveshje me Kremlinin për t’i dhënë fund rebelimit të tij.

Por ai ishte vetëm një truk për të sjellë edhe zhdukjen e tij përfundimtare. Në gusht, avioni privat me të cilin po udhëtonte u rrëzua në veri të Moskës. Shërbimi sekret amerikan pretendoi se ai ishte vrarë. Drama Prigozhin-Wagner, dhe sidomos rebelimi dhe dështimi i shërbimeve të sigurisë ruse për të reaguar me shpejtësi dhe me forcë, u interpretua jashtë Rusisë si një goditje ndaj legjitimitetit të Putinit.

5. “Çfarë po bën Mbrojtja Ajrore?”

Në vitin 2022, Rusia e nisi luftën duke pasur një dorë thuajse të lirë dhe duke bombarduar sipas dëshirës me një sërë raketash të lëshuara nga toka, deti dhe ajri. Ukraina e përballoi dimrin e saj të parë të luftës nën bombardimet e shumta që gati e shkatërruan rrjetin e saj energjitik.

Por ndërsa konflikti vazhdonte, Kievi i përmirësoi aftësitë e tij të sulmeve me rreze të gjatë, duke zbuluar të çara në sistemin e mbrojtjes ajrore ruse. Ai ka përdorur shumë burime në programin e blerjes dhe prodhimit të dronëve.

Dështimet e ekuipazheve kundërajrore të Rusisë u bënë aq të zakonshme saqë u krijuan edhe meme që pyesnin “Çfarë bën mbrojtja jonë ajrore?”, e cila  përhap në mediat sociale sa herë që kishte sulm me dronë apo raketa mbi qytetet, infrastrukturën e rëndësishme apo objektivat ushtarake ruse. Madje dronët ukrainas arritën deri në Kremlin.

Burimi: News week/Përshtati Gazeta Si

Shënim: David Brennan është korrespondenti diplomatik i Newsweek që mbulon politikën botërore dhe konfliktet nga Londra me fokus në NATO, Bashkimin Evropian dhe Luftën Rusi-Ukrainë


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë