Mjedis

“Mos ndërtoni aeroportin e Vlorës. Dëmton zonën e mbrojtur. Ka rrezik për aksidente me avionët!”

Rreth 37 organizata mjedisore shqiptare dhe ndërkombëtare po i kërkojnë qeverisë shqiptare të ndalojë projektin për të ndërtuar një aeroportin e Vlorës, duke thënë se do të shkaktojë dëme të mëdha në mjedisin e zonës së mbrojtur ndërkombëtarisht të Nartës.

Ata tregojnë se zona e mbrojtur që mbulon 19,412 hektarë strehon 200 specie të shpendëve të egër, 33 prej të cilave kanë status të rrezikuar.

Përmes një letre të hapur, organizatat theksojnë se vendimi i qeverisë thyen ligjet kombëtare edhe një serë konventash ndërkombëtare apo direktiva të Bashkimit Evropian për ruajtjen e jetës së egër.

Ndërtimi i një infrastrukture të tillë shkel ligjet shqiptar dhe ndërkombëtare për ruajtjen e natyrës, si ligjin e Zonave të Mbrojtura dhe një sërë konventash të cilat Shqipëria, me aspiratë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, i ka ratifikuar.

Në letër theksohet se zona është një nga ekosistemet ligatinore më të mëdha e më të rëndësishme të Shqipërisë dhe Mesdhe.

Aty është regjistruar një numër total prej mbi 200 lloje të shpendëve të egër. Prej këtij numri, 33 janë të listuar me status kërcënimi në Listën e Kuqe të Shqipërisë.

Shqipëria është e detyruar, që prej nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me Bashkimin Europian, që të sigurojë mbrojtje për të paktën 62 lloje shpendësh të përfshirë në Direktivës Evropiane të Shpendëve.

Po ashtu, zona është e njohur ndërkombëtarisht si ‘Zonë e Rëndësishme për Shpendët dhe Biodiversitetin’ e quajtur ‘Laguna e Nartës’.

Organizatat parashikojnë se me një ndërhyrje të tillë, i gjithë ekosistemi në Vjosë – Nartë dhe llojet e panumërt të jetës së egër që gjenden aty do të cënohen në mënyrë të pakthyeshme.

Po ashtu, ata sqarojnë se ndërtimi i një aeroporti në një zonë të tillë do të sjellë probleme dhe për sigurinë e aeroplanëve dhe njerëzve.

Kjo zonë përfaqëson një prej segmentëve më të rëndësishëm të korridorit të shtegtimit të Adriatikut, ku qindra mijëra shpendë gjejnë ushqim dhe strehë gjatë sezoneve të shtegtimit.

Një pjesë e këtyre shpendëve, si për shembull pelikanët, çafkat, pulëbardhat, flamingoja etj, që në këtë zonë hasen me shumicë dhe gjatë gjithë vitit, kanë përmasa dhe peshë të tillë që nëse përplasen me aeroplanët mund të shkaktojnë aksidente tragjike.

Qeveria Rama ka planifikuar të ndërtojë aeroportin e Vlorës në afërsi të Lagunës së Nartës, në zonën e quajtur Akërni, e cila ndodhet në brendësit të Peizazhit të Mbrojtur Vjosë-Nartë.

Më 10 tetor 2017, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë shpalli fituesin e tenderit për bërjen e studimit e bëshmërisë për aeroportin e Vlorës.

Më 17 janar 2018, kryeministri Edi Rama njoftoi se kishte marrë një “kërkesë zyrtare” për ndërtimin e një aeroporti pranë Vlorës nga konsorciumi turk.

Më 11 prill 2019, konsorciumi turk u tërhoq nga koncesioni për zhvillimin e Aeroportit të Vlorës. Ministria e Infrastrukturës njoftoi se do të zhvillohet një konkurs ndërkombëtar për të zgjedhur kompaninë e re

Deri më tani, dy tendera ndërkombëtarë të hapur për aeroportin, kanë dështuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë