Politike

Pakti me aleatët, PD u vë afat ta nënshkruajnë deri para protestës

Platforma e re politike që Partia Demokratike synon të nënshkruajë me LSI, PR, PDK, PAA dhe LZHK, është nën shqyrtim nga aleatët e saj. Opozita po kërkon që të dalë e bashkuar në zgjedhjet e ardhshme lokale dhe më pas parlamentare.
Drejtuesit e partive kryesore të partive tradicionale të së djathtës si PR, PDK dhe LZHK janë shprehur dakord në parim për nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje politike.

Ndërkohë që sipas burimeve të Gazeta “Si” bëhet e ditur se kryedemokrati Basha i ka kërkuar aleatëve të tij që marrëveshja e mes palëve të firmoset përpara datës 16 shkurt, pra përpara protestës së parashikuar nga ana e opozitës në Tiranë. Të njëjtat burime bëjnë të ditur se dita e enjte, e nesërme shihet si një afat për nënshkrimin e këtij të pakti të ri politik që parashikon realizimin e zgjedhjeve të parakohshme, nëpërmjet një qeverie tranzitore ku kryeministri nuk duhet të jetë Edi Rama.
Aleatët e PD-së e shohin këtë si pjesë të parimeve kryesore që vendosin bazën e një bashkëpunimi të ri politik.

“Padyshim marrëdhënie elektorale të qenësishme për të garantuar një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm dhe e dyta për të garantuar një ndryshim politik që është i domosdoshëm në Shqipëri përballë një situate të papranueshme që ka të bëjë jo vetëm me varfërinë por me kontrollin që ka krimi dhe korrupsioni i lidhur me qeverinë në këtë vend”, do të deklaronte kryerepublikani Fatmir Mediu.

Kreu i PDK-së, Nard Ndoka në një prononcim për Gazeta SI deklaron se “Marrëveshja është parimore, kuptohet se ka vend për reformën zgjedhore, por derisa pika e parë është largimi i Ramës të tjerat nuk kane peshë”.

Kryedemokristiani thekson se reforma zgjedhore mbetet një temë e hapur në kohën e duhur.
Reforma zgjedhore është një kushtet e aleatëve, që sipas tyre është e qenësishme për betejat e ardhshme elektorale. Republikanët kështu kërkojnë një sistem zgjedhor me lista të hapura, ndërsa të tjerët preferojnë një sistem miks.

“Kur të vijë puna për çështjet e Kodit zgjedhor këtu mundet që nuk jemi të gjithë dakord por kjo është një temë që sigurisht do të diskutohet më vonë”, deklaroi Dashamir Shehi i LZHK.

Skeptik për realizimin e kësaj marrëveshjeje është kreu i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka, sa i takon plotësimit të kushtit për krijimin e një qeverie tranzitore.
“Ky pushtet dhe kjo qeveri është ilegjitime. Është shumë e vështirë që të shkohet në zgjedhje me të njëjtën qeveri dhe me të njëjtën qeveri, duhet të shkëputet në mënyrë vendimtare kjo lloj simbioze e lidhjes së kësaj mazhorance në lidhje me krimin dhe kjo mund të arrihet me qeveri tranzitore, por problem është se jemi përballë një fakti se kjo mazhorancë ka 78 vota nuk e di ekzaktësisht, kështu që me kartona kjo qeveri nuk bien”, deklaron Duka.

Agron Duka dhe Lulzim Basha pas takimit në selinë e PD-së/ Foto Arkiv

Sipas tij nuk përcaktohet qartë se kjo platformë bashkëpunimi është për zgjedhjet vendore apo të përgjithshmet.
Sa i përket pikës së trajtimit si të barabartë në zgjedhje të aleatëve, Duka e ka cilësuar se kjo nuk qëndron, pasi PD-ja nuk i ka trajtuar si të barabartë ato në të shkuarën.
“Nuk mund të ketë barazi mes aleatëve pasi edhe pesha e tyre nuk është njëlloj. Unë nuk jam utopist dhe të pretendoj që të kem të njëjtën peshë specifike me PD-në unë nuk pretendoj dhe as aleatët e tjerë më të vegjël se PD-ja të marrin kandidatë për kryetar për Bashkinë njëlloj si PD-ja. Unë kam frikë se PD-ja nuk ka dhënë një shenjë pozitive në të kaluarën që të japë të paktën peshën specifike që kanë partitë e vogla jo më ti shikojë si të barabarta”, theksoi Duka për Gazetën “Si”.
Kryedemokrati po zhvillon takime te veçanta me krerët e partive me qëllimin për të arritur mënyrën e bashkëpunimit në zona të caktuara zgjedhore. “Ne opozita e Bashkuar, ngarkojmë PD-në, si partia më e madhe opozitare në vend, që të realizojë marrëveshje individuale për zgjedhjet dhe bërjen efektive të Koalicionit Opozitar, me të gjitha palët nënshkruese të kësaj Platforme Bashkëpunimi”, thuhet në draftin e shpërndarë nga PD-ja.

Disa nga objektivat e PD-së

Rruga e vetme për të garantuar zgjedhjet e lira dhe të ndershme, është formimi i një Qeverie Tranzitore, me mandat të posaçëm për:
• përgatitjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në Shqipëri;
• realizimine Reformës Zgjedhore dhe ndjekjen e zbatimit të saj, me fokus të veçantë shkëputjen e lidhjes mes politikës dhe krimit, luftën ndaj fenomenit masiv të blerjes së votave, intimidimit kriminal mbi zgjedhësit,si dhe eliminimin e pabarazisë mes partive politike pjesëmarrëse në zgjedhje;
• krijimin e klimës së besimit për zbatimin e Reformës në Drejtësi, jashtë çdo ndërhyrje politike;
• krijimin e kushteve të nevojshme për të përshpejtuar nisjen e negociatave të Shqipërisë për anëtarësimin në Bashkimin Europian dhe ndërmarrjen e çdo Reforme të nevojshme për këtë qëllim.

Faksimile e dokumentit politik të PD-së për marrëveshjen me aleatët

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë