Analize

Përse shpërthyen tani përplasjet mes Izraelit dhe palestinezëve?

Sulme ajrore, ndërtesa që bien dhe raketa që kalojnë me breshëri nga Gaza drejt qyteteve izraelite. Një nga kutitë e barutit që mund t’i vërë flakën jo vetëm Lindjes së Mesme, por nëse situata nuk vihet nën kontroll, mbarë botës, ka shpërthyer. Një valë e re dhune shpërtheu të mërkurën midis hebrenjve dhe arabëve në disa qytete izraelite, duke çuar në trazira dhe sulme në rrugë ndërsa raketat dhe avionët vërshonin nëpër qielli

Izraeli tha se vrau 10 militantë të grupit terrorist Hamas dhe vazhdoi të godasë si zonat ushtarake ashtu edhe ato të banuara përtej Rripit të Gazës me sulme ajrore, ndërsa grupi islamik që sundon Gazan dhe aleatët e tij vazhduan të qëllonin me raketa në zonat civile në Izraelin qendror dhe jugor. Hamas  njihet për lidhjet e forta me Iranin, nga i cili raportet se merr fondet, por edhe armatimet.

Më shumë se 1.000 raketa u nisën nga Gaza deri të mërkurën në mbrëmje, shumica e të cilave u rrëzuan në tokë nga sistemi amerikan i mbrojtjes “Patriot”, të cilin Tel Avivi e ka blerë vite më parë. Por zhvillimet më të papritura ishin në rrugët e qyteteve dhe qyteteve izraelite, ndërsa turmat rivale hebreje dhe arabe sulmuan njerëz, makina, dyqane, zyra dhe hotele. Një nga incidentet më tronditëse ishte në Bat Yam, një periferi bregdetare në jug të Tel Aviv, ku dhjetëra ekstremistë hebrenj rrahën me radhë një burrë që supozohet të ishte arab, edhe kur ai qëndronte i pavetëdijshëm në tokë. Një video e sulmit u transmetua në televizionin izraelit.

Trazirat kanë zhvendosur konfliktin palestinez në vëmendjen e botës pas disa vitesh në të cilat përpjekjet për ta zgjidhur krizën ishin zbehur nga agjenda globale.  Presidenti Donald J. Trump mënjanoi konfliktin palestinez dhe bindi katër qeveri arabe për të normalizuar marrëdhëniet me Izraelin, duke deklaruar vazhdimisht se zgjidhja e konfliktit izraelito-palestinez duhet të fillonte nga vendet arabe.

Por me ardhjen në detyrë, presidenti Joe Biden u mundua ta merrte aty ku e la Obama, duke ndryshuar strategji dhe duke u munduar të riniste negociatat me Iranin, për ta bindur të rikthehej sërish në marrëveshjen bërthamore. Kur flitet për politikën e jashtme, Biden e ka përqendruar vëmendjen tek Kina, Rusia dhe rinovimi i marrëdhënieve me Bashkimin Europian, duke zvogëluar ndjeshëm praninë në Lindjen e Mesme.

SHBA reagoi me vonesë ndërkohë që tensionet në Jerusalem ishin rritur prej javësh. Në prill, hebrenjtë e ekstremit të djathtë marshuan nëpër qendër të qytetit, duke brohoritur "Vdekje për Arabët", dhe turmat e hebrenjve dhe arabëve sulmuan njëri-tjetrin. Këto përplasje nuk mund të vinin në kohë më të mirë, për kryeministrin izraelit, Benjamin Netanjahu, i cili është përfolur për marrëdhënie të vështira me administratën Obama.

Gaza

Opozita fajëson kryeministrin Netanjahun

Kur armët flasin, politikanët e Izraelit zakonisht heshtin. Kur vendi është në prag të luftës, opozita zakonisht mblidhet rreth qeverisë. Por jo këtë here.

Ndërkohë që konflikti në Gaza përshkallëzohet, kundërshtari kryesor i Benjamin Netanyahu fajësoi Kryeministrin për kaosin dhe tha se po punonte për ta rrëzuar nga pushteti. Para se të shpërthente dhuna në rrugë në Jerusalem dhe sulmet me raketa të Hamasit ndaj Izraelit dhe më sulmeve ajrore të Izraelit në Gaza, dukej e mundur që Tel Avizi të kishte një qeveri të re në ditët e ardhshme, e unifikuar vetëm në kundërshtimin e saj kundër Netanyahu. Rruga për rrëzimin e tij dukej se kalonte përmes Mansour Abbas, politikanit që kryeson Listën e Bashkuar Arabe (Ra’am), e cila do të jetë e fundit që do t’i bashkohej koalicionit të partive anti-Netanyahu. Kreu i partisë kryesore opozitare Yair Lapid, i cili ka mandatin aktual për të formuar qeverinë e ardhshme, i kërkoi Abasit bashkëpunim. Mes krizës, Abbas pezulloi zyrtarisht pjesëmarrjen në bisedimet e koalicionit dhe tha se nuk kishte "zgjidhje tjetër veçse të kthehej në negociata vetëm pasi konflikti të shuhet".

Lapid tha nga ana tjetër se ngjarjet e javës së fundit "nuk mund të jenë justifikim për të mbajtur Netanyahun dhe qeverinë e tij në vend. Përkundrazi, shkroi  Lapid në një deklaratë që postoi në Facebook, këto konflikte janë pikërisht arsyeja pse ai duhet të zëvendësohet sa më shpejt të jetë e mundur."

Benjamin Netanjahu

Vetëm disa ditë më parë, Netanyahu, i cili është në gjyq nën akuza për korrupsioni, nuk ishte në gjendje të formonte një qeveri pas katër zgjedhjeve në dy vjet dhe dukej në prag të humbjes së pushtetit pas 12 viteve rresht në detyrë. Kundërshtarët e  Netanyahu tani thonë se neglizhenca dhe dështimet e tij që çuan në krizën aktuale.

Por sipas analistëve, dhuna ka nxjerr në pah ndryshimet thelbësore midis partive të kampit anti-Netanyahu, të cilat përfshijnë parti nga e majta në të djathtë. Dhe vrulli fillestar i bisedimeve të koalicionit alternativ është ngadalësuar nga shpërthimi i dhunës, duke u dhënë përkrahësve të Netanyahut më shumë kohë për t'i sabotua.

"Është shumë, shumë të vështirë të negociosh ndërkohë që bien raketa nga qielli", tha Reuven Hazan, profesor i shkencave politike në Universitetin Hebraik të Jerusalemit. "Negociatat që ishin shumë të komplikuara që në fillim dhe po bëhen edhe më të komplikuara, gjë që luan në favor të Netanyahut."

Partia e Abbas aktualisht mban ekuilibrin në Parlament.

Historikisht, partitë arabe luajnë një rol margjinal në politikën izraelite. Partitë kryesore të qeverisjes kanë hezituar të mbështeten tek votat arabe në Parlament, veçanërisht duke pasur parasysh përqendrimin e Izraelit në çështjet e sigurisë në një rajon armiqësor dhe të paqëndrueshëm. Dhe ligjvënësit arabë nuk kanë qenë të etur për të marrë pjesë në qeveri dhe për të ndarë përgjegjësinë për veprimet ushtarake të Izraelit dhe pushtimin e Bregut Perëndimor.

Por zoti Abbas kishte planifikuar të ndryshonte të gjitha këto. Deri më tani Abbas, por nuk ka përjashtuar mbështetjen e një qeverie alternative, në këmbim të përfitimeve për pakicën arabe të Izraelit që përbën rreth një të pestën e popullsisë, por skenat e fundit të dhunës kundër arabëve ka të ngjarë ta bëjnë më të vështirë bashkëpunimin me partitë izraelite.

Çfarë po bën SHBA?

Shpërthimi i dhunës mes ushtrisë izraelite dhe militantëve të Hamasit në Rripin e Gazës paraqet sfidën e parë të madhe të politikës së jashtme për Presidentin Biden dhe po ekspozon edhe përçarjet mes demokratëve për kritikat dhe vënien e kufijve ndaj Izraelit dhe duke u dhënë republikanëve hapësirë për të kritikuar qasjen e presidentit.

Sulmet vdekjeprurëse të raketave  dhe sulmet ajrore iu afruan luftës së gjithanshme të mërkurën mes thirrjeve ndërkombëtare për qetësi dhe një sërë përpjekjesh diplomatike nga Uashingtoni. Shtëpia e Bardhë tha se zyrtarët amerikanë kanë bërë më shumë se 25 thirrje drejtuar udhëheqësve arabë izraelitë, palestinezë dhe rajonalë në ditët e fundit. Ky konflikt rrezikon t'i tërheqë Shtetet e Bashkuara në kaosin e të Lindjes së Mesme që Biden shpresonte të shmangte. Strategjia e tij e politikës së jashtme ishte e përqendruar drejt përballjes me Kinën dhe afrimin Europën.

"Pritja dhe shpresa ime është që kjo përplasje të mbyllet para se të jetë vonë, ”tha ai në Shtëpinë e Bardhë. "Izraeli ka të drejtë të mbrojë veten kur ka mijëra raketa që fluturojnë në territorin e tij."

Biden u përmbajt nga kritikat e veprimeve izraelite, por burime nga Shtëpia e Bardhë thanë për mediat amerikane se ai ishte i “zemëruar” nga trazirat në Jeruzalem. Biden informoi Netanyahu mbi përpjekjet diplomatike të SHBA-së me disa vende duke përfshirë Egjiptin, Jordaninë dhe Katarin. “Këto kombe mbajnë lidhje me Hamasin dhe mund të ndërhyjnë për uljen e tensioneve. Shtetet e Bashkuara e konsiderojnë Hamasin një grup terrorist dhe shmangin kontaktet e drejtpërdrejta”, thuhej në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë.

Deri më tani, politika amerikane në Lindjen e Mesme ishte përqendruar tek Irani. Ndryshe nga Trump,. Biden ka ulur ndjeshëm presionin ndaj Iranit, duke u munduar të rifillojnë bisedimet. Irani ka kërkuar heqjen e sanksioneve të vendosura nga SHBA-ja gjatë mandatit të Trump, por edhe pse kjo kërkesë nuk është realizuar nga Shtëpia e Bardhë, ulja e presionit duket se i ka dhënë mundësi Iranit të forcojë dhe furnizojë me armatime Hamasin. Kjo mungesë e angazhimit të SHBA-së në Lindjen e Mesme duket se i ka lënë më shumë liri Izrealit të ndërmarrë veprime të ashpra ushtarake.

Në Uashington ndërkohë, demokratët janë duke vendosur nëse do të mbështesin përgjigjen ushtarake të Izraelit, apo ta dënojnë atë.

Izraeli ka një sërë mbështetës të lartë në Partinë Demokratike, të cilët kanë theksuar të gjithë të drejtën e Tel Avivit për të mbrojtur veten. Por një kulturë e re e ligjvënësve më të rinj të gatshëm për të sfiduar ortodoksinë pro-izraelite të partisë ka rritur presionin mbi administratën e Biden dhe udhëheqësit e kongresit mes sondazheve që tregojnë skepticizëm në rritje midis demokratëve në lidhje me veprimet e Izraelit.

"Ne nuk mund të dënojmë vetëm raketat e lëshuara nga Hamas dhe të injorojmë dhunën policore të Izraelit kundër palestinezëve, përfshirë dëbimet e paligjshme, sulmet e dhunshme ndaj protestuesve dhe vrasjen e fëmijëve palestinezë," shkroi senatori republikan Mark Pocan  në Twitter. “SHBA nuk duhet të financojë këtë dhunë", tha ai.

Turqia dhe Rusia kërkojnë hakmarrje

Nga ana tjetër, konflikti duket se bashkoi Rusinë dhe Turqinë, dy nga mbështetëset më të mëdha të shtetit të Palestinë,  Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan patin një telefonatë me presidentin rus Vladimir Putin, kur tha se bashkësia ndërkombëtare duhet "t'i japë Izraelit një mësim të fortë " mbi sjelljen e tij ndaj palestinezëve.

E hëna shënoi ditën e tretë radhazi që policia izraelite kishte bastisur vendin e tretë më të shenjtë të Islamit, duke qëlluar me shkopinj gome, granata dhe gaz lotsjellës palestinezët në ditët e fundit të muajit të shenjtë të Ramazanit

Erdogan theksoi nevojën që "bashkësia ndërkombëtare t'i japë Izraelit një mësim të fortë dhe parandalues" dhe bëri presion që Këshilli i Sigurimit i OKB-së të ndërhyjë shpejt me "mesazhe të vendosura dhe të qarta" për Izraelin.

Deklarata tha se Erdogan i sugjeroi Putinit që të krijohet një forcë ndërkombëtare mbrojtëse për të mbrojtur palestinezët,

Erdogan kishte shprehur fundin e vitit të kaluar dëshirën për të parë marrëdhëniet midis Turqisë dhe Izraelit të përmirësohen, pas disa vitesh mosmarrëveshje rreth okupimit të Tel Aviv të Bregut Perëndimor, Turqia, e cila në 1949 u bë vendi i parë me shumicë myslimane që njohu Izraelin, ndërpreu lidhjet me Tel Avivin në vitin 2010.

Kjo ishte pasi 10 aktivistë turq pro-palestinezë u vranë nga komando izraelitë që hipën në një anije në pronësi të Turqisë, e cila ishte pjesë e një flotiljeje që po thyente bllokadën detare izraelite në Gaza.

Bllokada izraelite e Rripit të Gazës ka qenë në fuqi që nga qershori i vitit 2007, kur Izraeli vendosi një bllokadë hermetike tokësore, detare dhe ajrore në zonë. Turqia dhe Izraeli rivendosën lidhjet në vitin 2016, por marrëdhëniet u acaruan përsëri në vitin 2018.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë