Lajme

Skandal i Shqipërisë me pasaportat e emigrantëve në Greqi

Skandal me pasaportat e emigrantëve shqiptarë në Greqi. Gjithsej 100 pasaporta të reja, të cilat ishin dërguar nga Ministria e Punëve të Jashtme për emigrantët shqiptarë në vendin fqinj, kanë humbur në Greqi gjatë transportit.

Pasaportat fillimisht janë bllokuar nga dogana greke në Kakavijë për shkak se transporti kishte në shkelje të procedurave.

Si të mos mjaftonte kjo, në një prej lagjeve të Athinës, gjatë ndalesës makina diplomatike është sulmuar nga persona të paidentifikuar dhe janë marrë 100 pasaporta nga pakoja me mjetet e identifikimit.

Ngjarja në fakt ka ndodhur në datën 13 shkurt, ku qindra qytetarë shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Greqi, pasi kishin aplikuar për pasaporta në konsullatat tona në Athinë, Selanik dhe Janinë, prisnin këto ditë që të merrnin pasaportat e reja. Por mënyra skandaloze se si ato u transportuan nga Ministria jonë e Jashtme drejt Greqisë, solli dështimin e plotë të procedurës.

Pasaportat e reja të përgatitura nga kompania koncesionare Aleat, ishin futur në çanta, me të cilat zakonisht transportohen rroba dhe pa asnjë shoqërues të ministrisë, ishin dërguar me linjën e autobusëve Tiranë-Athinë.

Ndërkohë që vetëm sot, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka vendosur të sqarojë pas 9 ditësh ngjarjen.

Në një deklaratë për mediat, MPJ thotë se me datë 13 shkurt, pasaportat e prodhuara nga kompania ALEAT po transportoheshin drejt Greqisë të ambalazhuara jo në përputhje me praktikat e rregullta të transportimit të pakove diplomatike: “Nisur nga ky fakt autoritetet doganore greke, në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës, kryen verifikimin e rastit dhe bllokuan pakon me të cilën transportoheshin pasaportat”.

MPJ shton se pako me pasaportat shqiptare, u zhbllokua pas verifikimit të tyre dhe takimit të përfaqësuesve të Konsullatës së Përgjithshme të RSH-së në Janinë me autoritetet doganore greke.

"Theksojmë se ngarkesa ka qenë e shoqëruar me një dokumentacion autorizues të Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Athinë, me anë të të cilit autorizohej një punonjëse e Kompanisë “Top Lines” të dorëzonte aplikimet dhe të tërhiqte pasaportat dhe kartat ID pranë Kompanisë ALEAT, për llogari të Ambasadës sonë në Athinë", thotë MPJ.

Dërgesa i është dorëzuar përfaqësuesve diplomatikë të Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Shqipërisë në Janinë, të cilët kanë proceduar me shoqërimin dhe transportin e tyre drejt Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Athinë.

“Gjatë transportimit të tyre nga Konsulli i Përgjithshëm i Republikës së Shqipërisë në Janinë, në një nga ndalesat e bëra për në ambasadën tonë, pikërisht në rrugën Agion Asomaton të lagjes Thisio, Athinë, prej orës 22.50 deri në orën 00.10, automjeti me targa diplomatike u vandalizua”, - shpjegon Ministria, duke saktësuar se është bërë këqyrja e ambientit dhe makinës, marrja e shenjave të gishtërinjve si dhe deklarimi e denoncimi për incidentin.

Duke pranuar incidentin dhe përgjegjësinë për këtë skandal, Ministria thotë se është angazhuar për të marrë masa që ngjarje të tilla të mos ndodhin më në të ardhmen.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme njofton se ka udhëzuar të gjitha instancat e nevojshme që qytetarët e prekur nga dëmi i shkaktuar të ri-aplikojnë pa shpenzime dhe lëshimi i pasaportave të reja të bëhet me urgjencë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë