Sport

Partizani merr kreun, por janë ende 4 ekipe në garë për titullin kampion

Gara për titullin kampion të Kategorisë Superiore shtyhet për në dy ndeshjet e fundit. Partizani ishte shumë i fortë për Teutën dhe durrsakët u dorëzuan në fushën e tyre përballë “Demave të kuq”, që morën një trepikësh parakalimi.

Goli vendimtar u shënua nga Cinari në minutën e 24 të ndeshjes dhe kaq i ka mjaftuar skuadrës së Ilir Dajës që të largohet nga Niko Dovana me tre pikët e arta në xhep dhe nga Durrësi si kryesuesja e re e Kategorisë Superiore, edhe pse me 62 pikë, po aq sa edhe Teuta.

Ndërkohë, edhe Laçi e Vllaznia mbajnë ende gjallë shpresat e titullit kampion. Kurbinasit fituan 0-1 ndaj Tiranës që i ka mbyllur llogaritë në këtë kampionat dhe luan sa për statistikë, ndërsa shkodranët mposhtën Kastriotin, që e sheh veten edhe më thellë në ujërat e turbullta mes Kategorisë Superiore dhe Kategorisë së Parë.

Si Laçi, ashtu edhe Vllaznia e shohin vetën në kuotën e 60 pikëve, dy më pak se Partizani e Teuta. Java e ardhshme do të jetë gjithashtu përcaktuese, pasi Laçi pret në shtëpi Teutën, ndërsa Partizani pret Vllazninë.

Java e fundit është më e lehtë për Partizanin dhe Teutën, që luajnë përkatësisht ndaj Bylisit dhe Apollonisë, ndërsa Laçi e Vllaznia do të përballen me njëra-tjetrën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë