Futboll

Pas 442 vitesh, arbitrimi një profesion i rrezikshëm dhe i dalë mode!

Pasioni për sportin bashkon të rinj në të gjithë botën, paçka se në varësi të popullaritetit dhe numrit të të angazhuarve, shumë gjëra si rrjedhojë ndryshojnë.

Jo më kot futbolli është loja më popullore në botë, loja e kthyer në biznesin e milionave dhe miliardave eurove, që qarkullojnë nga mekanizmat madhorë, FIFA dhe UEFA, deri te shoqatat që janë federatat e shteteve dhe akoma më poshtë klubet e secilës federatë.

Por për të zhvilluar një lojë futbolli korrekte, të paktën teorikisht dhe të paanshme, përderisa ekzistojnë disa rregulla, ato duhen zbatuar. Dhe për të vrojtuar këtë lojë, siguruar mbarëvajtjen e lojës dhe dhënë drejtësi, qysh në fillimet e saj doli nevoja e një gjyqtari, apo arbitri.

Mjetet e nje arbitri futbolli. Gazeta Si, 13 prill 2023

Historia e arbitrimit
Gjyqtarët në futboll u përshkruan për herë të parë nga Richard Mulcaster në 1581-shin. Në këtë përshkrim të "futbollit" arbitri mbron përdorimin e "gjyqtarit mbi palët". Në epokën moderne gjyqtarët janë përkrahur për herë të parë në lojërat e futbollit të shkollave publike angleze, në 1845-n.

Një raport i ndeshjes nga Rochdale më 1842 tregon përdorimin e tyre në një lojë futbolli midis klubit Bodyguards dhe klubit Fearnought.

Në vitet e para të sportit të kodifikuar supozohej se mosmarrëveshjet mund të zgjidheshin në mënyrë adekuate me diskutime mes zotërinjve, lojtarë të cilët nuk do të bënin kurrë një faull qëllimisht. Megjithatë, ndërsa loja u bë më konkurruese, nevoja për zyrtarë u rrit. Fillimisht kanë ekzistuar dy arbitra, një për ekip, të cilët mund të apelohen me arbitrin (kohën e lojës) duke u "referuar" nëse arbitrat nuk mund të pajtoheshin.

Promovimi i gjyqtarëve në pozicionin dominues që ata zënë sot dhe reformimi i arbitrave në rolin e linjave ndodhi si pjesë e një ristrukturimi të madh të ligjeve në 1891-shin.

Tiranë, 442 vite më pas
Shoqata e Arbitrave shqiptarë vendosi të bojkotojë ndeshjet e klubit Kastrioti në Kategorinë Superiore, për shkak të presioneve të vazhdueshme ndaj tyre. Arbitri Juxhin Xhaja nga kryeqyteti, që ishte caktuar për të gjykuar ndeshjen Kastrioti-Bylis, një duel mbijetese mes dy skuadrave të vendit të fundit, duket se nisur nga situata, ka tejkaluar çdo normë.

Juxhin Xhaja, arbitri qe u kercenua para ndeshjes Kastrioti-Bylis. Gazeta Si, 13 prill 2023

Burime jo zyrtare nga ambienti i gjyqtarëve konfirmojnë për kërcënim deri në familjen e arbitrit një ditë përpara ndeshjes, ndërkohë që po pjestarë të këtij klubi, Kastriotit, kanë kërcënuar rreth 2 javë më parë një tjetër arbitër, Kreshnik Bajramaj. Në ndeshjen Laçi-Kastrioti, nën presionin e drejtuesve të klubit krutan, gjyqtari anulon golin e kurbinasve.

Kush janë gjyqtarët e Superiores dhe çfarë profesioni kanë?
Juxhin Xhaja, Eldorjan Hamiti dhe Enea Jorgji, janë tre gjyqtarët kryesorë ndërkombëtarë. I pari është me profesion jurist, i dyti ka mbaruar shkollën për menaxhim dhe Jorgji, si arbitri me më shumë ndeshje ndërkombëtare dhe në nivelin më të lartë të përfaqësimit është me profesion ekonomist. Kreshnik Bajramaj i sipërpërmendur është gjtihashtu ekonomist dhe punonjës banke.

Kur pasioni shpërblehet!
45 mijë lekë përfiton për 90 minuta arbitrim një gjyqtar kryesor, nga 22 mijë asistentët dhe më pas arbitri i VAR-it - 10.000 dhe operatori.

Të gjitha këto shpërblime për punën e bërë në një ndeshje, megjithatë në varësi të vlerësimit të secilit gjyqtar, në varësi të paraqitjes që bën në ndeshje, shihet edhe angazhimi i tij, por shpesh gabimet e tyre bëjnë që ata penalizohen me disa javë pushim.

Arbitrimi një profesion i dalë mode!
Pavarësisht se flitet për shifra që në vendi tonë janë në nivelet e rrogës mesatare, ndërkohë që bëhet fjalë për një punë part-time (me kohë të pjesshme), ky lloj profesioni është gjithmonë e më pak i preferuar.
Një dukuri e arbitrave që në të vërtetë shihet në të gjithë Europën jo vetëm në vendin tonë, kur kërcënimet arrijnë në përndjekje, pengmarrje dhe në rastin më të mirë me ryshfete të pandershme.

Tabela e UEFA-s, qe tregon mungesen e arbitrave ne Europe. Gazeta Si, 13 prill 2023

Në një nga informacionet e siguruara nga Gazeta Si në lidhje me këtë çështje ka qenë vetë UEFA, e cila në një nga mbledhjet e fundit ka ngritur alarmin për uljen e numrit të gjyqtarëve në të gjithë Europën.
Aktualisht, sipas UEFA-s, janë në dispozicion 221.870 arbitra në të gjithë Europën, ndërkohë që duhen në bazë të ndeshjeve që zhvillohen 298.538, duke krijuar në këtë pikë që në fillim një hendek prej 76.500 gjyqtarësh.

Pagesat e arbitrave nga UEFA sipas kategorive. Gazeta Si, 13 prill 2023

Dhe ndër arsyet kryesore që liston UEFA është pikërisht abuzimi me arbitrat, dhuna apo presioni që është rritur ndaj tyre. Një fenomen ky qartazi problematik kudo, jo vetëm në Shqipëri. Megjithatë ne, si në çdo gjë, kemi stilin tonë, më brutal, më agresiv, çdo gjë më të degraduar drejt dhunës dhe frikës, duke iu drejtuar së keqes, si habitati më normal i yni.

Pagesat e arbitrave nga UEFA sipas rendesise se ndeshjeve. Gazeta Si, 13 prill 2023

Dhe e gjithë kjo ndodh, sepse ne jemi mësuar nga politika, që zë pjesën më të madhe të hapësirave medatike, televizive apo të shkruara, që zbret deri te sporti, që kundërshtari fyhet, rrihet, apo edhe vidhet po të jepet mundësia. Thjesht duam të fitojmë, me çdo kusht e në çdo formë, pa mësuar dhe pa pranuar kurrë humbjen.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë