Mendim

Për “një grusht” votash më shumë. Si e shfrytëzoi e djathta greke Kacifasin

“Patriotizëm është kur vendos mbi gjithçka, dashurinë për popullin tënd, kurse nacionalizmi është kur vendos mbi gjithçka, urrejtjen për të tjerët”.

Sharl de Gol

Duke marrë shkas nga ngjarjet e fundit në Bularat, me shqetësim vihet re në Greqi një rrymë nëntokësore në rritje e ekstremit të djathtë. Ka një përpjekje për të larguar debatet nga faktet reale, për të “heroizuar” gjithë historinë dhe për të drejtuar emocionet e njerëzve në një rrugë krejtësisht të kundërt dhe kjo tashmë është e dukshme në shumicën e mediave që mbështesin Demokracinë e Re.

Varrimi i Konstandinos Kacifas në Bularat të Gjirokastrës

Ishte e çuditshme se si edhe kanalet më të mëdha të Greqisë, me gazetarë që kanë krijuar një emër në opinionin publik, linin qëllimisht në errësirë fakte tepër të dukshme. Shembulli më banal ishin gazetarët e kanaleve STAR, SKAI apo ANT1 për të cilët shtetasit grekë që u ndaluan të hynin në Shqipëri ditën e varrimit të Konstandinos Kaçifës nuk kishin asgjë shqetësuese përveç ndonjë tatuazhi të “vockël” në trupin e tyre.

Foto të ekstremistëve grekë me tatuazhe që kanë qarkulluar ditëve të fundit në mediet greke

Dhe nuk theksuan faktin kryesor dhe tepër shqetësues, përpjekjen e organizuar të ekstremistëve të djathtë për të bërë politikë të jashtme. Por për të ardhur keq ishte qëndrimi i Demokracisë së Re, ku elementë të kësaj partie, megjithëse nuk e pohojnë, flirtojnë me këtë tendencë, për të përfituar një grusht votash nga përkrahësit e së djathtës ekstreme.

Për më tepër, me papërgjegjshmëri të lexueshme, një prej nënkryetarëve të parlamentit grek, deputeti i Demokracisë së Re, Nikitas Kaklamanis, duke përfituar që në sallën e Kuvendit ndodheshin vetëm pesë deputetë, u pohon atyre se ka rënë dakord me krerët e grupeve parlamentare për të mbajtur një minutë heshtje, për atë që ai e quajti “vrasja e Konstandinos Kaçifas”!

Cili “hero”?     

Konstandinos Kacifas

Ka shumë medie në Greqi që edhe sot pastre javësh nga incidenti në Bularat, e cilësojnë hero minoritarin 35-vjeçar. Madje ende i mëshojnë qëllimisht faktit që Konstandinos Kaçifas u vra se u përpoq të ngrinte flamurin grek. Të tjera medie duke dashur t’i hedhin zjarrit më shumëbenzinë, morën nga postimet edhe deklaratat e Edi Ramës, vetëm pjesë të veçanta, duke vendosur dhe tituj bombastikë sipas të cilëve kryeministri shqiptar, që me spontanitetin e tij ka shkaktuar shpeshherë probleme në marrëdhëniet Tiranë-Athinë, i quajti GJITHË grekët që morën pjesë në varrimhijena dhe korba...

Dhe padyshim që nuk publikuan pjesën tjetër të postimeve, kur Rama himnizon Greqinë dhe grekët. Por për t’u theksuar është dhe fakti i publikimeve të atyre mediave korrekte dhe gazetarëve objektivë që cilësuan deklaratat e Ramës në një çështje kaq delikate, si tepër reale, me respekt për Greqinë dhe me një frymë akuzuese për nacionalistët që përpiqen të shfrytëzojnë vdekjen e Kaçifës. Madje në këto postime, Greqia konsiderohet një komb që kurrë nuk ka qenë dhe nuk do të jetë armik i Shqipërisë.

Georgios Koumoutsakos, përgjegjësi për politikën e Jashtme të Demokracisë së Re, i quajti tepër provokuese deklaratat e Ramës. Edhe përgjegjësi i konservatorëve për Mbrojtjen, Vasilis Kikilias iu përgjigj deklaratave të Ramës duke theksuar se “Asnjë grek nuk pranon të fyeni dikë prej bashkëkombasve të tij”, duke mos bërë qartësisht një ndarje nga ekstremistët që morën pjesë në ceremoninë mortore.

Rreziku gjithnjë në rritje i nacionalizmit

Qëndrimi shqetësues qoftë i një pjese të politikës, qoftë i medieve që e përkrahin, është jo vetëm i papranueshëm, por i rrezikshëm. Është një krim politik dhe mediatik. Nacionalizmi i çdo vendi, sepse edhe Shqipëria ka të vetin, ushqehet nga nacionalizmi i atyre që ka përballë dhe anasjelltas. Prandaj, nga një shpërthim i tillë i tij në Greqi dhe përcjellja e shfaqja e tij në Shqipëri, vetëm dëm sjell dhe sidomos për minoritetin grek.

Ata që shfrytëzojnë vdekjen e Konstandinos Kaçifës dhe dhimbjen e të afërmve të tij, në fakt nuk kanë asnjë interes për të vdekurin, as për të shmangur një incident të ngjashëm dhe as për të mbrojtur minoritetin grek në Shqipëri, i cili si çdo pakicë në pothuajse çdo vend të botës, duhet të përballet me vështirësitë dhe sfidat.

Ndoshta për shumë medie kaloi si pa gjë të keqe fakti që në ceremoninë mortore nuk mori pjesë asnjë person prej trupit diplomatik grek në Tiranë. Përkundrazi përkrah Vangjel Dules, gjatë gjithë kohës u ndodh deputeti i Demokracisë së Re, Savas Anastadhias dhe të dy dëgjonin pa reaguar thirrjet antishqiptare të disa dhjetëra grekëve të ekstremit tëdjathtë të rreshtuar para shtëpisë së Kaçifës në një show sa të dhimbshëm për të afërmit, aq barbar dhe qesharak.

Vangjel Dule dhe deputeti i “Nea Demokratia”-s, Savas Anastadhias, gjatë ceremonisë mortore në Bularat

Nuk vihet në dyshim se ty dy nuk ishin dakord me shumë prej këtyre thirrjeve, por të paktën një deklaratë diferencueseprej tyre, nuk erdhi kurrë. Dhe pikërisht ky është shqetësimi më i madh në Greqi për drejtimin që po merr partia e Kyriakos Mitsotakis, i cili duket se nuk po kontrollon dot më rrymën e ekstremit të djathtë që po nxjerr kokën brenda saj.   

Në të djathtë, Haralambos (Babis) Karathanos, në kortezhin mortor në Bularat

Në disa medie greke, vetë shfaqja e Haralambos (Babis) Karathanos, në krye të ceremonisë mortore, nuk ka mbetur pa u komentuar pasi ky i fundit ka përkrahjen e një prej zyrtarëve më të lartë të Demokracisë së Re, Makis Voridhis, i njohur për të kaluarën e tij me ekstremistët e djathë.   

Zyrtari i lartë i Demokracisë së Re, Makis Voridhis dhe ekstremisti Haralambos (Babis) Karathanos

Ishte pikërisht ky politikan që kur Tsipras ditët e fundit do të deklaronte me kryepeshkopin grek fillimin endarjes së Kishës me Shtetin, shpërndante thirrje të tilla në një vend tepër fetar siç është Greqia, lajmet e rreme se Tsipras do të heqë festën e Krishtlindjeve dhe se vendi po rrezikohet nga myslimanët që po vijnë.   

Makis Voridhis dhe kreu i Demokracisë së Re, Kyriakos Mitsotakis

Gjithashtu shtypi i majtë në vend thekson se partia e z.Mitsotakis gjithnjë e më shumë po afrohet me tendencat e kryeministrit hungarez Viktor Orban, në gjirin e Partisë Popullore Europiane.

Patriotizmi dhe nacionalizmi

Çështja Kaçifas u konsiderua nga ekstremistët e djathë një dhuratë nga qielli. Nuk humbën aspak kohë, përfituan edhe nga disa vonesa e boshllëqe të palës shqiptare. Madje theksonin faktin se përse nuk u publikua kurrë një video nga operacioni, që me thënë të drejtën do të mbyllte shumë gojë.

Analistë grekë progresistë folën në shkrimet e tyre për adhuruesit e errësirës, të fashizmit, të nacionalizmit, që gjetën tek viktima Kaçifas “heroin” që u nevojitej për të sjellë përsëri në plan të parë axhendën e tyre. As që u bëhej vonë se homogjeni grek ishte i vdekur. Aq më mirë për ta dhe për qëllimet e tyre.

Analistë të tjerë mëshonin tek fakti i të drejtave të minoritetit, por duke dënuar përdorimin e armës nga ana e tij. Për më tepër, profili i tij në media sociale tregonte një të ri në një fazë të trazuar, që me sa duket kishte rënë në grackën e tjetërsimit të patriotizmit me nacionalizmin.

Por siç theksonte gjenerali i madh dhe politikani francez Sharl de Gol “patriotizëm është kur vendos mbi gjithçka dashurinë për popullin tënd, kurse nacionalizmi është kur vendos mbi gjithçka urrejtjen për të tjerët”.

E keqja më e madhe është se flasin për patriotizëm ata që himnizojnë Hitlerin dhe Musolinin. Dhe kanë shpresë se, duke parë rritjen e së djathtës ekstreme edhe në Europë, do të mund të mashtrojnë shumicën e grekëve, se do të rrisin atë 7% e tyre , apo do të përsërisin skenarin e qeverisjes së sotme në Austri. Ndaj forcat politike në Greqi duke filluar nga qendra e konservatorëve e deri tek e majta greke, në një vit zgjedhor si 2019 duhet të jenë tepër të kujdesshme për t’u treguar vendin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë