Politike

Protestat për rrëzimin e Ramës, apo për pazarin e radhës?

Marrja e pushimeve verore në gusht të vitit të kaluar e gjeti opozitën pa një plan të përbashkët për vjeshtën, si për aksionin që duhej ndjekur në misionin për të larguar Edi Ramën, ashtu edhe për bashkëpunimin në zgjedhjet vendore të këtij qershori.

Vjeshta vijoi me bojkotin parlamentar, që opozita e cilësoi “qëndrim i kushtëzuar”. Megjithatë, opsioni i protestave në rrugë ka qenë gjithmonë i shtruar në tryezat e përbashkëta të partive opozitare, por përgjatë gjithë vjeshtës nuk u materializua asnjëherë, përveç përpjekjeve për t’iu afruar protestës studentore në muajin dhjetor, përpjekje që dështuan me sukses dhe të vetmin rezultat që dhanë ishte thyerja e bojkotit dhe hyrja në seancë parlamentare në limitet e afatit të djegies së mandateve.

Tani, sipas opozitës janë pjekur kushtet dhe plani i hartuar nga Partia Demokratike nis me protesta nëpër rrethe dhe më pas thirrjen e një proteste masive dy ditë pas Shën Valentinit, pra më 16 shkurt.

PD thotë se nuk kërkon as më pak dhe as më shumë se largimi i Edi Ramës dhe formimin e një qeverie teknike që do ta çojë vendin në zgjedhje të reja, sipas saj, të lira e të ndershme. Në këtë plan s’ka sesi të mos artikulohet ambicia për pushtet, fundja pushteti është objektivi kryesor i një partie politike opozitare.

Por, përballë ambicies opozitare qëndron Edi Rama. Për të pushteti diskutohet vetëm në zgjedhjet parlamentare, që janë në 2021. “Ne e vetmja gjë që nuk mund t’i ofrojmë Partisë Demokratike dhe simotrës së saj LSI është pushteti. Të tjerat janë të gjitha për diskutim. Nuk kemi asnjë problem”, deklaronte ai në muajt e verës së shkuar.

Edi Rama ishte i detyruar që të shtrinte dorën e bashkëpunimit, nisur edhe nga presioni ndërkombëtar dhe nevoja për të kaluar në Parlament ndryshimet ligjore për statusin e prokurorëve dhe gjyqtarëve, një hap jetik për të shmangur ngërçin në sistemin e drejtësisë, që kishte nisur të boshatisej nga procesi i vettingut.

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/10156000692216523/

Në ato ditë, Kryeministri fliste për hartimin e një strategjie bashkëpunimi, që do të ishte gati në muajt e vjeshtës. Nuk dihet se çfarë u bë me këtë strategji, a u hartua apo jo, por mund të flitet me bindje se me afrimin e zgjedhjeve vendore kjo fjalë mund të shqiptohet sërish nga Edi Rama.

Por, përvoja e bisedimeve dhe marrëveshjeve në të shkuarën na mëson se kur vjen puna tek marrëveshje të sforcuara nga klima e polarizuar politike, më shumë se për strategji, aktorët kryesorë të politikës shqiptare diskutojnë pazare. Dy janë më të bujshmet dhe në të dyja ato ka qenë protagonist Edi Rama, njëherë si opozitar dhe njëherë si Kryeministër. E para ndodhi në 2008, kur në tryezë me Sali Berishën ndryshoi Kushtetuta dhe Kodi Zgjedhor. Marrëveshja u shit si përpjekje për të shmangur mazhorancat e brishta në të ardhmen, por në të vërtetë ishte një goditje për partitë e vogla, që u leverdiste të dyja palëve.

Marrëveshja e dytë është më e freskët. Këtë herë, Edi Rama Kryeministër kishte Lulzim Bashën përballë. Edhe atë vit, në prag Shën Valentini, Partia Demokratike nisi protestën e saj në çadër me sloganin “Republika e Re”. Çadra u mbyll me paktin e famshëm të 17 majit 2017. Pjesë e marrëveshjes ishte shtyrja e datës së zgjedhjeve me një javë dhe marrja e posteve kyçe në administrimin e procesit nga ana e opozitës. Ujdia u nënshkrua pasi ishte tejkaluar afati i parashikuar në Kodin Zgjedhor për ndërtimin e koalicioneve dhe partitë garuan të vetme më 25 qershor.

Lulzim Basha gjate protestes se PD-se para zgjedhjeve parlamentare te 2017-es

Rezultati i atyre zgjedhjeve dihet dhe megjithëse pas paktit me Edi Ramën, Lulzim Basha fliste për garanci për zhvillimin e një procesi të drejtë dhe të lirë, pas zgjedhjeve nisi gradualisht akuzat për manipulim, shit-blerje masive të votës me paratë e drogës dhe të tjera parregullsi.

Ky ishte produkti që mori Partia Demokratike në vitin 2017 në fund të protestës së saj tremujore në çadër me sloganin “Republika e Re”. Tani, një skenar i ngjashëm paralajmërohet, por me disa ndryshime. Ndryshimi i parë dhe kryesor është që në këtë protestë parazgjedhore, ndryshe nga 2017, LSI-në e gjen në opozitë dhe në krah të PD-së.

Ndryshimi tjetër, jo më pak i rëndësishëm është fakti që zgjedhjet e këtij viti janë “e treta e vërteta” për Lulzim Bashën. Qëkur ai ka marrë detyrën e kryetarit të PD-së vendi ka votuar dy herë dhe në të dyja rastet PD ka regjistruar jo vetëm si numër mandatesh e kryebashkiakësh, por edhe si votë popullore rezultate më shumë se zhgënjyese.

Prandaj, këto zgjedhje mund të mos jenë vendimtare për karrigen e Lulzim Bashës në krye të PD-së, por humbja e tyre ka nisur të interpretohet që tani si “mundësia e fundit” për të. E gjitha kjo dhe mosbesimi i opozites se me Edi Ramën Kryeministër mund të realizohen zgjedhje të lira e të ndershme, mund të përforcojë vendosmërinë e tij për të protestuar dhe për një bojkot të mundshëm të zgjedhjeve të 30 qershorit, nëse nuk merr më parë garanci më të mëdha se ato të 2017-ës.

Tani dilemat që ngrihen janë: Çfarë do të prodhojë protesta e opozitës? A do të prodhojë ajo largimin e Edi Ramës? Do të prodhojë një marrëveshje dinjitoze e të drejtë që do të kënaqë të gjitha palët, apo do të prodhojë pazarin e radhës?


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë