Politike

Skenarët e 16 shkurtit, nga rrethimi i Kryeministrisë tek djegia e mandateve

Mentor Kasa - Lulzim Basha kërkon prej qytetarëve në turet e takimeve nëpër rrethe pjesëmarrjen në protestën e thirrur për më 16 shkurt në Tiranë. Mesazhet që ai përcjell janë të shumta, por dy janë më të qëndrueshmit: që zgjedhje me Edi Ramën nuk mund të ketë dhe që “populli do të marrë në dorë fatet e vendit”.

Kryetari i Partisë Demokratike vlerëson se ai vetë i ka konsumuar fjalimet e tij dhe e sigurtë është që të shtunën e 16 shkurtit nuk do të ketë fjalime, të paktën jo prej tij. Por çfarë do të ndodhë ditën e protestës?

Drejtuesit e partisë në bazë dhe në qendër për momentin janë të përqendruar në takimet dhe bisedat me qytetarët në përpjekje për të bindur sa më shumë prej tyre që të dalin në protestë para Kryeministrisë ditën e shtunë. Sa i takon organizimit dhe kontrollit të një proteste pa një podium fjalimesh gjithçka mbetet ende në diskutim.

Deputetët dhe drejtuesit e tjerë të PD-së do të jenë mes njerëzve dhe mungesa e fjalimeve nuk e përjashton mundësinë që protesta të jetë e zhurmshme. Lulzim Basha thotë se dhuna si mjet për të larguar Edi Ramën përjashtohet nga Partia Demokratike, por jo nga populli.

“Zgjidhja institucionale që ne kemi propozuar është largimi i politikanëve të lidhur me krimin. Pra t’i presim kokën dhe jo këmbët. Nëse kjo nuk ndodh atëherë popullit i lind e drejta ta rrëzojë këtë qeveri. Asnjë partie politike në bindjen time, në demokraci s’mund të kërkojë rrëzimin e qeverisë me të gjitha mjetet. Por populli i ka të gjitha mjetet ta rrëzojë çdo qeveri me të gjitha mjetet dhe në emër të themeleve të bashkëjetesës demokratike”, deklaronte ai në emisionin “Opinion” gjatë një interviste të dhënë në tetorin e 2018.

Kjo do të thotë se përdorimi i forcës për t’i dërguar një sinjal Edi Ramës ditën e shtunë me gjasa do të jetë plotësisht në duart e protestuesve, ndërsa dhe në bazë të pjesëmarrjes së tyre do të përcaktohet edhe aksioni politik i opozitës.

Zëra nga Partia Demokratike pohojnë se të shtunën synohet rrethimi i Kryeministrisë nga protestuesit dhe nëse protesta do të jetë masive aq sa ç’janë pritshmëritë e demokratëve, të dielën mund të ndodhë vendimi ekstrem i heqjes dorë nga mandatet e të gjithë deputetëve të PD-së.

Ky është njëri prej skenarëve, që kushtëzohet nga numri i pjesëmarrësve në shesh ditën e protestës. Nëse ky skenar nuk realizohet ‘Plani B’ është gati. Partia Demokratike mund të vendosë thirrjen e protestave periodike në Tiranë dhe organizimin e protestave të vazhdueshme nëpër rrethe, pa përjashtuar bllokimin e rrugëve, si formë të mosbindjes civile.

Këta janë dy prej shumë skenarëve të mundshëm që qarkullojnë për 16 shkurtin dhe aksionin opozitar pas tij dhe që të dy ata të çojnë në bojkotin e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit me Edi Ramën Kryeministër. Këtë e ka përjashtuar që shpejt edhe Lulzim Basha. Ai thotë se PD po përgatitet edhe për zgjedhje vendore, edhe për zgjedhje të përgjithshme dhe kur pyetet sesi do të realizohen zgjedhjet e përgjithshme të parakohshme këmbëngul se ky është një proces, që qytetarët do ta marrin në dorë.

Basha përjashton një 17 maj të dytë me Edi Ramën.

“Nuk ka për të patur asnjë lloj negociate apo marrëveshje me Edi Ramën. Qëllimi ynë është që Rama të largohet nga politika dhe të çohet para drejtësisë për krimet e tij ndaj shqiptarëve. Edhe Donika Prela do të shkojë para drejtësisë, edhe Arta Marku do të shkojë para drejtësisë”, këmbëngul ai.

Ndërkohë ndërkombëtarët dhe në mënyrë të veçantë, gjermanët, janë duke zhvilluar biseda me drejtuesit e opozitës në prag të protestës së të shtunës. Ministri gjerman i shtetit, Michael Roth bëri një apel publik gjatë një interviste për DË, se dëshiron që protestat e paralajmëruara të jenë paqësore dhe të mos kthehen në dhunë.

“Demonstratat paqësore janë legjitime dhe liria e tubimit është një shtyllë e rëndësishme e kulturës së politikës demokratike. Si student edhe unë kam marrë pjesë në demonstrata. Por vendi qendror i debatit politik midis qeverisë dhe opozitës është parlamenti shqiptar dhe jo rruga. Kjo është arsyeja pse i bëj thirrje opozitës: Shqipëria ende ka detyra të mëdha përpara, të cilat kërkojnë një bashkëpunim të të gjitha forcave politik”, tha ai.

Nga ana tjetër, ambasadorët e BE-së dhe OSBE-së i kërkuan Bashës miratimin e reformës zgjedhore në fillim të vitit, ndërsa kreu i PD i ktheu përgjigje edhe publikisht. Gjithsesi ditët deri të shtunën do të jenë edhe me të intensive dhe faktori ndërkombëtar do të jetë shpesh në zyrën ose telefonin e Bashës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë