Rend dhe Ligj

Pasaportat diplomatike dhe të shërbimit të vlefshme deri më 31 dhjetor

Pasaportat diplomatike dhe ato të shërbimit do të jenë të vlefshme deri më 31 dhjetor të 2019. Ky është vendimi i nxjerrë së fundmi nga ana e Qeverisë, e cila pas kësaj date i nxjerr të paligjshme këtë dokument që mbahet kryesisht nga zyrtarët e lartë të shtetit që nga presidenti, kryeministrat apo dhe deri tek ato më vegjlit. Për t’i dhënë fund abuzimeve më dhënien e pasaportave diplomatike dhe të shërbimit, qeveria ka vendosur gjithashtu që të shfuqizojë të gjitha vendimet e dhënë që nga 1997 e këtij, vit që ka zanafillën edhe VKM-ja e miratuar nga qeveria socialiste e kryeministrit Fatos Nano, “Për lëshimin e pasaportave diplomatike dhe të shërbimit”.
“Subjektet, që janë pajisur me pasaporta diplomatike apo shërbimi përpara hyrjes në fuqi të këtij vendimi, kanë të drejtë të përdorin pasaportat përkatëse deri në datën 31 dhjetor 2019”, thuhet një nga pikat e kësaj VKM-je.
Ndërsa paralajmërohet se ngjyra e pasaportave mund të ndryshojë nga ajo e që e përdorin qytetarët e zakonshëm.
“Ngjyra e pasaportave diplomatike dhe të shërbimit është e ndryshme nga ajo e pasaportave të zakonshme. Formati ekzistues i pasaportës diplomatike dhe shërbimit është i vlefshëm deri në datën 31 dhjetor 2020. Procedura dhe dokumentet që paraqiten për aplikim për pasaportë diplomatike apo shërbimi përcaktohen me udhëzim të ministrit përgjegjës për punët e jashtme. Institucionet publike mbulojnë nga buxheti i tyre kostot për pajisjen me pasaportat diplomatike apo të shërbimit të funksionarëve të tyre”, thuhet në VKM-në e qeverisë të miratuar me 12 qershor.


Më tej është përcaktuar se vendimi nr.335, datë 2.9.1997, “Për pajisjen me pasaporta diplomatike dhe shërbimi”, dhe aktet e tjera ndryshuese në zbatim të tij shfuqizohen me hyrjen në fuqi të këtij vendimi.

Faksimile e vendimit të qeverisë Nano për lëshimin e pasaportave diplomatike dhe të shërbimit


Në vendimin e parë të qeverisë Nano përcaktohej se pajiseshin me pasaporta diplomatike bashkëshortet e ministrave, të deputetëve, djemve të mitur deri në 18 vjeç dhe vajzave të pamartuara që bashkëjetojnë me Presidentin e Republikës, Kryetarin e Kryesisë së Kuvendit Popullor, Kryetarin e Këshillit të Ministrave dhe anëtarëve të personelit diplomatik ose konsullor të Republikës së Shqipërisë, që janë jashtë vendit.
Ndër vite vendimi i qeverisë ka pësuar ndryshime dhe madje shumë qeveri të ndryshme kanë abuzuar me dhënien e pasaportave diplomatike, që nga koha kur kryeministra ishin Pandeli Majko, Ilir Meta apo dhe Sali Berisha.
Kështu do të vendosej që edhe shoferët e nënkryetarëve të Kuvendit të pajiseshin me pasaporta shërbimi, apo dhe drejtorët dhe kryeredaktorët e gazetave dhe televizione. Jo pak pasaporta iu janë dhënë edhe biznesmenëve të ndryshëm.

Vendimi i qeverisë për zyrtarët që përfitojnë, i vitit 1997


Ndërsa në qershor të vitit 2016, kryeministri Edi Rama do të pajiste të gjithë lojtarët e kombëtares së futbollit me pasaporta diplomatike, përpara se ata të shkonin në Kampionatit Europian. Kjo do të shihej edhe si moment vlerësimi për ekipin që u kualifikua për herë të në këtë kompeticion evropian.
“Presidenti, zëvendëspresidenti dhe sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptaretë Futbolli, pjesëmarrës në Kampionatin Evropianë Futbollit 2016; Trajneri, zëvendëstrajnerët, trajneri i portierëve dhe menaxheri i Ekipit Kombëtar të Futbollit, pjesëmarrës në Kampionatin Evropiantë Futbollit 2016; Futbollistët e Ekipit Kombëtar të Futbollit, pjesëmarrës në Kampionatin Evropiantë Futbollit 2016 pajisjen me pasaporta diplomatike" thuhej në vendimin e qeverisë Rama.

Futbollisti i kombëtares Ergys Kaçe në postim ne rrjetet sociale ka publikuar marrjen e pasaportës diplomatike


Si rezultat i shpërndarjes në mënyrë masive dhe abuzive të pasaportave të shërbimit dhe diplomatike, ministri i Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj nxori urdhrin për bllokimin e pasaportave të zyrtarëve që iu kishte mbaruar detyra. Gjithashtu një tjetër shqetësim që ai ngriti ishte fakti që ato iu ishin dhënë edhe konsujve të nderit.
Ai theksoi se 350 pasaporta diplomatike që do t'u hiqen zyrtarëve, pasi janë marrë në mënyrë abuzive, saqë edhe një shofer institucioni ishte pajisur me pasaportë të tillë. Mes personave që do tu hiqen pasaportat diplomatike, janë ish-deputetë që u ka mbaruar mandati ose gjyqtarë që nuk kanë kaluar procesin e vettingut, dhe shoqëruesve të zyrtarëve që e kanë mbajtur pasaportën diplomatike në shkelje me ligjin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë