Politike

Basha i përgjigjet letrave të Ramës: T’i thërrasë mendjes, ik!

Kryetari i PD, Lulzim Basha gjatë fjalimit para protestuesve të opozitës, iu drejtua ndërkombëtarëve duke thënë se opozita nuk kërkon asgjë më shumë sesa “Një Shqipëri si gjithë Europa”.

Mes thirrje“Rama ik! E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, kryedemokrati tha se fati i Ramës është vulosur. Kryetari i PD u shpreh se zgjedhje pa opozitën do të thotë “përplasje të pashmangshme civile”.

“Nuk ka në Europë politikanë që kanë vjedhur zgjedhjet dhe të mos shkojë në burg dhe para drejtësisë. Njeriu që për pushtetin e tij, futi krimin në Parlament, asgjësoi gjykatat e larta, lëshoi gaz lotsjellës si një kriminel ndaj popullit të vet, nuk duhet të qëndrojë më në krye të vendit, - deklaroi kryedemokrati. - Me këtë regjim, Rama kërkon ta çojë vendin drejt një përplasje të pashmangshme civile, ku do të kapë të gjitha pushtetet, ku do ta çojë vendin si 29 vjet më parë, pa opozitë, ku me figura e shërbëtorë të krimit kap zgjedhjet, por nëse drejtësia s’do të ishte e kapur, ai do ishte në burg”.

Pas disa ftesave publike të Ramës për dialog, Basha u tregua i drejpërdrejtë teksa i kërkoi një përgjigje protestuesve, duke iu thënë: “Dhe para kësaj, më fton mua të kapitulloj… jepjani përgjigjen, ta dëgjojë në Surrel dhe në çdo bunker ku futet”, - tha ai, me turmën në kor thërriste “Rama ik!”.

Basha pati edhe një mesazh për miqtë ndërkombëtarë siç i cilësoi ai, të cilët i këshilloi të shohin edhe më mirë realitetin në Shqipëri.

“Kjo betejë sot bëhet për Shqipërinë, për Europë, ndaj ndërkombëtarët le t’i shtrijnë sytë në këtë shesh dhe të shohin se beteja për vlerat europiane të Shqipërisë po shkon drejt fitores. Shpreh mirënjohjen time të thellë për të gjithë miqtë tanë të huaj, që duan t’i japin fund farsës kriminale, dhe kanë kërkuar që edhe Rama t’i thërrasë mendjes dhe të ketë parasysh zgjidhjen e krizës në vend dhe zgjidhja kalon vetëm mes largimit të pengmarrësit të demokracisë, përdhunuesit serial të zgjedhjeve, Edi Ramës”, - theksoi Basha.

Basha tha më tej se në këto 6 vite e gjysme, “ka patur vetëm krim, korrupsion e hajdutëri, babëzi dhe dhunë ndaj qytetarëve shqiptarë”.

“Ndaj sot e derisa të bëhet realitet, ka vetëm një mesazh nga populli: Rama ik.Ky mesazh buron kudo nga gojët, kraharorët e shqiptarëve, është mesazhi i shkëputjes së Shqipërisë nga kthetrat e një grushti horrash dhe zuzarësh që ka marrë peng Shqipërinë tonë, - vijoi Basha. - Ja ku është mesazhi ynë, Rama ik! Kurrë nuk duam dhe nuk do pranojmë pushtet në tavolinë me Edi Ramën.

Kryemadhi apelon për qetësi: Kujdes nga provokatorët!

Kryetarja e LSI ka ripërsëritur thirrjen e saj për një protest paqësore. Monika Kryemadhi tha se protesta e ka arritur qëllimin e saj dhe Rama tashmë ka rënë.

“Sot në atë shesh, me ato qindra mijëra shqiptarë, protestojmë për socialistët, për policët që qeveria i vendos kundër popullit, për mësuesit dhe mjekët që nuk mund të jenë aty për shkak të kërcënimit. Jemi më të fortë se kurrë dhe të vendosur në rrugën tonë. Ne jemi këtu sepse e duam vendin. Sot tregojmë se jemi vërtetë europiane dhe kjo është mbi dëshirat dhe flamujt politikë. Protesta e ka arritur qëllimin e saj. Deklaratat në favor të opozitës po shtohen. Mjafton të shohësh letrat qeramane të Ramës. Mos vazhdo të provokosh më qytetarët. Lëri qytetarët të qetë dhe largo provokatorët që ka në turmë. Qytetarët të distancohen nga dhuna. Rama ka ikur. Dhuna i jep pikë atij. Zgjedhje nuk do të ketë. Ai e di shumë mirë. Vetëm dhuna i shton jetën atij”


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë