Mjedis

Organizatat kërkojnë pezullimin e punimeve të aeroportit të Vlorës: Të zbatohet kërkesa e Konventës së Bernës

Nga Gazeta Si- Në mbështetje të thirrjes së Konventës së Bernës për të pezulluar ndërtimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës në zonën e mbrojtur Vjosë-Nartë, Organizatat kombëtare mjedisore, bashkë me organizatat ndërkombëtare i kërkojnë qeverisë shqiptare që të zbatojë këtë kërkesë.

Konventa e Bernës për Ruajtjen e Jetës së Egër në Europë kërkoi zyrtarisht ndërprerjen e menjëhershme të aktiviteteve të ndërtimit për aeroportin ndërkombëtar që ndodhet pranë Lagunës Vjosë-Nartës në Shqipëri. Kjo lagunë shërben si një ndalesë kritike për mijëra shpend shtegtarë që udhëtojnë midis Europës dhe Afrikës çdo vit.

Në një konferencë për shtyp, organizatat shqiptare dhanë edhe arsyet pse nuk duhet të ndërtohet ky aeroport.

“Konventa e Bernës, e njohur gjithashtu si konventa për ruajtjen e jetës së egër në Europë u ka kërkuar zyrtarisht autoriteteve shqiptare që të pezullojnë punimet për ndërtimin e aeroportit të Vlorës brenda zonës së mbrojtur.

LEXO EDHE:
-Kolonia e pelikanit në Shqipëri po rikthehej. Tani ajo përballet me kërcënimin e një aeroporti të ri
-“Mos ndërtoni aeroportin e Vlorës. Dëmton zonën e mbrojtur. Ka rrezik për aksidente me avionët”.

-Të Gjelbërit e PE presion Komisionit: Shqipëria të ndalojë Aeroportin e Vlorës! Do të shkatërrojë zonën e mbrojtur

Ky vendim shkon në të njëjtën linjë me kërkesën tonë si shoqëri civile që të ndalohet ndërtimi i aeroportit brenda zonës së mbrojtur pasi shkel ligjet e vendit tonë dhe ato ndërkombëtare”, tha gjatë deklaratës Rodion Gjoka, ekspert mjedisi, duke shtuar se vendimi për ndërtimin e aeroportit të Vlorës ka ardhur pas një procesi ku ka munguar tërësisht konsultimi me publikun dhe përfshirja e palëve të interesit.

“Qeveria shqiptare nxitoi të fillonte punimet për ndërtimin e aeroportit sipas projektit, kjo në kundërshtim me ligjin, duke lejuar kompanitë që të hapin kantierin dhe të fillojnë punën pa u pajisur fillimisht me një leje ndërtimi dhe një leje mjedisore”, tha Gjoka.

Përpjekjet e autoriteteve për të legjitimuar ndërtimin e këtij aeroporti, thotë Gjoka gjatë deklaratës, u pasuan nga vendimi për të ndryshuar kufijtë e zonave të mbrojtura si në rastin e zonës Vjosë-nartë, duke hequr të paktën 300 hektarë në zemër të kësaj zone të mbrojtur.

“Kjo hapësirë përkon pikërisht edhe me kantierin ku vijon puna prej një viti”.

Raporti i përbashkët i përpiluar nga konventa e Bernës, Konventa e llojeve të shtegtarëve dhe marrëveshja afrikano-euroaziatike për shpendët shtegtarë shpreh se ndryshimi i kufijve të zonës së mbrojtur nuk është në përputhje me vlerat e biodiversitetit që ajo zonë ka, e njohur si pikë kyçe për mijëra shpendë që shtegtojnë nga Afrika në Europë dhe anasjelltas, ku ekzistojnë të paktën 200 lloje shpendësh që jetojnë në këtë zonë të mbrojtur.

“Vendimi i fundit i Konventës së Bernës pason edhe rezolutën e parlamentit europian që i kërkon Shqipërisë të ndalojë projektin brenda zonës së mbrojtur”, tha Gjoka.

Ndërkohë, fill pas publikimit të Konventës së Bernës, Aleanca për Mbrojtjen e Ligatinave të Mesdheut, një grupim organizatash për mbrojtjen e mjedisit i kanë dërguar një letër kryeministrit Edi Rama, komisionit europian dhe organizatës ndërkombëtare për transportin ajror, ku kërkohet pikërisht pezullimi i ndërtimit të aeroportit të Vlorës.

Letra është firmosur nga 33 organizata të ndryshme, nga të paktën 27 shtete në rajon.

Gjatë konferencës, Gjoka tha se shpërfillja e institucioneve europiane thellon edhe më tej shkeljet dhe në vend të mbrojtjes së habitateve, konflikti po nxitet pikërisht nga ana e autoriteteve.

“Ne kërkojmë që të ndalet shmangia e konsultimeve dhe të drejtohemi drejt vendimmarrjeve me konsensus siç e parashikon ligji, me pjesëmarrje të gjerë në konsultime me grupe të interesit dhe publikun”, përfundoi Gjoka.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë