Politike

Pa draft që hap listat plotësisht, Kuvendi nis shqyrtimet për Kodin Zgjedhor të hënën

Socialistët do të nisin ditën e hënë diskutimet në Komisionin e Ligjeve për të reflektuar në Kodin Zgjedhor ndryshimet kushtetuese të miratuara në fund të muajit korrik për çështjen e listave dhe koalicioneve.

Njoftimi është dhënë nga kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, që në përfundim të mbledhjes së kësaj të premteje të këtij Komisioni tha se nga e hëna do të nisë diskutimi i drafteve të paraqitura në Kuvend për këtë çështje.

Në tryezë janë dy drafte, ai i Partisë Socialiste dhe ai i një pjese të opozitës parlamentare. PS propozon një prag elektoral prej 3 për qind dhe që renditja e kandidatëve të mos jetë alfabetike, por me numër shifror, që u mundëson kryetarëve të partive që ta përcaktojnë vetë radhën e kandidatëve në fletën e votimit, nga numri një, deri në numrin e fundit të mandateve që dalin nga një qark.

Për shpërndarjen e mandateve PS propozon që të kihen parasysh tre elementë, ku renditja shifrore e dorëzuar në KQZ nga partitë politike është përcaktuese. Elementi i dytë është numri i votave parapëlqyese që ka marrë secili kandidat dhe elementi i tretë numri i votave që i janë dashur subjektit politik për të nxjerrë një mandat deputeti në zonën zgjedhore përkatëse.

Ndërthurja e këtyre elementëve e bën të vështirë ndryshimin e renditjes së kandidatëve që partitë politike kanë dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, pasi praktikisht, që një kandidat të ngjisë shkallët në renditjen shifrore të listës i duhet të sigurojë më shumë vota se numri i votave që i janë dashur partisë për të siguruar një mandat në një zonë të caktuar zgjedhore.

Si shembull, në Tiranë X parti nxjerr një mandat me 15 mijë vota. “Kandidatit B” i rënditur i dyti në listë merr më shumë vota parapëlqyese se “Kandidati A”, i renditur i pari në listë, por më pak se 15 mijë vota. Në këtë rast, renditja nuk do të ndryshonte, pasi “Kandidati B” nuk ka plotësuar elementin e tretë të shpërndarjes së mandateve.

PS e mbron këtë formulë duke argumentuar se ajo zgjidh problematikën që mund të shfaqet në rastet kur votuesit refuzojnë që të hedhin votën parapëlqyese për kandidatët, por votojnë vetëm partinë.

Ndërkohë, të enjten në Kuvend Myslim Murrizi në emër të 8 deputetëve ka depozituar një draft ku fillimisht kërkohet që pragu elektoral të jetë 1% dhe jo 3 siç është parashikuar në draftin e PS-së. Por, as drafti i opozitës parlamentare nuk i hap 100 për qind listat. Në të propozohet që “lista shumëemërore duhet të ketë të përcaktuar vendet e listës që nuk i nënshtrohen votimit parapëlqyes dhe numri i këtyre vendeve mund të jetë nga zero deri në jo më shumë se një e treta, e numrit të përgjithshëm të listës.

Sipas propozimit të Murrizit, kryetari i partisë gjithashtu mund të garojë në disa zona. “Kandidati për deputet i regjistruar në një listë shumëemërore në një zonë zgjedhore, përjashtuar kryetrari i partisë, nuk mund të regjistrohet si i tillë në një zonë tjetër zgjedhore”, thuhet në draft.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë