Analize

Përse nuk po e miraton Bashkimi Europian vaksinën kineze?

Nga Xhuliana Toci - Ndërkohë që Bashkimi Europian përballet me mungesa dhe vonesa në furnizimet e vaksinave, vendet e Europës Lindore dhe Ballkanit Perëndimor i janë drejtuar Pekinit për mbështetje. Shqipëria ishte e fundit në rajon që siguroi përmes një kontrate me një kompani turke, dozat e para të vaksinës kineze, duke iu bashkuar kështu të gjitha vendeve të tjera të Ballkanit. Vende si Hungaria, Polonia dhe Republika Çeke kanë rritur presionin ndaj Bashkimit Europian për miratimin e këtyre vaksinë nga Agjencia Europiane e Barnave (EMA), por deri më tani Brukseli ka nguruar.  

EMA ka marrë në konsideratë vaksinën ruse, Sputnik V, të cilën pritet ta miratojë së shpejti, duke dhënë dritën jeshile edhe për prodhimin e saj në BE, por tani për tani nuk ka sinjale për miratimin e vaksinave së prodhuar nga Sinovax dhe Sonopharm. Disa zyrtarë europianë citojnë mungesën e transparencës në provat klinike të vaksinave, duke theksuar se nuk ka studimeve të sigurta për efektet e mundshme anësore, por arsyeja e vërtetë e këtij ngurrimi në lidhje me vaksinat kineze është më së shumti politike.

Pekini ka përdorur diplomacinë e maskave dhe vaksinave për të ndryshuar imazhin se është përgjegjës për pandeminë për shkak të mungesës së transparencës dhe masave të ngadalta në muajt e parë të shpërthimit, duke çuar në përçarje të thellë mes vendeve anëtare. Si pjesë e kësaj diplomacie, prodhuesit kinezë të vaksinave thuhet se po shpërndajnë më shumë doza jashtë vendit sesa në Kinë.

Shtrija e ndikimit kinez në Europë falë pandemisë, ka qenë një temë e përsëritur gjatë gjithë vitit të fundit. Në fazat e hershme të pandemisë, furnizimet mjekësore, përfshirë maskat që ishin porositur dhe paguar nga marrësit europianë, u përshkruan si "donacione bujare" nga mediat kineze. Imazhet e dërgesave që mbërrinin në aeroportet europiane  të mbuluara me flamurin kinez dhe atë të vendit marrës, “mbytën” platformat e mediave sociale së bashku me mesazhet e mirënjohjes për mbështetjen e Kinës, të ndihmuara nga qindra llogari të rreme.

Me fillimin e fushatave të vaksinimit masiv, Pekini ka përqendruar përpjekjet e tij propagandistike në diskreditimin e vaksinave të bëra nga perëndimi. Mediat kineze përhapin histori të paverifikuara rreth rreziqeve shëndetësore të paraqitura nga vaksinat e Pfizer-Biontech, duke i cilësuar alternativat kineze si më të mira. BE i është kundërvënë këtyre narrativave, duke i dërguar herë pas herë mesazhe Pekinit të mos diskreditojë vaksinat e miratuara nga Agjencia Europiane e Barnave (EMA).

Edhe disponueshmëria e vaksinave kineze në parim duhet të mirëpritet nga BE, edhe pse prodhuesit kinezë nuk janë të interesuar që vaksinat e tyre të licencohen në tregun europian, duke u përqendruar tek lidhja e kontratave të drejtpërdrejta me vendet europiane. Deri më tani, asnjë prodhues kinez i vaksinave nuk ka kërkuar autorizim nga EMA për përdorimin dhe shpërndarjen e vaksinave të tyre. Për ta bërë këtë, ata do të duhet të dorëzojnë të dhënat e provave klinike për të lejuar një vlerësim të sigurisë dhe efikasitetit të vaksinave të tyre nga ekspertët europianë. Kina duket për momentin më e interesuar të luajë rolin e “heroit” në vendet që kanë mbetur prapa me vaksinimin, duke negociuar për t’i shpërndarë vaksinat në të gjithë Europën Juglindore. Megjithatë, përhapja  e tyre në të gjithë botën do të hasë një pengesë të madhe: Amerikën.

Diskutimet transatlantike mbi Kinën midis udhëheqësve europianë dhe administratës së presidentit amerikan Joe Biden kanë nisur që nga ardhja në detyrë e kreut të ri të Shtëpisë së Bardhë. Ministrat e Mbrojtjes të NATO-s dhe udhëheqësit e G7 diskutuan gjatë të mërkurën mbi sigurinë dhe sfidat ekonomike të paraqitura nga Pekini. Biden gjithashtu shkëmbeu mendime mbi diplomacinë kineze të vaksinave me Kancelaren gjermane Angela Merkel dhe Presidentin francez Emmanuel Macron gjatë Konferencës së Sigurisë në Mynih. Sekretari i Shtetit Antony Blinken u bashkua me takimin e Këshillit të Punëve të Jashtme të Ministrave të Jashtëm të BE, ku mësohet se ministrat diskutuan gjatë për vaksinat dhe “kërcënimin” kinez.

Këto takime shërbyen si përpjekjet e para për të përcaktuar një agjendë konkrete transatlantike për adresimin e sfidave të paraqitura nga Kina. Ata gjithashtu i dhanë Biden një mundësi për t'iu përgjigjur propozimit të bërë vitin e kaluar nga Komisioni Evropian për një axhendë strategjike për bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara për shtrirjen e ndikimit kinez në Europë. BE duket se preferon një qasje selektive, teknokratike të bashkëpunimit që nuk do të pengojë aftësinë e saj për të zhvilluar lidhje ekonomike me Kinën, sidoqoftë të paktën tani për tani, Komisioni, nuk duket i  hapur për vaksinat kineze.

Në fakt, ka disa arsye pse Brukseli ka ashpërsuar qasjen ndaj Kinës, duke çuar për herë të parë në tre vite në vendosjen e sanksioneve. Unioni u sulmua në mënyrë të drejtëpërdrejtë nga vendet e Ballkanit dhe disa prej vendeve anëtare për mungesë solidariteti, pas marrjes së maskave dhe ventilatorëve nga Kina. Komisioni Europian u kundërpërgjigj duke theksuar se "Franca dhe Gjermania kanë dhuruar më shumë maska ​​për vendet europiane sesa Kina".

Së dyti, përpjekjet kundër propagandës dhe dezinformimit kinez në Europë janë rritur. Për shembull, përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikën e jashtme, Josep Borrell, akuzoi Kinën për “përhapje agresive të mesazheve të rreme” në lidhje me vaksinimin në Europë.  Ndërkohë, një njësi e Shërbimin të Jashtëm në Bruksel, e përkushtuar normalisht për të luftuar dezinformimin rus ka dokumentuar kohët e fundit një seri narrativash propagandistike kineze kundër Europës,

Së treti, një sërë pajisjesh mjekësore kineze kanë rezultuar me probleme. Vende si Spanja, Holanda dhe Republika Çeke tashmë kanë kthyer testet e prodhuara në Kinë. Probleme me maskat kineze janë raportuar gjithashtu në disa vende. Këto shqetësime ka të ngjarë të ushqejnë mosbesimin e vjetër europian ndaj standardeve kineze të produkteve, duke rritur mosbesimin ndaj vaksinave.

Burimet: "The Diplomat", "Reuters", "Bloomberg"


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë