Politike

Ligji për betimet, Presidenca: KÇK kushtetuese. Meta do të flasë pasdite

Presidenti Ilir Meta do të thërrasë një komunikim me gazetarët në orët e pasdites së kësaj të enjteje për të shtjelluar edhe më tej qëndrimin e tij në lidhje me ligjin e kaluar nga mazhoranca që e zhvesh nga kompetencat e betimit të anëtarëve të Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese.

Përmes zëdhënësit Tedi Blushi, Presidenca nënkupton se ligji në fjalë bie ndesh me Kushtetutën, që nga mënyra sesi u miratua.

“Së pari, dua të shpreh çudinë e madhe që ky ligj miratohet në errësirë të plotë, vetëm pak orë para fillimit të takimeve të Komisionit të Venecias në Tiranë, të thirrur nga vetë Kuvendi, që tregon një mungesë serioziteti të plotë, panik për ngut dhe fakt të kryer. Pra KAP ÇFARË TË KAPËSH”, shkruan zëdhënësi i Presidencës, Tedi Blushi.

Së dyti, Presidenca thotë se nuk përbëjnë më lajm ligjet e kaluara në kundërshtim me Kushtetutën, por ato që miratohen në përputhje me të dhe akuzon Parlamentin se ka dhunuar sistematikisht ligjin themeltar të vendit.

Paraditen e sotme, Presidenti do të presë ekspertët e Venecias, që ndodhen në Tiranë me mision faktmbledhës për hartimin e opinionit final në lidhje me përplasjen për emërimet në Gjykatën Kushtetuese. Ata do të takojnë gjithashtu edhe kreun e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani, të cilin Meta e ka paditur penalisht për përvetësim të kompetencave dhe drejtim të një grupi të strukturuar kriminal që synon kapjen e sistemit të drejtësisë.

Sa i takon takimit me gazetarët pasdite, zëdhënësi i Presidentit thotë se Ilir Meta do të flasë edhe për qëllimin e vërtetë të ligjit për krye-KÇK-në.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë