Analize

Perëndimi dhe rënia e Olaf Scholz

Nga Wolfgang Münchau* - Kur Olaf Scholz u zgjodh kancelar i Gjermanisë në vitin 2021, nuk ishin shfaqur ende pasojat më të këqija të politikave të Angela Merkel, si aleanca gjeopolitike e Gjermanisë me Rusinë dhe varësia nga gazi rus; një politikë industriale e ngulitur tek modelet e vjetra; si dhe mungesa serioze e investimeve në mbrojtje.

Që të gjitha këto probleme, shpërthyen papritur menjëherë pas marrjes së detyrës nga Scholz. Pas 2 viteve e ca në detyrë, publiku gjerman duket se ka arritur në përfundimin se Scholz nuk është në lartësinë e postit që mban. Vlerësimi në sondazhe ka rënë aktualisht në nivelin më të ulët të parë deri më sot për një kancelar gjerman.

Tre partitë në koalicionin e tij - Socialdemokratët, të Gjelbrit dhe liberalët e FDP - marrin së bashku vetëm 32 për qind të votave në sondazhe, ose 20 për qind më pak nga dita e zgjedhjeve. Pavarësisht paralajmërimit të zakonshëm për të shmangur nxjerrjen e përfundimeve nga një sondazh, në lidhje me rezultatin e zgjedhjeve që do të zhvillohen pas 18 muajsh, është gjithsesi e qartë se Scholz nuk do të fitojë dot një mandat të dytë.

Po çfarë nuk funksionoi? Së pari, Scholz nuk është një personazh që flet shumë, dhe kur e bën këtë, të jep përshtypjen se thotë një gjë, por ndërkohë dëshiron të bëjë diçka tjetër. Termi “scholzing” u shfaq qëkur qeveria e tij refuzoi furnizimin me armë të Ukrainës, edhe pse kancelari ishte zotuar ta bënte këtë, një qëndrim që iu kthye kundër. Sot qeveria e tij, kontribuon jo pak në mbështetje të Ukrainës, shumë më tepër se sa në çdo vend tjetër në Evropë.

Por pavarësisht kësaj, askush nuk ia njeh meritën. Sepse nëse rishikojmë ngjarjet e mëparshme, vëmë re se Scholz ishte treguar shumë ngurrues për të dërguar armët që mund të përdoreshin për të goditur territorin rus. Ashtu si Scholz, edhe vetë publiku gjerman ka një pikëpamje të paqartë mbi konfliktin.

Por Scholz do të kishte bërë me siguri më mirë që të vepronte qartë që në fillim. Kur e zgjodhën kancelar, gjermanët e dinin mirë se ai nuk është një njeri me ndonjë karizëm të veçantë, dhe as ithtar i ideve të mëdha. Megjithatë, votuesit nuk e njihnin ende hezitimin e tij ndaj nevojës për të shpjeguar qartë se si qëndrojnë punët.

Dhe tani ata nuk kanë më kurrfarë besimi tek ai. Për më tepër, prirja e tij për të pulitur shpeshherë sytë dhe për të buzëqeshur shpesh, ndihmon në përforcimin e kësaj përshtypjeje. Lideri i opozitës, Friedrich Merz, e krahason grimasën e tij me atë të një Smurfi, xhuxhmaxhuxhit të njohur të filmave me kartona.

Fakti është se për shkak të mungesës së komunikimit dhe atyre buzëqeshjeve të sforcuara, del në pah një portret jo i këndshëm i kancelarit. Gazeta gjermane “Frankfurter Allgemeine” e interpretoi ndjenjën e përgjithshme që dominon tek shumica e qytetarëve, me një fotomontazh të një Scholz-i që buzëqesh përpara një tanku, shoqëruar me mbishkrimin:”A do të blinit nga ky njeri një tank të dorës së dytë?”.

Natyrisht, media nuk do të kishte guxuar të bënte asgjë të ngjashme me Helmut Schmidt, kancelar në vitet 1974-1982, dhe nga i cili Scholz duket se dëshiron që të frymëzohet. Edhe Schmid ishte në krye të vendit gjatë një periudhe të karakterizuar nga kriza serioze globale, por ai zotëronte cilësitë që i mungojnë Scholz-it.

Së pari, ai ishte një orator brilant, i admiruar dhe i respektuar nga të gjithë, madje edhe nga mbështetësit e opozitës. Le të kujtojmë se Scholz i fitoi zgjedhjet e vitit 2021, jo për shkak të ndonjë gjëje që tha apo bëri, por thjesht sepse dy kandidatët e tjerë u tërhoqën.

Asnjë prej tyre nuk kishte mbajtur ndonjëherë poste prestigjioze në qeveri, dhe pasi garoi, ai mbeti në fund i vetmi në garë nga opozita. Suksesi i tij në vitin 2021, shpjegon arsyen pse partia e tij, SPD, nuk është aktualisht në telashe. Nëse Scholz fitoi kundër të gjitha pritshmërive në 2021, ai ka të ngjarë ta bëjë atë edhe për herë të dytë.

Megjithatë shumë njerëz në partinë kanë nisur të nervozohen. Në zgjedhjet e ardhshme do të ketë një ndryshim. Votuesit do ta kenë një ide shumë më të qartë për të, dhe kundërshtari i tij do të jetë Merz, kreu i CDU-së dhe një peshë politike e rëndë.

Bild, tabloidi i njohur gjerman, ka nisur tashmë fushatën për të zëvendësuar Scholz-in me Boris Pistorius, Ministrin e Mbrojtjes, shumë më popullor dhe që vjen sërish nga radhët e SPD. Një moment i mundshëm i favorshëm për fillimin e rebelimit mund të jetë në shtator, kur do të ketë zgjedhje lokale në 3 lande federale në Gjermaninë Lindore.

Megjithatë një ndryshim në kupolën drejtuese, vështirë se do të zgjidhte problemet e SPD-së. Për momentin, Pistorius gëzon një popullaritet të caktuar, për të njëjtën arsye si Scholz në vitin 2021:publiku nuk e njeh ende mirë. Nga ana tjetër, Pistorius ka hyrë në skenën politike kombëtare vetëm një vit më parë.

Për më tepër, pas kritikave ndaj lidershipit të Scholz, fshihen probleme shumë më serioze dhe shumë më të rëndësishme se sa cilësitë personale të kancelarit. Midis tyre, është një ndjenjë e përhapur çorientimi që e prek Gjermaninë pikërisht në fazën e një ndryshimi të peizazhin gjeopolitik dhe social; pakënaqësive me politikat ekonomike të koalicionit; dhe rebelimit kundër të gjitha masave për mbrojtjen e mjedisit.

Padyshim, pjesë më e keqe ka të bëjë me luhatjen e ekonomisë. Dhe këtu nuk e kam fjalën vetëm për ritmet e rritjes ekonomike. Efektet negative nga de-industrializimi mund të shihen tashmë nga të gjithë. Në teori, qeveria mund ta trajtojë këtë problem me dy ndërhyrje:de-industrializimin në drejtimin e kundërt, siç po bëjnë aktualisht Shtetet e Bashkuara; ose përgatitjen e vendit për të ndjekur një strategji post-industriale.

Por qeveria aktuale nuk ka adoptuar as njërën dhe as tjetrën, duke preferuar të kapet pas modelit të vjetër industrial, dhe duke e maskuar atë si një “industri të gjelbër”. Por votuesit nuk janë budallenj. Ndoshta humbja më e madhe deri tani për Scholz ishte vendimi i Gjykatës Kushtetuese nëntorin e vitit të kaluar, që hodhi poshtë ndryshimet buxhetore të qeverisë së koalicionit, për shkak të shkeljes së rregullave shumë të rrepta fiskale që ndjek Gjermania.

Ky vendim, është ekuivalenti politik i kapjes në flagrancë. Për të kapërcyer rregullat e borxhit, koalicioni i transferoi fondet në aktivet jashtë bilancit, dhe gjykata vendosi se kjo ishte një shkelje e ligjit. Ai vendim dëmtoi jo vetëm reputacionin e qeverisë, por pati edhe pasoja praktike, duke e detyruar qeverinë të miratonte një buxhet të reduktuar pikërisht në mesin e një recesioni ekonomik.

Ndër masat shtrënguese, është anulimi i subvencioneve për makinat elektrike dhe për karburantet që përdoren në bujqësi, lëvizje që ka shkaktuar tensione dhe pakënaqësi të mëtejshme. Në shenjë proteste shumë fermerë kanë marshuar nëpër rrugë.

Për Gjermaninë ky është dimri i pakënaqësisë. Scholz mund të shpresojë që zgjedhjet të mbahen pas dimrit të ardhshëm, kur situata të jetë përmirësuar. Por edhe nëse ekonomia fillon të ecë më ritme të kënaqshme, unë dyshoj nëse Scholz dhe aleatët e tij do të arrijnë të marrin vlerësime nga publiku.

Për votuesit është e qartë, se 3 partitë qeveritare nuk kanë zhvilluar një vizion të përbashkët për perspektivat e ardhshme të ekonomisë. Dhe teksa po i afrohemi zgjedhjeve të ardhshme, këto dallime do të shpërthejnë në skenën politike me gjithë potencialin e tyre destabilizues. Pikërisht këtu qëndron problemi themelor, që nuk e shqetëson dhe aq shumë Scholz-in por më shumë të gjithë vendin. Realiteti është se Gjermania është bërë gjithnjë e më e vështirë për t’u qeverisur.

Burimi: Corriere della Sera/ Përshtati: Gazeta Si

*Wolfgang Münchau është redaktor i asociuar i Financial Times. Ai kryesisht shkruan për Bashkimin Evropian dhe ekonominë evropiane.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë