Ngjarje

Paulo Coelho për zjarrin në Muze: Brazili është në lot!

Pse muzeu më fantastik i Amerikës së Jugut tërhiqte vetëm 150 mijë vizitorë në vit? Qeveria ka lënë në harresë historinë e Brazilit, thotë romancieri më i madh i vendit, por të njëjtën gjë kanë bërë edhe njerëzit. Muzeu Kombëtar i Brazilit nuk mbërthente vetëm historinë e vendit. Ndërtesa ishte pjesë e saj. Kur Mbreti João VI u arratis drejt Amerikës së Jugut pas pushtimit të Portugalisë nga Napoleoni, e ktheu Rio de Zhaneiron në një vatër pushtet për qeverinë dhe Portugalisë, Brazilit dhe Algavres.

Rezidenca zyrtare ishte Pallati i Shën Kristoferit – dhe ndërtesa më pas u bë Muze Kombëtar. Por tani, në vend të kremtimit të ditëlindjes së 200-të të këtij institucioni madhështor, Brazili është në lot, sepse ai u dogj. Nëse kjo pikë historike referimi simbolizonte fillimet e një kombi, zjarr simbolizon një vend ku mungesa e kulturës dhe edukimit është problemi më i madh.

Historia e zhdukur...pamje nga lart e muzeut të djegur. Foto: Mauro Pimentel/AFP/Getty



Brazilianët udhëtojnë rreth botës me milionat e tyre, duke vizituar muze madhështorë si “Tate” i Londrës, “Metropolitan” i Nju Jorkut apo “Louvre’ i Parisit, që pati më shumë se 8 milionë vizitorë , në vitin e kaluar. E megjithatë nuk është mbivlerësim po të thuash se Rioja – me peizazhet e maleve, pyjeve dhe detit – është qyteti më i bukur në botë. Atëherë pse Muzeu Kombëtar – më fantastiku në Amerikën e Jugut, me 2 milionë artefaktet e tij, koleksionin egjiptian dhe fosilet më të lashta në historinë e Brazilit – kishte vetëm 154 mijë vizitorë vitin e kaluar?

Zemëratë… demonstratat në rrugë, pas flakëve. Foto: Daniel Ramalho/AFP/Getty Images

Fajësojmë qeverinë se ka lënë në harresë historinë tonë, por ne, populli brazilian, e kemi lënë gjithaq në harresë. Brazili është një vend spektakolar, shumë i bukur, por është i dëmtuar nga mungesa e edukimit. Njerëzit e varfër në Brazil nuk shkojnë në shkolla e jo më në muze. Të pasurit shkojnë në muze – por në Londër, Nju Jork ose Paris dhe jo në Rio apo San Paulo. Muzeu Ipiranga në San Paulo, i ndërtuar gjatë dekretimit të pavarësisë së Brazilit, më 1822-shin, është mbyllur për pesë vite. Tani, që Muzeu Kombëtar vdiq në flakë, pyesim veten se ç’do të ndodhë me Ipirangën. Pyesim veten ç’mund të ndodhë me shpirtrat tanë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë