Politike

Rama: Të gjitha mbetjet në landfille e inceneratorë! Rrisni buxhetet, ose Qeveria u merr bashkitë

Qeveria do të bllokojë përmes prefektëve të gjitha buxhetet e vitit të ardhshëm të bashkive, nëse ato nuk konsiderojnë pastrimin e territorit nga mbetjet si një prioritet dhe të mbulojnë 100 për qind kostot e pastrimit dhe depozitimit të tyre në landfillet e përcaktuara dhe te inceneratorët.

Kryeministri tha se prioriteti për dërgimin e mbetjeve në landfille, apo inceneratorë duhet të jetë aq i lartë, sa duhet të miratohet edhe nëse “harxhon të gjithë buxhetin e bashkisë”.

“Qeveria do të ndërhyjrë drejtpërdrejt dhe ndërhyrja e parë është që asnjë buxhet i asnjë këshilli bashkiak nuk kalon nëse nuk do të jetë parashikuar sipas kostimit. Kryetarët e bashkive të mos e ndërmarrin hapin ku pastrimi të mos jetë parashikuar në buxhet. Asnjë bashki nuk ka asnjë problem që të mbulojë pjesën e menaxhimit të përditshëm të mbetjeve nga pikëpamja financiare, por edhe sikur i gjithë buxheti i bashkisë të shkojë për pastrimin, do të shkojë për pastrimin. asgjë tjetër nuk është më e rëndësishme se sa pastrimi”, tha ai.

Kryeministri qortoi më fort bashkitë e Himarës, Elbasanit e të Kamzës, ndërsa lëvdoi punën e Bashkisë së Lezhës.

“Asnjë buxhet bashkiak nuk do ta kalojë filtrin e prefektit nëse e kalon këshillin. Do ta kontrolloj edhe vetë. në këtë proces ka edhe specifika. Kur Lezha i çon mbetjet në Bushat, nuk ka asnjë tjetër këtu që të më thotë jo se është larg, jo se ka kosto të madhe”, tha ai.

Kryeministri nënkuptoi se në këtë sektor ka pasur abuzime korruptive ndër vite, përmes rritjes së sasisë së mbetjeve për të përfituar më shumë fonde.

“Se kur shkohet në pikat fundore bie sasia, sepse zakoni shumëvjeçar i faturimit fiktiv të tonelatave nuk është zhdukur nga territori i Shqipërisë, me venddepozitime ilegale politike, për interesa personash dhe vijmë vërdallë”, u shpreh Rama.

Rama tha se kryebashkiakët mund të rrisin tarifat e pastrimit, por jo për qytetarët e thjeshtë, por për bizneset që ndosin më shumë.

Kryebashkiakët i paralajmëroi se do të aplikojë sanksionet ligjore, deri edhe te padia në prokurori.

“Fjalët po shterojnë dhe ligji parashikon shumë qartë që kryebashkiakët janë shumë të qartë që kryetarët e bashkive sanksionohen financiarisht, mund të shkojnë deri në marrjen në administrim të bashkisë dhe çuarjen e kryebashkiakut në prokurori. Do të jetë fundi i rrugëtimit të përbashkët nëse nuk do të gjejmë partnerët e duhur në territor”, u shpreh ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë