Mjedis

Pastoralizmi, ose rikthimi të fermat blegtorale po josh shqiptarët

“Ndonjëherë kthimi prapa është rruga përpara”. Me këtë fjali mund të përkufizohet më së miri pastoralizmi në vendin tonë...

Në një artikull nga Birdlife, një partneritet global i organizatave joqeveritare, përmendet pikërisht ringjallja e praktikave tradicionale bujqësore, përkatësisht rikthimi i pastoralizmit në Shqipëri si një mënyrë për të shpëtuar natyrën dhe njerëzit.

Në artikull përmendet Fatjoni, një i ri i cili çdo mëngjes në muajt e verës, zgjohet herët dhe del nga shtëpia e tij në fermë në breg të kodrës në malet shqiptare.

Në artikull shkruhet se si Fatjoni ka pak të rinj pasi ato e kanë të vështirë të rrinë të izoluar nga bota për disa muaj.

Barinjtë si Fatjoni nuk janë të vetmit që humbasin në këtë situatë. Gjatë mijëra viteve të kullotjes, malet e Ballkanit kanë zhvilluar një ekosistem unik. Në veçanti, malësitë dhe kullotat janë shtëpia e llojeve të bimëve që nuk gjenden askund tjetër, duke përfshirë zambakun e pazakontë shqiptar, si dhe zvarranikë të rrallë. Këto shpate janë tani një pikë e nxehtë e biodiversitetit por ndërsa hapësirat gjithnjë e më të mëdha të tokës braktisen dhe rriten, ky komunitet i jashtëzakonshëm i kafshëve të egra po shuhet.

Kështu, vetëm me anë të ekoturizmit mund të shpëtohet natyra dhe familje të shumta të ndërtojnë një ekonomi të qëndrueshme me anë të pastoralizmit i cili në fund të fundit është thjeshtë kthimi në identitetin Shqiptar.

Për momentin ka një braktisje masive nga të rinjtë përsa i përket një pjese të aktiviteteve tradicionale dhe pastoralizmi apo mbarështimi i gjësë së gjallë është një prej aktiviteteve që është braktisur më shumë se çdo aktivitet tjetër.

Këtë e pohon për Gazetasi.al Mirjan Topi, koordinator për Shqipërinë për grantet e vogla të Fondit të Partneritetit për Ekosistemet e Kërcënuara (CEPF).

Ai thotë se gjithë biodiversitetin që ne e kemi, është trashëguar nga mënyra se si është menaxhuar mjedisi.

“Tashmë ajo që po ndodh është që ne kemi filluar të humbim larminë më shpejt se çdo vend tjetër në Europë”.

Mirjan Topi, Koordinator i CEPF. Gazeta Si, 6 korrik, 2022.

Çfarë është pastoralizmi dhe pse ka rëndësi?

Pastoralizmi është aktivitet turistik në vetvete dhe ky lloj pastoralizmi që bëjmë ne në Shqipëri së pari prodhon produkte me cilësi shumë të lartë siç janë produktet e qumështit por edhe mishit.

Topi thotë se pastoralizmi në Shqipëri është zhvilluar dhe zhvillohet në pjesën e kullotave alpine që janë zonat më të pasura për këtë aktivitet. Në shumë vende të botës pastoralizmi nuk ekziston më pasi është braktisur. “Për fat të mirë në Shqipëri vazhdon edhe pse ka rënë në krahasim me të kaluarën”. Gjithsesi vazhdon të jetë një aktivitet vital.

Pas rënies së komunizmit, shpjegon Topi, kishte një braktisje totale të punëve tradicionale por vitet e fundit është vënë re një ringjallje e pastoralizmit.

“Deri më 2008 ka pasur një rënie të këtij lloj aktiviteti. Pas krizës së 2008 shumë emigrantë u kthyen dhe tufat e shtuan”, thotë Topi duke shtuar se tani Shqipëria përsa i përket këtij lloji aktiviteti mund të jetë një nga vendet që ka më shumë kullota për sipërfaqe. Është një aktivitet që është relativisht i zhvilluar dhe kjo ringritje ka ardhur nga mosha e mesme të cilët kanë vendosur të investojnë “tradicionalisht”.

“Janë njerëz që janë martuar, kanë krijuar një familje apo dhe emigrantë të cilët kanë vendosur të merren me blegtori në vendin tonë”.

Topi thotë se pastoralizmi nuk është tërheqës për të rinjtë. Numri i të rinjve që punojnë në zonat rurale është shumë i pakët dhe për këtë ka ndikuar zhvillimi i teknologjisë, lëvizshmëria drejt zonave urbane apo edhe “lehtësia” për të marrë një profesion të mirëfilltë.

Si mund të ringjallet ky lloj aktiviteti?

Topi thotë se ne i kemi të gjitha mundësitë për ta bërë këtë aktivitet më tërheqës për të gjithë të rinjtë si për shembull, duke integruar mbarështimin e gjësë së gjallë në kullotat alpine me turizmin. Kështu personat mos të merren vetëm me pastoralizmin por të kenë dhe një aktivitet turistik ku dhe kërkesa është shumë e madhe.

“Janë të shumtë personat që bëjnë hiking dhe ecje nëpër male dhe ato e kanë shumë të nevojshme që të kenë një vend për të fjetur dhe stanet që i krijojnë personat që kullosin bagëtitë mund të përdoren edhe si njësi pritëse. Kjo ide nuk është inovative por duhet të zhvillohet më shumë në vendin tonë”, thotë Topi i cili shton se në fakt është kthyer në një biznes fitimprurës për të gjithë ato që e kanë provuar.

Parku Kombëtar Shebenik-Jabllanicë.

“Ka një kërkesë të jashtëzakonshme nga turistët si të huaj ashtu edhe shqiptarë që të kenë një vend për të fjetur në kullotat alpine”, thotë Topi.

Ai shpjegon se shqiptarët duan shumë që të shkojnë të hanë një drekë në stane dhe në këtë formë të rinjtë mund të angazhohen në biznes të mirëfilltë.

“Ato nuk do të jenë aty vetëm për të kullotur bagëtitë por edhe do kenë një biznes që përfshin turistët”.

Topi thotë me bindje se vlera e këtij aktiviteti do rritet dhe do bëhet tërheqës dhe për të rinjtë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë