Gazeta Si – Pas Adnan Xholit, Rovena Zoto është zyrtarisht kandidatja e dytë që hyn në garë për postin e Prokurorit të Përgjithshëm.
Zoto ka dorëzuar dokumentacionin pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP), duke formalizuar kandidaturën e saj për drejtimin e organit të akuzës.
Aktualisht, Rovena Zoto ushtron detyrën si prokurore pranë Prokurorisë së Tiranës. Ajo është emëruar prokurore në vitin 2010, pas përfundimit të Shkollës së Magjistraturës.
Gjatë karrierës së saj, Zoto ka shërbyer në Prokurorinë e Lushnjës, Fierit dhe Tiranës. Ajo ka hetuar kryesisht çështje që lidhen me pastrimin e parave, financimin e terrorizmit, krimet financiare dhe hetimet pasurore.
Së fundi, prokurorja 43-vjecare ishte në krye të një hetimi që në bashkëpunim me partnerët austriakë zbuloi dhe goditi një rrjet “Call Center”-ash mashtrues në Tiranë, që mendohet tu kenë zhvatur qytetarëve evropianë deri në 50 milionë euro.
Një hetim kompleks gati 2-vjecar që vuri para përgjegjësisë penale deri tek bosët që drejtonin skemën, siç ishte Granit Pepnika, i arrestuar në fillim të këtij muaji në një vilë luksoze në Dhërmi.
Një ditë më parë, kandidaturën për postin e Prokurorit të Përgjithshëm e depozitoi edhe prokurori i SPAK, Adnand Xholi. Kështu, deri më tani, gara për këtë post numëron dy kandidatë.
Afati për dorëzimin e kandidaturave për postin e Prokurorit të Përgjithshëm përfundon më 1 gusht, në orën 00:00. Deri atëherë pritet të paraqiten edhe kandidatë të tjerë.
Më pas, KLP-ja deri më 14 gusht do të verifikojë nëse kandidatët që shprehin interes, i plotësojnë kushtet ligjore.
Sipas ligjit, KLP i propozon Kuvendit tre kandidatë, ndërsa Prokurori i ri i Përgjithshëm zgjidhet nga Parlamenti për një mandat 7-vjeçar.
Gara për kreun e Prokurorisë së Përgjithshme vjen pasi drejtuesit aktual Olsian Çelës i përfundon mandati në muajin dhjetor.
Posti i Prokurorit të Përgjithshëm ka një mandat 7-vjeçar, i cili nuk mund të rinovohet.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje