Mendim

‘Për Shqipërinë rreziku mbetet anonim pasi shifrat nuk përfaqësojnë situatën reale’

Nga Laidon Shapo-Vendet përreth Shqipërisë (në rajon) po identifikojnë rastet e para dhe evidencat po na tregojnë se mund të kemi raste të paidentifikuara. Është thjesht çështje kohe pasi dhe atje mund të ketë hyrë ose do hyjë së shpejti. Shumë vende të rajonit dhe Europës përfshi dhe Mbretërinë e Bashkuar kanë marrë masa të tipit ekstrem, apo më pak ekstrem. Diku ka izolim dhe vaksinim të detyruar e diku si në Mbretërinë e Bashkuar ka masa të tipit: punë nga shtëpia (nëse është e mundur); maska në udhëtim dhe ambiente të mbyllura/grumbullime masive; prezencë të certifikatës së vaksinimit.

Për Shqipërinë rreziku mbetet disi anonim pasi numrat e rasteve nuk përfaqësojnë situatën reale, po kështu shtrimet, etj. Ka akoma njerëz që trajtohen ambulatorisht në shtëpi. Vaksinimi prej 38% nuk ofron ndonjë siguri për një dimër të qetë duke ditur se një pjesë e popullatës janë vaksinuar me Sinovac dhe një pjesë e mirë e tyre janë mbi 65-vjeç dhe një pjesë e mirë e këtyre të fundit me sëmundje pre-ekzistuese. Padyshim që ka dhe popullatë të re dhe të shëndetshme ashtu siç ka dhe një përqindje reale të lartë (mendohet) që e kanë kaluar infeksionin dhe kanë një farë mbrojtje afatgjatë.

Të dhënat sugjerojnë që Omicron tenton të anashkaloje mbrojtjen imunitare dhe vetëm ata që kanë kaluar infeksionin + 1 dozë vaksine (mundësisht mRNA), ata me dy doza + një dozë booster janë më të mbrojtur.
Omicron është varianti i ri shqetësues zbuluar nga shkencëtarët në Afrikën e Jugut dhe varianti dominant atje. Që nga data 27 nëntor kur u identifikuan 2 rastet e para në Mbretërinë e Bashkuar, tashmë numërohen 568 raste me një rritje eksponenciale ku është parë dyfishim rastesh çdo 2-3 ditë. 40 mutacionet e sipërfaqesh virale i kanë dhënë këtij varianti një fuqi të madhe përhapjeje dhe nuk është çudi që brenda pak javësh t'i marrë kurorën Deltës në këtë aspekt.

Gjithsesi të dhënat deri më sot nuk rezultojnë që ky variant është më i rrezikshëm në sensin e shkaktimit të një sëmundje të rëndë, shtrimeve në spital dhe vdekshmërisë. Kjo mbetet për t'u parë. Në momentin që del në komunitet nuk vlen të ndiqet mes sekuencimeve genetike pasi ato kërkojnë kohë (1 javë) dhe ndërkohë PCR + mjafton për të izoluar personat e prekur (nga O ose D).


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë