Futboll

Përmbysje e çmendur e Belgjikës për 20 minuta, Japonia bën harakiri

Për një moment u duk se një tjetër ekip favorit si Belgjika do të kthehej në shtëpi para kohe, por të gjithë ata që e kanë vlerësuar atë si pretendente për titullin, nuk janë gabuar. Skuadra e drejtuar nga trajneri spanjoll, Roberto Martinez, përmbysi avantazhin e dyfishtë të Japonisë për 20 minuta dhe fitoi 3-2. Goli i fitores për Belgjikën është shënuar në minutën e 4-t shtesë nga Çadli dhe tani në çerekfinale e pret Brazili. Japonia ka bërë harakiri në kuptimin e plotë të fjalës, duke shpërdoruar dy golat që shënoi në fillimin e pjesës së dytë.

Ndeshje vërtet e çmendur në “Rostov Arena”. Pritej shumë nga Belgjika, që e mbylli Grupin G me pikë të plota, ndërsa Japonia ishte kualifikuar vetëm falë “Fair-Play”-it. “Djajtë e kuq” dominojnë në lojë dhe për shumë minuta e mbyllin Japoninë në zonën e saj, por pa mundur ta zhbllokojnë rezultatin. Lukaku, Mertens dhe Hazard nuk kanë qetësinë e duhur për të mposhtur Kavashimën.

Inui shënon për Japoninë

Me nisjen e pjesës së dytë vjen edhe surpriza. Japonia shënon dy herë dhe shtang gjithë stadiumin. Vertongen gabon në një mbulim dhe Haraguçi mposht portierin Kurtua me një diagonale me të djathtën. Një minutë më pas Hazard godet shtyllën, ndërsa në minutën e 52-të Japonia godet sërish. Kagava pason për Inuin, i cili gjuan nga saktë distanca dhe 0-2.

Felaini shënon golin e barazimit për Belgjikën

Mertens dhe Karrasko dalin nga fusha dhe në vend të tyre futen Felaini dhe Chadli, të cilët rezultojnë vendimtarë për Belgjikën. Me shumë fat, Vertongen shkurton diferencën e golave me kokë, ndërsa pak minuta më pas vjen edhe barazimi me gjuajtjen e saktë me kokë të Felainit, pas krosit të Hazard. Kavashima bën mrekullinë dy herë, duke neutralizuar goditjet e Çadli dhe Lukakut. Rastet janë pa fund dhe goli i kualifikimit vjen para se të mbyllet koha shtesë. Japonia shpërdoron një goditje këndi dhe Belgjika niset në kundërsulm. Meunier shërben saktë për Çadli në minutën e 94-t dhe Belgjika feston kualifikimin, por Martinez e di shumë mirë se me Brazilin gabime si ndaj japonisë nuk i falen.

Çadli shënon golin e fitores për Belgjikën

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë