Dosje

Përgjimet nga dosja hetimore e SPAK, dyshohet se një restorant në Tiranë është pronë e fshehur e ish-ministrit Ilir Beqaj

Gazeta Si - SPAK dyshon se restoranti “Gzona’ brenda në Kalanë e Tiranës, ndonëse ka për administrator një emër tjetër, është pronë e fshehur e ish- ministrit të Shëndetësisë, i cili në vitin 2021 u emërua në krye të Agjencisë Shtetërore e Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC).

Sipas asaj që raporton "Report Tv", Restoranti është me emrin tregtar kompania “Albanian Food and Hospitality Lab”.

Në këtë biznes ka qenë me herët aksioner Ilir Beqaj dhe bashkëshortja e tij, Adriana Beqaj.

Por sipas SPAK, Beqaj është larguar ‘de jure’ nga ky biznes, pasi në të vërtetë vijonte të kishte kontrollin përmes Ermal Kurtulaj dhe Gazmend Prengës, i cili ishte dhe administratori.

Këtë SPAK, thuhet në dosjen hetimore, e provon me një prej bisedave të bëra mes Beqajt dhe Ermal Kurtulajt, ku flitet për investime në restorant.

Në qendër të bisedës, është “aneksi 8”, që SPAK dyshon se bëhet fjalë për një faturë financiare që duhet justifikuar.

Për të komunikuar me Ermalin, Beqaj përdorte telefonin e shoferit të tij pranë agjencisë “SASPAC”, Arben Dani.

“Gjatë hetimeve, kanë rezultuar dhe biseda të shtetasit Ilir Beqaj nëpërmjet përdorimit të telefonit të shtetasit Arben Dani, shofer pranë SASPAC, shofer i shtetasit Ilir Beqaj, me Ermalin, ku Iliri i kërkon që të lidhet me Gazin nëse është në Tiranë, me qëllim për t’u takuar, ndërkohë që Gazi rezulton të jetë në Lezhë. Nga analiza e bisedës së parë të dt. 06.12.2023, ku shtetasi llir Beqaj i kërkon shtetasit Ermal Kurtulaj të lidhet me shtetasin "Gazi", dyshohet se bëhet fjalë pikërisht për shtetasin Gazmend Prenga, administratorin e restorantit ‘Gzona’. Kjo pasi në datën 06.12.203 reth ores 23.21, Ermali flet me Gazin, ku i kërkon nëse e mban bllokun që mban shënimet tona dhe ai thotë po është tek puna dhe nga biseda kuptohet që bëjnë llogari në lidhje me lekët që është investuar të paktën nga ana e Ermalit dhe jo vetëm. Nisur nga kjo bisedë, mbështeten dyshimet se shtetasi Ermal Kurtulaj, edhe pse ligjërisht nuk figuron në administrimin e restorantit, faktikisht ai ka berë investime atje dhe fakti që referimi bëhet në numrin shumës, ngrihen dyshime dhe per interesa të shtetasit Ilir Beqaj në atë restorant", - thuhet në dosjen hetimore të SPAK-ut.

Sipas SPAK, është kryer një skemë e madhe mashtrimi me lëshimin e fatura fiktive me qëllim përfitimin material të këtyre shtetasve.

Gjithashtu SPAK dyshon se Ilir Beqaj përdorte automjetin e Ermal Kurtulaj dhe se mund të jetë pasuri e fshehtë e tij.

Ermal Kurtulaj është përgjuar në telefon duke i kërkuar shtetasve të ndryshme me kompani të regjistruara lëshimin e faturave fiktive, që sipas SPAK arrijnë deri në 100 mijë euro për konsulencë, organizim eventesh, materialesh promocionale, aktivitete apo shërbime kateringu.

Prokuroria thotë se ka dyshime që Beqaj, edhe pse ka shitur më herët pronësinë e tij, ka vijuar të kontrollojë këtë biznes nëpërmjet Kurtulajt, i cili mbante kontakte me administratorët ligjorë.

Por teksa dëgjoheshin këto biseda, SPAK thotë se ka gjetur lidhje të forta mes tij dhe ish-ministrit Ilir Beqaj, që nga përdorimi i mjeteve të Kurtulajt nga ish-ministri, deri në menaxhimin në hije të një biznesi pranë Kalasë së Tiranës.

Këto dyshime lindin edhe nga biseda e realizuar në datën. 14.12.2023, ora 11:33, midis Ermal Kurtulaj dhe numrit të telefonit që i përket shoferit të Beqajt, Arben Danit, por në këtë bisedë flet shtetasi llir Beqaj, thotë SPAK.

PËRGJIMET

A (Ermali)

B (Beqaj):

A: Udhëro, alo?

B: Ç’është ky mor burrë aneksi 8?

A: Me ngjon?

B: (Një person tjetër futet ne bisedë: “Po, po”)…

A: Aty, aty e kisha t'regjistruar me aneksi 8 un ktë.

B: Po mir po po të them kërkohet i tabelë me investime tani sikur se si ca kërkohet, futja

A: Unë e pash atë dosjen që kishte dhe shkruante aneksi 8 dhe e nxora.

B: Ca kërkohet vlla, ti e di ca kërkohet pse ia fut kot?

A: Po mir okej.

B: Tabelën e kemi likuidim si quhet aneksi 8 ku e di un tashi duhet ta gjejmë se ku është, oferta nuk ka rendesi degjo.

A: Po pra po

B: I thuj nqoftese mundet nga ora 4 e mbrapa kur te doje.

A: Nga ora 4 e mbrapa?

B : Po, nëqoftese mundet.

A: Mir, po Gazin?

B: Gazi, pra Gazi po t them.

A: A per Gazin se se dëgjova fjalen prandej mendova, mirë ne rregull atëherë.

B: Tjetri po ashtu.

A: Edhe ai tjetri po ashtu.

B: Po

A : Mire atëherë okej ne rregull pra

B: Po sido qofte flasim dhe bashkë n’darkë.

A: Ne 4?

B: Po

Një ditë më parë, SPAK zgjeroi hetimet për korrupsion në nivel të lartë ndaj ish-ministrit socialist të Shëndetësisë, Ilir Beqja, për shpërdorim detyre dhe favorizime korruptive për kompani koncesionare.

Byroja Kombëtare e Hetimeve (BKH) dhe Policia e Shtetit kontrolluan të premten (29.12) me urdhër të Strukturës së Posaҫme Anti-Korrupsion (SPAK), banesën e ish-ministrit socialist të Shëndetësisë, Ilir Beqja, si edhe një rrjet farmacish në Tiranë, nën dyshimin për lidhje klienteliste të tij me këtë rrjet.

Kontrolli i banesës është pjesë e hetimit të pasurisë së ish-ministrit Beqja dhe dyshimeve për lidhje me kompaninë farmaceutike ”Delta Pharma” për ta fshehur atë.

Pritshmëritë e SPAK nga ky kontroll janë marrja e të dhënave, e provave dhe e dokumenteve që mund të provojnë ose jo bashkëpunimin klientelist të ish-ministrit të Shëndetësisë me rrjete farmaceutike në Tiranë.

Ish-ministri Beqja e pohoi kontrollin në banesën e tij, por mohoi të ketë pasur marrëdhënie financiare klienteliste me rrjete farmaceutike. Ai mohoi gjithashtu që të ketë fshehur pasuritë e tij me anë të lidhjeve me kompanitë armaceutike "Delta Pharma".


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë