Analize

Përpara se të ëndërrojë një ushtri të përbashkët Europa duhet të mësojë të bashkëpunojë

Nga Carlo Panella-Ushtria evropiane nuk do të ndërtohet ndonjëherë. Është më mirë të nisemi nga ky realitet i padiskutueshëm, për të hedhur si duhet bazat për një kundërpërgjigje evropiane ndaj hipotezës së rikthimit të Donald Trump në krye të SHBA-së.

Në fakt, nëse është kështu, Evropa do ta gjejë ndoshta veten pa mburojën e hekurt të mbrojtjes amerikane, e cila ka garantuar sigurinë e saj që nga viti 1945 e në vazhdim. Trump është shumë i qartë. Ai jo vetëm që ka paralajmëruar se si president i SHBA-së, NATO nuk do të mbrojë shtetet që nuk kontribuojnë mjaftueshëm në buxhetin e aleancës, por do të inkurajojë Rusinë që t’i pushtojë ato.

Një provokim, i cili përtej problemeve buxhetore, qëndron në themel të dëshirës së tij të hapur për t’i dhënë fund mbrojtjes amerikane të Kontinentit të Vjetër, në emër të një izolacionizmi amerikan që ka një traditë shekullore.

Përballë këtij kërcënimi shumë konkret, Evropa është e detyruar sot, dhe me shumë vonesë, të pajiset me instrumente autonome të mbrojtjes së përbashkët. Jo një ushtri evropiane aq shumë të përmendur ndër vite, dhe kjo për një arsye strukturore:një qeveri evropiane efektive nuk ekziston dhe as nuk është në horizont - qoftë federale apo konfederale - aq sa edhe sot e kësaj dite politika e jashtme, e cila vendos mbi mënyrën e përdorimit të një ushtrie të mundshme evropiane, nuk është aspak një çështje e komunitetit, por menaxhohet në një mënyrë aspak homogjene nga secili prej 27 vendeve anëtare.

Një ushtri evropiane, imponon komandën nga një kupole e vetme drejtuese, hierarkike, që vendos rregulla të sakta mbi angazhimin dhe operacionet. Dhe kjo komandë nuk mund të ushtrohet me vendime kolektive. Në një demokraci, ajo duhet të autorizohet nga parlamentet, si shprehje e sovranitetit popullor.

Por pasi autorizohet, ushtria vihet nën një komandë të vetme. Komandë që sot në Evropë është edhe e pabarabartë nga pikëpamja institucionale. Si në Francë ashtu edhe në Itali, komanda e Forcave të Armatosura është kompetencë e Presidentit të Republikës.

Në Gjermani, një shtet federal, komanda e Forcave të Armatosura i takon në kohë paqeje  Ministrit të Mbrojtjes, dhe në kohë lufte kancelarit. Në Spanjë, një monarki, komanda e Forcave të Armatosura është prerogativë e mbretit, pra një institucion jo i zgjedhur me votë.

Në vendet e tjera evropiane, komanda e ushtrisë është ose një prerogativë e kreut të shtetit, ose e kryeministrit. Pra një kuadër institucional i përbërë, të cilin askush nuk është përpjekur ta harmonizojë. Prandaj pyetja “Kush është komandanti i përgjithshëm i ushtrisë evropiane?”, është e destinuar të mos ketë kurrë një përgjigje.

Pra kriteri i detyrueshëm i hierarkisë komanduese dhe ushtarake, është në fakt arsyeja e dështimit të gjithë përpjekjeve për të krijuar një ushtri evropiane që nga vitet 1950. Sepse krijimi i saj, kërkon fillimisht ose në të njëjtën kohë ndërtimin e një shteti evropian.

Më pas, duhet përcaktuar një figurë të vetme institucionale, që të ushtrojë pushtetin ushtarak në mënyrë monokratike, dhe që jep urdhrat operacionalë pas delegimit të këtyre kompetencave nga parlamenti. Dhe nuk duhet harruar se Parlamenti Evropian nuk ka ende fuqi legjislative, por vetëm për t’i kërkuar Komisionit Evropian të hartojë një ligj të cilin ai më pas e miraton.

Prandaj, problemi është se asnjë shtet evropian, kryesisht ai francez - dhe pa Francën, i vetmi vend kontinental i pajisur me armë bërthamore, nuk ka Evropë - nuk ka pranuar ndonjëherë të delegojë, përveç vetes, kompetencën më komplekse të sovranitetit kombëtar:dërgimin e qytetarëve të saj në luftë për të vrarë dhe për t’u vrarë.

Prandaj, duke braktisur rrugën drejt një ushtrie evropiane që kërkon një bashkim politik, i cili nuk është absolutisht në rendin e ditës, kontinenti i vjetër mund të përballet me largimin e  mundshëm të mbrojtjes amerikane, dhe me një NATO nën komandën e ngurtë të SHBA-së në grahmat e izolacionizmit Trumpian që ndjek një rrugë pragmatike.

Para së gjithash, edhe pse me shumë vonesë, duhen homogjenizuar sistemet e armëve, të cilat sot janë absolutisht heterogjene midis 27 vendeve që favorizojnë urdhrat nga industritë ushtarake kombëtare mbi nevojën për të pasur një armatim të integruar.

Kjo kjo ka sjellë pasoja kaotike. Një raport i vitit 2020 nga Agjencia Evropiane e Mbrojtjes, tregon se shtetet evropiane blenë së bashku armatime në vlerën vetëm 4.1 miliardë euro. Kjo shumë ka rënë nga nivelit prej 6.3 miliardë euro blerje të përbashkëta ushtarake në vitin 2008.

Dhe çfarë vlerë kanë 4.1 miliardë eurot, në krahasim me një buxhet evropian të mbrojtjes që në vitin 2020 ishte 198 miliardë euro, dhe tani pas fillimit të luftës në Ukrainë, i kalon 300 miliardë euro? Disa po sugjerojnë krijimi e një borxhi evropian, që të synojë shpenzimet e përbashkëta të mbrojtjes, si dhe mos-llogaritjen e shpenzimeve ushtarake në llogaritjen e parametrave të paktit të stabilitetit.

Por këto janë vetëm hipoteza, pa ndonjë gjasë të realizohen në praktikë. Arsyeja e sovranizmit të rrënjosur thellë sa i përket shpenzimeve ushtarake, është shumë e thjeshtë: Franca, Italia, Suedia dhe Gjermania kanë industri të mëdha kombëtare të armatimit, ndaj ushtritë e tyre preferojnë të blejnë nga industritë kombëtare.

Sigurisht,ekzistojnë disa projekte të përbashkëta për ndërtimin e një tanku dhe një avion të ri luftarak evropian. Por këto janë projekte me një mijë probleme dhe vonesa. Krahas procesit të domosdoshëm por të ngadaltë, të integrimit efektiv të armatimeve dhe rritjes së shpenzimeve ushtarake të secilit vend në dy për qind të PBB-së, është padyshim thelbësore që një bërthamë vendesh të fuqishme të ketë një politikë të jashtme homogjene.

Një objektiv ky jo i lehtë, sepse edhe Franca dhe Gjermania, të domosdoshme për formimin e kësaj bërthame të fortë, kanë shpesh politika të jashtme divergjente. Jo divergjente në raport me Rusisë pas pushtimit të Ukrainës, por sigurisht të ndryshme në raport me vendet afrikane dhe Lindjen e Mesme.

Ndërsa është relativisht e lehtë të arrihen marrëveshje ushtarake konvergjente për të frenuar ekspansionizmin rus, për shembull duke i vendosur vendet e Evropës Lindore përkrah Francës, Gjermanisë dhe Polonisë, në të ashtuquajturin “Trekëndëshi i Weimarit”, është shumë se e mundimshme të projektosh fuqinë ushtarake në Lindjen e Mesme dhe Afrikë, dy zonat e tjera me interes parësor strategjik për Evropën.

Kjo u pa sërish me ndërhyrjen për të kundërshtuar bllokimin e ngushticës Bab El Mandeb nga rebelët Houthi. Pavarësisht nga një vendim i përbashkët i komunitetit, ato pak vende evropiane që kanë bërë një hap përpara, kanë dërguar një flotë anijesh duke pasur ende shumë mosmarrëveshje.

Gjithsesi, rruga drejt një mbrojtjeje evropiane, ndoshta e privuar nga mburoja amerikane, dhe nga një NATO nën kontrollin politik të izolacionizmit amerikan të Donald Trump, duhet të jetë e shoqëruar me një pragmatizëm të shëndetshëm: marrëveshje të ndryshueshme, veprim skenar pas skenari, midis një numri të kufizuar shtetesh me politikat të jashtme homogjene, dhe me aftësinë për të arritur një marrëveshje se kush duhet të ketë komandën politike ushtarake. Një rrugë e vështirë, në të cilën Evropa është shumë vonë.

Burimi: Linkiesta/ Përshtati Gazeta Si

Shënim: Carlo Panella, gazetar dhe shkrimtar italian


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë