Politike

Rama “shënjestroi” Jorgo Goron, Ademi braktis mbledhjen e Leli qëndron deri në fund

Kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi ishte e pranishme në mbledhjen e thirrur nga Kryeministri Edi Rama, por nuk qëndroi deri në fund të saj, ndërkohë që po në të njëjtën sallë ishte edhe kryebashkiaku i Vlorës, Dritan Leli.

Kjo është hera e parë që Dritan Leli merr pjesë në një takim të thirrur nga Kryeministri Edi Rama, që pas përplasjes mes të dyve para, gjatë dhe pas zgjedhjeve të 25 prillit, ku Rama e cilësoi “të vdekur kryebashkiakun e Vlorës.

Përplasja nisi nga refuzimi i kryebashkiakut të Vlorës për t’u përfshirë në listat për deputetë të PS-së. Pas këtij momenti, Dritan Leli është mënjanuar nga Kryeministri, që nuk e pranoi në takimin e mëparshëm të korrikut me kryebashkiakët, ndërsa në Facebook postonte video duke pastruar vetë në qytetin e Vlorës.

Ndryshe nga Ademi, Leli qëndroi deri në fund të mbledhjes, ku Kryeministri Edi Rama u dha ultimatum kryebashkiakëve që të rrisin buxhetet për pastrimin. Rama tha se qeveria do të bllokojë përmes prefektëve të gjitha buxhetet që nuk mbulojnë kostot e pastrimit dhe depozitimit të mbetjeve në landfille dhe inceneratorë.

Kryeministri shënjestroi veçanërisht kryebashkiakun socialist të Himarës, Jorgo Goro. “Bashkia e Himarës rri fle gjumë mbi plehra”, tha ai.

Me nota pozitive u vlerësua kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu, që e mori si shembull që duhet ndjekur edhe nga bashkitë e tjera.

Në këtë takim, Rama paralajmëroi deri me ndjekje penale dhe marrje bashkish kryebashkiakët që nuk pastrojnë territorin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë