17 shkurti i vitit 2008 është padyshim dita më e madhe në historisë e Kosovës. Pas ndërhyrjes së ushtarëve të NATO-s, kthimit në shtëpitë dhe në tokën e tyre, por edhe njohjes për shumë vite nën siglën e UMNIK-ut, Kosova u kthye nga një vend i lirë në të shtet të pavarur.
Deklarata e pavarësisë hapi një kapitull të ri për Kosovën, por rruga drejt konsolidimit të shtetit dhe institucioneve nuk ka qene e lehtë dhe 13 vite më vonë, Prishtina gjendet ende në një udhëkryq të vështirë. Me ish-krerët e UCK-së nën akuza për krime lufte, një qeveri të re tek dera, pandeminë dhe presionin për arritjen e një marrëveshjeje me Serbinë, Kosova nuk ka zgjedhje veçse të hapë një kapitull të ri dhe të adresojë sfidat shumë vjeçare që e kanë kthyer në shtetin më të brishtë në Europë.
Brenda tre vitesh, Kosova ka ndërruar tre kryeministra dhe do të ketë së shpejti një qeveri të re të drejtuar nga Albin Kurti, i cili ashtu si kur mori detyrën një vit më parë, premton sërish ndryshime tektonike, duke u zotuar se në fund të mandatit të tij, Kosova do të jetë më e fortë dhe më e konsoliduar se kurrë. Por fusha ku Kurti do të duhet të punojë më shumë është në fakt edhe pika e dobët e partisë së tij: diplomacia dhe forcimi i marrëdhënieve me aleatët. Edhe pse Vetëvendosje dhe vetë Kurti janë munduar të ndryshojnë imazhin e partisë, ajo vazhdon të shihet nga një pjesë e madhe e zyrtarëve në Europë dhe SHBA si një lëvizje radidale. Kjo ka gjasa ta bëjë edhe më të vështirë konsolidimin e Kosovës në skenën ndërkombëtare, e cila është sipas ekspertëve nevoja më urgjente e Kosovës, pas pandemisë.
Falë mbështetjes së SHBA-së dhe aleatëve perëndimore, Kosova është bërë anëtare e shumë organizatave ndërkombëtare, përfshirë edhe organizatat më të rëndësishme financiare si Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Evropiane për Rindërtim e Zhvillim si dhe atyre sportive, duke veçuar anëtarësimet në FIFA, UEFA dhe Komitetin Olimpik.
Por Kosova mbetet ende vendi më i izoluar në Europë, pa liberalizim të vizave. Shteti më i ri europian, edhe këtë përvjetor e shënon pa e siguruar karrigen që i takon në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Po ashtu, Kosova nuk e ka ende as mbështetjen unike të Bashkimit Europian, pasi pesë shtete anëtare të BE-së, nuk e njohin.
Ekspertët e marrëdhënieve ndërkombëtare në Kosovë shprehen se Prishtina nuk ka shënuar asnjë arritje të madhe në arenën ndërkombëtare, përveç njohjes nga Izraeli, si pasojë e krizave të brendshme politike, korrupsionit dhe shërbimit jo të konsoliduar diplomatik.
Periudhën 13-vjeçare të Kosovës si shtet i pavarur, profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Afrim Hoti e konsideron periudhën e mundësive të jashtëzakonshme, por të arritjeve modeste.
“Shkuarja në zgjedhje në mënyrë të vazhdueshme kanë vënë si përparësi vetë, politikën tonë të brendshme, ndërrimin e qeverive apo koalicioneve duke bërë që politika e jashtme të lihet pas dore, edhe pse është fusha ku Kosova duhet të investojë më shumë”, u shpreh Hoti.
Kjo mbështetet edhe nga Arbër Fetahu nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, i cili thotë për se ka një zbehje të imazhit pozitiv të Kosovës në arenën ndërkombëtare.
“Që nga shpallja e pavarësisë më 2008 e deri më tani mund të themi që kemi një zbehje të imazhit pozitiv të Kosovës në arenën ndërkombëtare, sidomos në vitet e fundit, kur kemi vënë re një perceptim negativ edhe nga vendet kanë marrë të parat hapin për të njohur Kosovën. Shkaku i vetëm kanë qënë krizat e brendshme dhe korrupsioni”, i thotë Fetahu gazetës.
Që prej shpalljes së pavarësisë më 17 shkurt 2008, Kosova është njohur 117 shtete, por disa prej tyre kanë vendosur të pezullojnë marrëdhëniet diplomatike me shtetin e Kosovës.
Sipas profesorit të marrëdhënieve ndërkombëtare, Hoti, çështja e njohjeve ka mbetur nën hije për shkak të problemeve të brendshme politike në Kosovë.
“Duke u marrë me problemet e brendshme politike, njohja e Kosovës ka mbetur në hije dhe shpesh jemi përballur edhe me situate kur ka munguar bashkërendimi ose mbajtja e kontakteve të vazhdueshme me ato shtete që na kanë njohur, dhe si pasojë kur kemi aplikuar në organizata të caktuara ndërkombëtare shtetet që e kanë njohur Kosovën parimisht kanë votuar edhe kundër. Kjo vërtetë e tregon një brishtësi në kuptimin e politikës sonë të jashtme”, thotë Hoti.
Edhe pse kërkon rifillimin e dialogut, Presidenti serb Aleksandër Vuçiç, është i pari që nuk e pranon pavarësinë e Kosovës. Dialogu Kosovë-Serbi filloi në vitin 2011. Në fillim ishte premtues, falë marrëveshjeve të arritura mbi targat dhe menaxhimin e kufijve. Por me kalimin e kohës ai e humbi qëllimin e tij. Edhe pse nënshkruan një marrëveshje në Shtëpinë e Bardhë, të dyja palët nuk kanë rënë dakord as për kuptimin e “normalizimit të marrëdhënieve”, madje Serbia i referohet qeverisë së Kosovës si “autoritetet e përkohshme të Kosovës dhe Metohisë”. Ajo bën fushatë kundër anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare si, OKB, UNESCO dhe Interpol.
Një vend në OBK do t’i lehtësonte Kosovës anëtarësimin në organizata të tjera ndërkombëtare, si Organizata Botërore e Tregtisë, Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe në Organizata për Siguri dhe bashkëpunim në Europë.
Kosovës i erdhi njohja nga shteti i Izraelit një muaj më parë, kjo ndodhi tre vjet pasi nuk kishte arritur të siguronte asnjë njohje dhe për analistin Fetahu, vitet e fundit mund të konsiderohen si periudhë më zhgënjyese e shtetit të Kosovës.
“Fillimisht në vitet e para të pavarësisë kemi pasur një fluks njohjes nga vende rëndësishme, por vitet e fundit jemi përballur me të kundërtën, pezullimin e marrëdhënieve diplomatike. Kjo do të thotë se diçka nuk shkon me diplomacinë kosovare”, thotë Fetahu.
Vigan Qorolli, profesor i të Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, thotë se ndryshimet e mëdha në trendin e votimit dhe distancimi i qytetarëve nga liderët apo partitë tradicionale, vjen sepse shqiptarët e Kosovës a janë të zhgënjyer me elitat politike. 13 vjet pas shpalljes së pavarësisë, sondazhet e opinionit publik tregojnë se udhëheqësit kanë realizuart shumë pak nga pritshmëritë e qytetarëve.
“Zhgënjimi i qytetarëve ka të bëjë me paaftësinë e elitave politike për ta ndërtuar shtetin, para së gjithash shtetin ligjor, si dhe ku të gjithë qytetarët gëzojnë të drejta të barabarta. Kjo reflektohet edhe në zhgënjimin e popullsisë, sidomos të asaj pjese që është më e ndjeshme, pjesa më e kualifikuar e njerëzve, të cilët vazhdojnë të kërkojnë të ikin nga Kosova”, shprehet Qorolli.
Sipas tij, problemi më i madh i Kosovës është në këtë rast është mungesa e sundimit të ligjit dhe qendrueshmërisë politike. Qorolli thekson se Kushtetuta e Kosovës është jashtëzakonisht demokratike, por provokimi i shpeshtë i zgjedhjeve dhe mbajtja e shpeshtë e tyre, ka treguar që elitat politike nuk e kanë kuptuar elementin kryesor të demokracisë: konsensusin politik.
“Të kuptuarit demokracisë është një element shumë më i virtytshëm, të cilin elitat tona politike shpeshherë nuk e kanë kuptuar dhe shkuarja e shpeshtë në zgjedhje lidhet me konceptin që ata kanë për demokracinë. Pra, duke tentuar që të sundojnë, por jo të qeverisin dhe të shërbejnë, si dhe duke tentuar që gjithmonë të delegojnë njerëzit e tyre nëpër institucione të pavarura, duke çuar kështu në ‘kapje e shtetit’, atëherë të gjitha partitë politike, padyshim, të gjitha, e kuptojnë idenë që shteti ju ka shërbyer vetëm një grup të caktuar njerëzish, por jo të gjithë qytetarëve”, theksoi Qorolli.
Në rrafshin ndërkombëtar, siç thotë profesor Qorolli, gjatë 13 vjetëve që nga shpallja e pavarësisë, Kosova ka pasur sfida të shumta. “Tashmë, kemi disa nga zyrtarët më të lartë të vendit duke u gjykuar në Hagë për krime luftës dhe krime kundër njerëzimit. Për më shumë, mos të komentojmë raportet e vështira dhe dialogun me Serbinë, apo mungesën e konsensusit ndërkombëtar për njohjen e pavarësisë së Kosovës.”, u shpreh Qorolli.
Megjithatë, pavarësisht të gjitha sfidave, me të cilat përballet Kosova dhe pavarësisht zhgënjimit të qytetarëve të saj me ecjen e ngadaltë dhe me shumë defekte drejt ndërtimit të shtetit, sipas sociologut Ismail Hasani, vetë qytetarët nuk e kanë humbur atdhedashurinë.
“Populli i Kosovës, ka bërë përpjekje që ta ruajë patriotizmin, që ta ruajë ndjenjën e atdhedashurisë, që ta ruajë bërthamën e qenies së tij kombëtare. Por, problemi është se nuk ka pasur udhëheqje të sinqertë nga elitat politike, i cili do të ushqente shpresën për një të ardhme më të mirë. Sidomos, për një të ardhme të të rinjve dhe normalisht edhe të njerëzve, grupmoshave të ndryshme, të cilët, nuk kanë atdhe tjetër përveç Kosovës”, tha Hasani.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.