Futboll

Partizani merr Hilën, Skënderbeu shet Xhejms Adeni

Lëvizje në merkaton e skuadrave të mëdha të Superiores, në hyrje dhe në dalje. Kukësi, që merr pjesë në Champions League pas dënimit të Skënderbeut, ka qenë ekipi më aktiv deri tani dhe ka bërë përforcime më shumë se të tjerët. Edhe Luftëtari, që për herë të parë në historinë e tij do të luajë në Europë, ka marrë disa lojtarë të huaj dhe një trajner slloven.

Partizani dhe Skënderbeu kanë bërë sot dy zyrtarizime të rëndësishme, por në kahe të kundërta. Partizani ka firmosur me mesfushorin Ardit Hila, elbasanasin që konsiderohet si lojtari i duhur për të zëvendësuar kapitenin Idriz Batha, i larguar pak ditë më parë nga të kuqtë. Hila është aktivizuar me Teutën sezonet e fundit dhe ka qenë një nga titullarët më të rëndësishëm të saj. 25-vjeçari nënshkroi kontratën 1-vjeçare, me të drejtë rinovimi edhe për një vit tjetër, në praninë e Drejtorit të Përgjithshëm të klubit, Olsi Ramës.

Hila foli shkurt për faqen e klubit, duke theksuar përgjegjësinë që të imponon fanella e Partizanit. Ai premtoi maksimumin për ekipin e ri dhe shprehu bindjen se të kuqtë do të kthehen te trofetë e munguar në sezonin e ri.

Në krahun tjetër, Skënderbeu ka kompletuar transferimin e sulmuesit nigerian Xhejms Adeni në Azerbajxhan, te skuadra e Gabalas. Me këtë skuadër u zyrtarizua disa ditë më parë edhe Sabien Lilaj, mesfushori korçar i Skënderbeut dhe Kombëtares. Por ndryshe nga Lilaj, të cilit i kishte përfunduar kontrata dhe kaloi me parametra zero në ekipin azer, Xhejms është shitur nga klubi korçar për shifrën e 350 mijë eurove.

Një shifër e konsiderueshme kjo për Skënderbeun, që e kishte nën kontratë sulmuesin nigerian deri në fund të vitit 2018. Klubi korçar është dalluar vitet e fundit për shitjen e lojtarëve në kampionate të huaja. Pak muaj më parë u shit Kristal Abazaj te Anderlehti në Belgjikë, ndërkohë që më parë janë shitur Liridon Latifi në Hungari, Bernard Berisha në Rusi, Agim Zeka në Francë dhe Piter Olajinka në Belgjikë.

Merkato e kësaj vere pritet të jetë interesante, pasi janë disa skuadra me pretendime madhore për sezonin e ri.     


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë