Treg

OSHEE kërkon rritjen e tarifave të energjisë për 3 kategori biznesesh

OSHEE ka kërkuar rritjen e tarifës së energjisë për tre kategoritë e biznesit, pak kohë pas shpalljes së krizës energjitike në vend.

Bizneset e lidhura me me tension 35 kilovolt që paguajnë tani 1.5 lekë do të paguajnë 2.61 lekë.  Bizneset e lidhura me 20 kilovolt nga 3.9 lekë do të bëhet 3.99 lekë, me 2.3% rritje.  Po kështu tarifa e shpërndarjes për ata që janë të lidhur në tension 0.4 është kërkuar që të shkojë në 6.63 lekë duke pësuar një rritje dramatike nëse miratohet nga ana e ERE.

Tarifa mesatare e shpërndarjes që aktualisht është 4.79 lekë për çdo kilovat të transmetuar llogaritet të shkojë në 6.42 lekë me një rritje 34% në raport me ekzistuesen.

Numri i bizneseve që aktualisht përdorin shërbimin e shpërndarjes në nivel 20 kilovolt tensioni në mënyrë të pavarur është ende i ulët, por numri i tyre pritet të rritet me të paktën 7 mijë për shkak të vazhdimit të procesit të liberalizmit një hap që është deklaruar tashmë dhe nga qeveria. Nga janari 2022 këto biznese do të përballen njëkohësisht me çmimet e energjisë në tregun e lirë që janë në nivele rekord si dhe me tarifën e shpërndarjes që do ta paguajnë më vete pranë OSSH.

Gjithashtu dhe Operatori i Sistemit të Transmetimit që aktualisht ka një tarifë prej 0.75 lekë për çdo kilovat të transmetuar ka kërkuar rishikim të tarifës. OST ka përllogaritur se, të ardhurat e munguara për vitet 2021-2022, “janë në masën 3.457 milionë lekë ose 0.24 Ieke/kWh, e cila duhet të merret në konsideratë nga ERE për tu përfshire në rishikimin tarifave. Tarifa mesatare 3 vjeçare e transmetimit përllogaritet të jetë 1.47 leke/kWh”.

OST ka propozuar që të bëhet rishikim i metodologjisë sa i takon mënyrës sesi bëhet përllogaritja e tarifave .

“Ne vlerësimet e metodologjisë së propozuar, të ardhurat e kërkuara do të mund të ndaheshin sipas përdoruesve të rrjetit. Kështu, të ardhurat e kërkuara prej 34.4 miliardë lekë për vitet 2022-2024, do të mund të ndaheshin në 30.1 miliardë lekë për furnizuesit dhe 4.3 miliardë lekë për prodhuesit dhe/ose tregtarët të cilët përdorin rrjetin e transmetimit për transaksione të energjisë elektrike jashtë kufijve te vendit.

Sipas metodologjisë së propozuar, tarifa e transmetimit do të kishte 3 komponentë, të cilët i takojnë shërbimeve të transmetimit (Transmetim; Operim dhe Treg). Për përdoruesit e rrjetit të transmetimit në funksion të tregut të brendshëm të energjisë, do të mund të aplikoheshin 3 komponentet e tarifës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë