Futbolli po jeton kohë të çuditshme, kur merkatoja është çmendur, gati-gati ka humbur logjikën e vlerës së një lojtari, në raport me një tjetër më të fortë ose më të dobët. Milionat e eurove fluturojnë çdo ditë e më shumë, por ajo që është paradoksale ka të bëjë me faktin se po u shkojnë edhe futbollistëve, të cilët kurrë nuk e kanë veshur fanellën e kombëtares së tyre, edhe pse janë super të kushtueshëm në këtë moment. Ndoshta këtu ka pjesën e vet edhe fati, që në sport është shumë i rëndësishëm. Në top listën e lojtarëve me kosto të lartë dhe që ende nuk kanë luajtur me kombëtaren ka edhe emra të njohur, që do t’ju befasojnë…
10.Abdu Dialo duket i destinuar për të zënë një vend, herët a vonë, te kombëtarja e Francës. Është vetëm 22 vjeç dhe ka qenë kapiteni i Francës U-21. Rreth 27 milionë euro vendosi të shpenzonte për këtë lojtar Borusia e Dortmundit, që e bleu nga Monako mbrojtësin e qendrës. Lojtari i së ardhmes në Europë dhe te kampionët e rinj të botës, që ende nuk e kanë ftuar në kombëtare.
9.Spanjollin Fabian Ruiz do ta shohim në vazhdim në Serinë A me fanellën e Napolit, që bleu për 30 milionë euro nga Betisi. Presidenti De Laurentis vendosi ta paguajë klauzolën e prishjes së kontratës për trekuartistin, i cili me siguri do të fitojë një vend te “Furitë e kuqe”. Për momentin bën ende pjesë tek ata që nuk e kanë veshur fanellën e kombëtares.
8.Antoni Modeste, sulmuesi që i ka kaluar 30 vjeç dhe nuk ka provuar të luajë asnjë ndeshje me Francën. Në fakt, e ka pasur shumë të vështirë, kur kujton që edhe Benzema ka ngelur jashtë. Në këtë listë francezi mban vendin e tetë, falë 35 milionë eurove që kinezët e Tianjin Quanjian paguan tek ekipi i Këlnit për ta marrë në vitin 2017.
7.Klement Lenglet është 23 vjeç dhe e ka karrierën përpara, por edhe ai nuk ka shijuar asnjë grumbullim me kombëtaren e Francës. Sapo e ka blerë Barcelona, që ka derdhur në arkën e Seviljes 36 milionë euro për të paguar kaluzolën e tij. Tani e tutje do të stërvitet bashkë me Samuel Umtitin te kalatalanasit, me të cilin mund të përbëjë dyshen e qendrës së mbrojtjes së Barcelonës, ndoshta dhe të Francës.
6.Sërish një lojtar i Barcelonës dhe sërish i blerrë në vitin 2018. Plot 40 milionë euro ka shpenzuar klubi blaugrana për mesfushorin Artur, që vjen nga Gremio. Një shpenzim i bërë me bekimin e Ksavit dhe atij që Artur do të zëvendësojë, Andres Iniestës. Braziliani është një makineri pasimesh dhe duke luajtur te Barcelona, mund të fitojë edhe Seleçaon.
5.Malkom dhe 41 milionët eurot e shpenzuara nga Barcelona e rendisin në vend të pestë në këtë klasifikim. A do të arrijë sulmuesi anësor të bëjë për vete “Camp Nou”-n, apo do të përfundojë në stol, duke rrezikuar të qëndrojë sërish larg fanellës së Brazilit? Gjithçka do të duket gjatë sezonit. Edhe Roma luftoi fort për të.
4.Vinicius është një tjetër brazilian i kësaj liste. Ai është blerë nga Reali i Madridit prej kohësh dhe ka kushtuar plot 45 milionë euro, kur ishte ende 16 vjeç. Djaloshi i ri nuk mund të luante në kombëtaren braziliane që në këtë moshë, por me siguri askush nuk do t’ia privojë në të ardhmen. Gjasat janë që të jetë pjesë e Seleçaos, ndërkohë që mbetet jashtë podit për shkak të moshës.
3.Aleks Teikseira në vitin 2016 ishte shumë pranë kalimit te Liverpuli, por në atë kohë anglezët refuzuan të paguanin te Shakhtari 50 milionë euro. Këtë shifër e pagoi ekipi kinez Jiangsu Suning. Braziliani ka shënuar një numër të konsiderueshëm golash në Kinë, por nuk ka mundur ta bindë stafin e Brazilit për t’i lënë një vend.
2.Riçarlison është afrimi i fundit i Evertonit në Premier League. Një brazilian që lë shumë dyshime për shifrën e shpenzuar dhe për aftësitë që ky lojtar ka vërtet. Paradoksalisht, ish-lojtari i Uotfordit nuk e ka veshur kurrë fanellën e Brazilit dhe nuk është shumë i njohur, dhe pse i ka kushtuar Evertonit 56 milionë euro. Një kosto e lartë, që duhet justifikuar.
1.Nuk mjaftojnë 70 milionë eurot që Pep Guardiola pagoi tek Atletiko Bilbao, që Aimerik Laporte të shkojë në kombëtare. Mbrojtësi nuk është trembur nga shifra e paguar për të dhe e ka marrë seriozisht misionin e tij: të zëvendësojë Pikenë në momentin që katalanasi do të lërë Sapnjën, që deri tani Laporte, i cili ka edhe nënshtetësi franceze, e ka parë vetëm në televizor.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.