Ne rrjet

Pajtim apo amnisti, a do t’i falë Zaev sulmet e përgjakshme?

“Falje për 27 prillin!” Opozita nacionaliste e Maqedonisë e ka thënë tanimë me zë lartë “shpërblimin” që kërkon në këmbim të mbështetjes së marrëveshjes se emrit.

Ndërkohë që qeveria e kryeministrit Zoran Zaev ka propozuar  “pajtim kombëtar”, opozita është duke kërkuar amnisti ligjore për të gjithë deputetët që u përfshinë në sulmet e përgjakshme ndaj deputetëve shqiptarë dhe maqedonas në parlament, vitin e kaluar. Kryetari shqiptar i parlamentit maqedonas, Talat Xhaferi, do të udhëheqë një komision të ri parlamentar që ka për detyrë gjetjen e një mënyre për të arritur pajtimin kombëtar pas krizës së gjatë politike që ka pushtuar vendin fqinj.

Themelimi i komisionit ishte një nga kushtet e vendosura nga disa deputetë të opozitës për të votuar pro ndryshimeve kushtetuese që mundësojnë zbatimin e marrëveshjes historike me Greqinë. Edhe pse Xhaferi ka ftuar krerët e të gjitha grupeve parlamentare për të marrë pjesë në komision, partia kryesore e opozitës VMRO DPMNE, deputetët dhe simpatizantët e të cilës janë duke u gjykuar për sulmet ndaj parlamentit, e kanë refuzuar ftesën.

Zëdhënësi i VMRO DPMNE-së, Naum Stoilkovski tha se partia e tij nuk do të marrë pjesë në një komisionin, i cili do të siguronte sipas tij, drejtësi selektive vetëm për deputetët e opozitës që morën pjesë në votimin për ndryshimet kushtetuese. Ai tha se partia e tij nuk ishte penduar që përjashtoi “tradhtarët” nga radhët e saj.

VMRO DPMNE tha se do të paraqesë projekt-ligjin e vet për amnistinë e 33 të deputetëve dhe simpatizantëve që po akuzohen se kanë venë në rrezik rendin kushtetues, duke sulmuar deputetët e LSDM-së dhe partive shqiptare në parlament. Ngritja e komitetit të pajtimit, i cili do të ketë 30 ditë kohë për të hartuar një propozim fillestar, u kërkua nga tetë deputetët e opozitës, që dolën kundër udhëzimeve të partisë së tyre dhe votuan pro propozimeve për zbatimin e marrëveshjes së “emrit”.

Sulmi ndaj parlamentit maqedonas në prill të vitit të kaluar 

Katër prej tyre janë aktualisht në gjyq, tre për përfshirjen e në sulmin e përgjakshëm ndaj parlamentit dhe një për korrupsion. Kryeministri Zoran Zaev i cili pranoi formimin e komisionit të pajtimit, zgjodhi me kujdes fjalët e tij në përgjigje të iniciativës së VMRO DPMNE për të kërkuar amnisti. “Shansi për pajtim nuk do të thotë ndërhyrje në gjyqësor”, u shpreh Zaev. "Nuk duhet ta shkatërrojmë sundimin e ligjit duke kërkuar amnisti," shtoi ai.

Duke vënë në dukje se reformat gjyqësore të Maqedonisë dhe sundimi i ligjit janë nën syrin vigjilent të Bashkimit Europian, Zaev tha se "ende nuk ka gjetur hapat, metodat dhe mënyrën për një pajtimin kombëtar pa rrezikuar vlerat thelbësore të drejtësisë”.

Përçarjet politike në Maqedoni arritën kulmin në prill të vitit 2017, kur mbështetësit e VMRO DPMNE-së e sulmuan parlamentin duke plagosur rreth 100 persona, përfshirë edhe deputetët, në përpjekje për të parandaluar zgjedhjen e Talat Xhaferrit si kryetari i ri parlamentit dhe formimin e një qeverie të re të udhëhequr nga Zaev.

Besa Arifi, profesoreshë e shkencave juridike në Universitetin e Europës Juglindore në Tetovë, tha se iniciativa e parlamentit për pajtim mund të "kontribuojë në një të mirë më të madhe në shoqërinë maqedonase".

Por Arifi paralajmëroi se pajtimi nuk duhet të ngatërrohet me kushtet ligjore të amnistisë dhe faljes, për të cilën ajo mendon se "nuk do ta ndihmojnë Maqedoninë në përmirësimin e sundimit të ligjit".

Deputetët  e VMRO DPMNE-së bojkotojnë votimin për ndryshimet kushtetuese

Pajtim, amnisti apo falje?

Puna e komisionit të pajtimit do të zhvillohet paralelisht me dy fazat e ardhshme të miratimit të ndryshimeve kushtetuese, të cilat do të ndiqen nga dy raunde votimi në parlament. Mes pasigurive dhe spekulimit në lidhje me qëllimin e vërtetë të komisionit të parlamentit, Saso Ordanoski, një gazetar i njohur maqedonas paraqiti një skenar të mundshëm në një artikull të publikuar të enjten. Sipas tij, procesi i pajtimit do të përfshinte marrjen e një vendimi për sulmin ndaj parlamentit, për të cilin do të duheshin disa muaj të tjerë.

"Pastaj, si rezultat i konsensusit më të gjerë politik mbi pajtimin kombëtar, presidenti i sapozgjedhur (Maqedonia do të mbajë zgjedhjet presidenciale në pranverën e ardhshme), mund të fillojë një procedurë për faljen e të dënuarve," shkraun Ordanoski. “Falja do të jepej vetëm për ata që bashkëpunuan me autoritetet gjatë gjykimit, duke zbuluar një tablo më të madhe rreth dhunës në parlament dhe duke dhënë informacione në lidhje me organizatorët e mundshëm të sulmit. Në këtë mënyrë, integriteti ligjor i Maqedonisë do të ruhej dhe nisma për falje dhe pajtim do të merrte një kornizë të civilizuar politike” shton gazetari.

Falja për ngjarjet e 27 prillit u sinjalizua fillimisht nga kryeministri Zaev, gjatë një seance parlamentare para votimit të se premtes për ndryshimet kushtetuese. “Është koha që të lemë mënjanë lojërat politike partiake dhe të ecim përpara  për interesin tonë të përbashkët. Dua të dërgoj një mesazh falje dhe pajtimi për ngjarjet që ndodhën më 27 prill. Unë e di se kjo ka çmim, por jam i gatshëm të marr përsipër kostot politike. Politikanët shkojnë dhe vinë, por shteti dhe populli mbeten përgjithmonë”, deklaroi Zaev.  

Sulmi ndaj parlamentit maqedonas në prill të vitit të kaluar 

Edhe pse kjo deklaratë u interpretua si një sinjal se ai dhe qeveria e tij janë gati t’u ofrojnë amnisti të gjithë deputetëve dhe eksponentëve që u përfshinë në sulmin e dhunshëm të parlamentit, në këmbim të votave, deputetë të LSDM-së deklaruan më vonë se ky nuk ishte qëllimi i kryeministrit

Sulmi ndaj parlamentit në prill të vitit të kaluar vazhdon të mbetet një plagë delikate për politikën maqedonase. Dhuna shpërtheu mes tensioneve të larta politike në vend, gjatë të cilave protestuesit nacionalistë sulmuan parlamentin, duke dhunuar Kryeministrin Zaev dhe dhjetëra deputetë të tjerë. Dokumentet e publikuara nga inteligjenca maqedonase tregojnë se të paktën një agjent i inteligjencës serbe ishte i pranishëm gjatë sulmit.

Në mars të këtij viti, prokuroria akuzoi 30 persona për terrorizëm, duke përfshirë edhe ish-zyrtarë të lartë dhe deputetë aktual të VMRO DPMNE. Gjyqi është ende në zhvillim ndërkohë që Gruevski dhe figura të tjera të larta të opozitës janë aktualisht nën hetim nga një prokuror i posaçëm për akuzat që përfshijnë shpërdorimin e detyrës dhe pastrimin e parave. Sfida që rëndon tanimë mbi supet e Zaev është më e madhe, pasi duket e do të duhet të zgjedhë midis marrëveshjes me Greqinë dhe drejtësisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë