Komunitet

“Persekutimi” i të sëmurëve të shëndetit mendor

Sabina Veizaj - Ishte viti 1999 kur shqiptarët nga Kosova bujtën në Shqipëri për shkak të luftës. Në një lagje të Vlorës, ku shumë kosovarëve u ishin çelur dyert e mikpritjes, ata kishin ndërtuar një kasolle, në afërsi të pallateve, e cila kishte brenda një sasi të madhe plastmasi. Kasollja gjatë ditës ishte vend argëtues për fëmijët vlonjatë e kosovarë bashkë. Por ajo rezultoi burim i një tragjedie të rëndë më pas. Gjatë lojërave, fëmijët i vunë zjarrin me shkrepse kasolles dhe dolën, por në të mbeti i shkrumbuar një djalë i vogël 3-vjeçar i familjes Caushaj.

Kjo ngjarje do të thellonte dramën në këtë familje dhe do të nxiste një tjetër kalvar problematikash të rënda që për familjen Caushaj nuk kanë fund tashmë.

Rezeartën e gjej tek “Mulliri i Vjetër” një kafe me vetëshërbim tek Rruga e Elbasanit. Ishte me të birin 8 muajsh.

E kisha njohur Rezeartën në rrethana pune, si aktiviste, duke luftuar për kauza dhe njerëz. Por nuk e mendoja asnjëherë që do të na shpinte rasti, të ulura përballë njëra-tjetrës, të më rrëfente fatkeqësitë e jetës së saj, që në fakt janë fatkeqësi të shumë familjeve shqiptare që kanë familjarë me probleme të shëndetit mendor, të cilat thellohen sidomos në kushtet, kur shteti jo vetëm është indiferent, por mbi të gjitha arrogant e të ngjan sikur zgërdhihet mbi fytyrën tënde me ato çfarë ka rezervuar fati për ty.

Sipas të dhënave, në sistemin shëndetësor parësor në Shqipëri në një vit kryhen mesatarisht 15.000 vizita, persona që kërkojnë ndihmën e mjekëve psikiatër për shkak të çrregullimeve dhe problemeve të shëndetit mendor.

Vlerësohet se 1 në 4 persona ka probleme të shëndetit mendor dhe më të rrezikuarit nga depresioni janë të rinjtë dhe të moshuarit.

Sipas specialistëve, gjatë sezonit të verës ka rreziqe më të mëdha për personat që vuajnë nga shëndeti mendor.

Rezearta Caushaj

Me një qetësi melankolike, me një buzëqeshje sporadike dhe të thellë që herë pas here, beftë ia nxiste i biri, Rezearta më tregon se si familja e saj nuk është më një familje e zakonshme.

Vëllai i madh, Leonardi që sot mbart 43 vite mbi supe është i diagnostikuar 27 vite më parë me skizofreni.

“Vëllai ishte 16 vjeç në atë kohë dhe ndiqte shkollën profesionale për inxhinieri nafte në Berat. Gjatë një fundjave kur kthehet në shtëpi, në Vlorë me furgon, pëson aksident automobilstik. Ai nuk dëmtohet, por shikon skenën e vdekjes së një çifti, gjë që me sa duket e ka rënduar shumë. Ai nuk u ankua. Por ajo ngjarje shenjoi një traumë të rëndë tek ai duke i zgjuar dhe agravuar sëmundjen. Nisi të mënjanohej, izolohej, nuk pëlqente më të mësonte. Filloi të fliste me vete me raste”, tregon Rezi.

Ajo më sqaron se skizofrenia është një sëmundje genetike, e lindur dhe se fle tek personi i predispozur dhe që mund të zgjohet ose jo gjatë jetës.

Leonard Caushaj (vëllai) disa vite më parë

Fillimi ishte i vështirë; për t'u besuar e më pas për t'u adaptuar me situatën e re nga prindërit e Rezit që jetonin në fshatin Petë të Vlorës, fshat të persekutuarish, pasi familja e të ëmës ishte e persekutuar.

“Ki parasysh prindërit e mi në fshat në atë kohë, niveli i përgjithshëm shoqëror, kulturor, mentaliteti... Prindërve të mi u është dashur kohë ta pranojnë e pastaj të ballafaqohen me sëmundjen e vëllait. Leonardi kishte probleme të shëndetit mendor, kishte nevojë për trajtim. Ndoshta kishte nevojë si fillim kur sëmundja ishte në hapat e para të trajtohej psikologjikisht, por e trajtuan menjëherë me trajtim psikiatrik. Është shtruar disa herë në spital. Ilaçet që i kanë dhënë në atë kohë kanë qenë shumë të rënda, elidoperidol. Ai sëmundjen nuk e kishte të përhershme. E kishte me gjendje, sporadike.”- tregon Rezi duke kujtuar më pas atë që më vonë nuk i është shlyer nga kujtesa. “Madje një herë kur ka pasur kriza të forta e kanë marrë me urgjencë, me forcë, e kanë lidhur. Është kujtimi i parë që kam. Mund të kem qenë 4-5 vjeç, jo më tepër. Hera e parë që unë vizitoj një spital psikiatrik. Ka qenë e tmerrshme. Që atëherë ka vijuar tutje e tu.”

Viti 1999. Pas ngjarjes së kobshme të vdekjes së vëllait të vogël, kur Rezi ishte vetëm 9 vjeç dhe kur deri atëherë ishte përballur me vështirësitë që i kishte falur jeta, familja mori goditjen e radhës. Veisi, babai, ra në depresion të thellë pas vdekjes së dhimbshme të të birit.

Babai i Rezit është 67 vjeç. Prej 18 vjetësh bashkëjeton me sëmundjen, ashtu si i biri. Gjatë gati dy dekadave, thotë Rezi, i vetmi përmirësim që ka shfaqur babai, është rënia e tempit të dhunës, për shkak se e kanë lënë fuqitë.

“Por që të dy bezdisin. Është shumë e vështirë, gati surreale të jetosh me dy të sëmurë të shëndetit mendor në një shtëpi për të cilën kujdeset një grua 65 vjeçare, me një barrë hallesh, stresesh dhe sëmundjesh në trupin e saj që i rëndon tokës me forcën e detyrës dhe misionit. Babai jeton si njeri normal, por për atë duhet të kujdesesh për çdo lloj gjëje. Të bezdis. Nuk pranon të ndërrohet, duhet të bësh luftë që ta lash, ka 2-3 muaj që është diagnostikuar me diabet, duhet të luftosh ti japësh edhe ilaçet e diabetit. Babi që prej kur është sëmurur, nuk ka kontribuuar me asgjë në shtëpi”

Ferzilete Caushaj, nëna

Tek e pyes se si sillet babi me nipërit dhe mbesat, është një moment i paqtë dhe buzagaz në fytyrën e Rezit.

“Babi me nipërit dhe mbesat është shumë i dashur. I afron, i përkëdhel, interesohet, ashtu siç interesohet edhe për vëllain deri në posesivitet. Me ne ka qenë më i ndrydhur.”

Cili është problemi?

Gati një javë më parë, nëna e Rezeartës, e cila është kujdestarja ligjore e të vëllait pësoi hemoragji celebrale. Dhe Rezearta, e ndodhur në një situatë të pashpresë, vendosi të bëjë publik rastin e saj në rrjetin social Facebook.

“Jo më shumë se një javë më parë, doktoreshë Shqiponja Rrapaj, iu drejtua motrës sime me fjalët "Do të të nxjerr për leçkash përjashta!", kur për të mijtën herë kërkuam shtrimin e vëllait për arsye të sëmundjes mendore të avancuar dhe tendencës për të dëmtuar shëndetin e vet.

E kërkuam të pajisur me rekomandim të mjekut të familjes dhe mjekut të Qendrës Komunitare të Shëndetit Mendor, pasi nëna jonë, njëkohësisht kujdestarja e tij, pësoi goditje cerebrale. Për shkak të stresit ishte diagnoza e saj. Ligjërisht këto rekomandime mjaftojnë”, citon Rezearta në Facebook.

Neni 19 i ligjit Nr. 44/2012 për shëndetin mendor citon: “3. Personi me çrregullime të shëndetit mendor referohet për në shërbimin e shëndetit mendor të specializuar me shtretër, pasi ka kryer ekzaminimin paraprak nga mjeku në shërbimet komunitare ose shërbimet ambulatore të specializuara.”

Por kjo nuk ka ndodhur në rastin në fjalë. Sipas Rezeartës, zgjidhja e vetme në atë situatë kur e ëma pësoi hemoragji cerebrale dhe akush nuk mund të kujdesej për të sëmurët e tjerë të familjes, ishte dërgimi i vëllait nga kunati çdo ditë në Qendrën komunitare.

Prej 6 vitesh që kur nëna është shkëputur nga puna si pastiçiere ku punonte me orar të zgjatur, familja e prindërve të saj mbijeton me 29,000 lekë nga të cilat:

10,000 lekë janë për kujdestarinë e vëllait dhe 19,000 lekë pension invaliditeti për të dy të sëmurët e shëndetit mendor të familjes.

 Me ligjin që është në fuqi, mund të përfitojë kujdestarinë edhe për të atin, por që nuk ia kanë dhënë.

Duke i shpënë sytë diku në hapësirë tek kujton vëllain dhe shprishet në fytyrë nga dhimbja, Rezi më rrëfen se vëllai po degradohet dita-ditës. “Ai ka nisur të pi 100-200 cigare në ditë dhe nuk fle. Është anemik, me probleme në veshka. Kërkon të rri gjithë ditën jashtë. Ka nevojë për një autoritet, që fatmirësisht I beson Akoma. Kur është në spital fled he mund të qetësohet. Tanimë, ne nuk gjejmë asnjë mënyrë për ta ndaluar.”

Leonard Caushaj, tani

Ajo thotë se përherë ka vendosur t'i futet rrugës së investigimit, por është tërhequr duke menduar se atje do përplasen sërish dhe ata janë hakmarrës. “Kur ata janë kapur me rryshfet e janë parballur me drejtësinë e vazhdojnë ende të jenë në punë, çfarë mund të pres unë dhe të tjerët?!…Ndjehesh e pafuqishme dhe e mbyll gojën.”

Ndërsa kujton dhe një rast të ngjajshëm të një fqinji të vet.

“Astrit Mangaj, i sëmurë mendor me skizofreni. 20 vjetë me këtë diagnozë. Në stad më të lehtë se vëllai. Nuk flet me vete. Nuk punon dot. Ai është i pafuqishëm. 28 vjet me ilaçe. I ndryshuan diagnozën. Edhe të shoqen të sëmurë, edhe njërin nga tre fëmijët me një sindromë të caktuar. Goca merrte ndihmë ekonomike dhe e gjithë familja me 5 veta jetonin me ndihmën ekonomike që merrte goca. Fëmija më i madh ishte7 vjeç. Nuk i vinin diagnozën e vërtetë.” -tregon Rezi duke shpërthyer në lotë. “Ata ishin njerëz të varfër, por të mirë. Ajo grua ka vdekur tani, kishte probleme me veshkat, por nuk kurohej sepse nuk kishte lekë. I ndihmoja herë pas here. I ofruan punë atij dhe të shoqes, ku punonin dot ata në atë gjendje që ishin. Ne i jepnim në momente krizash ilaçet e vëllait sepse ai nuk kishte as ilaçe.”

Si është trendi?

Sipas të dhënave, zyrtare shërbimi spitalor i specializuar për shëndetin mendor është i përqendruar në Qarkun Vlorë dhe Elbasan me spitale të veçanta. Në Qarkun Shkodër dhe Tiranë shërbimi për shëndetin mendor përfshihet brenda shërbimit spitalor. Pjesë e këtij shërbimi janë qendrat komunitare të shëndetit mendor dhe shtëpitë e mbështetura.

Por në vitin  2017 të dhënat tregojnë se në Shqipëri numri i mjekëve psikiatër është zvogëluar. Edhe numri i infermierëve në shërbimin e kujdesit shëndetësor mendor ka rënë.

Megjithëse rastet janë shtuar numri i psikologëve ishte po njësoj sa në  2016, gjithësej15 të tillë.

Në rang global sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë numri i psikiatërve për 100.000 banorë ndryshon shumë: nga 30 për 100.000 në Zvicër dhe 26 në Finlandë dhe vetëm në 3 në Shqipëri.

OBSh vlerëson se shkalla e kombinuar e shtretërve psikiatrikë për 100.000 banorë në njësitë spitalore psikiatrike të komunitetit është 72 por në Shqipëri më pak.

Normat e pranimeve në spitale për 100.000 banorë variojnë nga 1301 në Rumani dhe 1240 në Gjermani. Por në Shqipëri ndodhin në 87 pranime. Sipas të dhënave, numri i shtretërve spitalorë në vendin tonë nuk ka ndryshuar gjatë tre viteve të fundit.

Shkalla mesatare e vizitave në të gjitha ambientet ambulatore për 100 000 banorë sipas OBSH është  6,596 (max 28, 200 në Sllovaki) por në Shqipëri rezultati është të paktën 5 herë më i vogël.

Si duhen trajtuar të sëmurët e shëndetit mendor?

Tritan Shehu, ish-Ministër i Shëndetësisë në vitet 1992-1996, shprehet kategorikisht kundër për trajtimin e të sëmurëve të shëndetit mendor në spitalet rezidenciale psikiatrike.

“Trajtimi në spitale është i tipit sovjetik, bolshevik. I mbyllin në çmendina. Nuk ndodh kjo në botë. Ti mbyllësh nëpër qelira është barbare. Jam kategorikisht kundër, kam qenë gjithë jetën kundër. Spitalet e mbyllura nuk përdoren më në botë, ato janë për raste shumë të rrezikshme ose të përkohshme. ”- thotë doktor Shehu.

Sipas tij, në këtë situatë ka një rol të rëndsishëm mjeku i familjes, qendrat komunitare dhe qendrat e rehabilitimit. “Ne në Tiranë kemi vetëm një qendër komunitare që ka hapur Sant Egitio shumë vite më parë dhe mjekët e familjes janë jashtë çdo aftësie profesionale për të ndjekur këta të sëmurë.

Doktor Shehu thotë se ajo që duhet bërë është një strategji për shëndetin mendor e cila nuk ekziston, duhet ndryshuar ligji, duhen forcuar Qendrat Komunitare, duhet forcuar mjeku u familjes, të shtohet përkrahja ekonomike për familjarët që kujdesen për të sëmurët e shëndet mendor.

Për Shehun, spitalet psikiatrike dhe shtretërit si numër janë më shumë se ç’duhet. “Unë jam për të shkurtuar akoma më shumë numrin e shtretërve në spitalet psikiatrikë në Shqipëri”, thotë ai duke shtuar se  “ngjarjet që po ndodhin janë rezultat i mungesës së kontrollit nga afër i të sëmurit. Kjo nuk zgjidhet duke i mbyllur nëpër burgje, por duke i rehabilituar”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë