Drejtësia

Hetim i ri ndaj Ilir Beqajt për fshehje pasurie? Lidhje me “Delta Pharma”? Ish-ministri: Nuk kam asnjë interes ndaj kompanive farmaceutike

Gazeta Si - Ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj është paraqitur këtë të premte në SPAK, ashtu sikurse është caktuar më herët masa e sigurisë nga prokurorët e posaçëm për aferën e “Sterilizimit”.

Por sipas burimeve paraprake, ndaj tij SPAK ka nisur një hetim pasuror me akuzat e korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës, pas kontrolleve të një dite më parë të disa njësive farmaceutike në Tiranë që kanë pasur kontrata të lidhura me Ministrinë e Shëndetësisë.

Pas daljes nga SPAK, Beqaj ka mohuar akuzat në lidhje me dyshimet e ngritura ndaj tij për fshehje pasurie me anë të lidhjeve me kompaninë farmaceutike “Delta Pharma”.

Ai theksoi se nuk ka pasur asnjë interes financiar sa i takon sipërmarrjeve farmaceutike gjatë kohës që ka qenë ministër.

Ilir Beqaj, duke hyrë në SPAK në zbatim të masës "detyrim paraqitje"

“Së pari, ministri nuk bën tenderë. Në kohën kur kam qenë ministër, nuk kam pasur asnjë interes financiar me asnjë sipërmarrje farmaceutike në Shqipëri apo me pronarët e tyre. Unë prej vitesh përballem me këto çështje. U bë një kontroll në banesën time, nuk ishte nevoja të thërrisja avokatin, sepse ato çfarë ka një familje normale si sende gjenden aty. Ata që erdhën e bënë kontrollin më treguan një vendim gjykate në procesin e një hetimi që bëhet ndaj një personi tjetër”, - tha Beqaj.

Mësohet se SPAK është duke verifikuar rolin e Beqajt si ministër Shëndetësie në lidhjen e disa kontratave me farmaci në Tiranë, por edhe procedura të tjera.

Gjatë kontrolleve që nisën të enjten dhe vijuan edhe këtë të premte, u sekuestruan dokumente dhe pajisje elektronike, që do t’u nënshtrohen akt-ekspertimeve për të kuptuar nëse mund të ndihmojnë hetimet.

Sa i takon akuzave për koncesionin e “Sterilizimit”, ai u shpreh: “Deri tani nuk ka asnjë provë faji. Pa dyshim në sistemin e drejtësisë edhe unë jam i detyruar të pres vendimin e gjykatës”.

Ish-ministri Beqaj është nën hetim, i dyshuar për shpërdorim detyre, për koncensionin e sterilizimit të mjeteve spitalore, një shërbim që u dha me koncension në vitin 2015 gjatë kohës që mbante postin e ministrit.

Për këtë koncension, Prokuroria thotë se është dhënë në kushtet e konfliktit të interesit të biznesmenit Ilir Rrapaj, pasi i gjetën lidhje dhe kontakte të tij me Beqajn dhe ish-zëvendëministrin Klodian Rjepaj, edhe ky i fundit nën hetim me masë sigurimi “arrest në burg”.

Kjo është hera e tretë që Beqaj paraqitet në ambientet e Prokurorisë së Posaçme në zbatim të masës së sigurisë.

Avokati i Ilir Beqajt

Avokati i Beqajt: Personave nën hetim u janë sekuestruar telefonat dhe kompjuterat

Avokati i ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj nuk kishte shumë për të thënë për mediat rreth hetimeve për klientin e tij.

Ndërsa në shumicën e pyetjeve tha se nuk kishte dijeni, avokati shtoi se Beqajt dhe personave të tjerë të vënë nën hetim janë sekuestruar telefonat dhe kompjuterat.

“Ajo që ia vlen të komentoj është dëshira e Zotit Beqaj që të zhvillohen këto hetime. Se çfarë lidhje ka dhe nëse këto lidhje përbëjnë elementë të veprës penale, këtë duhet ta faktojë Prokuroria. Di që janë sekuestruar kompjutera dhe celularët. Te të gjithë personat janë sekuestruar të gjitha materialet, si telefonat, kompjuterat. Vendimi i Gjykatës flet për përgjime ambientale. Kam dijeni për kontrollin në banesën e zotit Beqaj”, tha avokati i Beqajt.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë