Viti 2026 mund të shënojë rekordin e temperaturave më të larta të regjistruara ndonjëherë, duke tejkaluar rekordin e vitit 2024. Paralajmërimi vjen nga grupi kërkimor amerikan Berkeley Earth, i cili vlerëson me 95% probabilitet se ky vit do të jetë më i nxehti në histori.
Rritja e temperaturave lidhet kryesisht me përqendrimin gjithnjë e më të madh të gazrave serrë në atmosferë, si pasojë e djegies së lëndëve djegëse fosile, si dhe me ndikimin e fenomenit natyror El Niño.
Edhe Organizata Botërore Meteorologjike (WMO) parashikon se viti 2026 do të renditet ndër katër vitet më të nxehta të regjistruara, ndërsa paralajmëron se temperaturat mund të rriten më tej edhe gjatë vitit 2027.
Pasojat e ngrohjes globale janë reflektuar tashmë në shtimin e valëve të të nxehtit, zjarreve masive, thatësirave dhe përmbytjeve. Shkencëtarët paralajmërojnë se këto fenomene do të bëhen gjithnjë e më intensive, duke vënë në rrezik jetën e njerëzve dhe ekonomitë e vendeve.
Në këtë klimë shqetësimi, liderët botërorë dhe negociatorët janë mbledhur në Antalia të Turqisë për COP31, ku në fokus janë reduktimi i emetimeve, financimi klimatik për vendet në zhvillim dhe zgjerimi i energjisë së rinovueshme.
Një nga çështjet kryesore të diskutimit pritet të jetë edhe elektrifikimi i sistemeve energjetike dhe reduktimi i varësisë nga karburantet fosile. Megjithatë, mosmarrëveshjet mes vendeve për përdorimin e gazit dhe ritmin e tranzicionit energjetik mbeten pengesë për arritjen e një konsensusi.
Sipas parashikimeve aktuale, bota është në rrugën drejt një ngrohjeje prej rreth 2.8°C deri në fund të shekullit, shumë mbi objektivin prej 1.5°C të Marrëveshjes së Parisit.
Shkencëtarët theksojnë se koha për veprim po ngushtohet dhe se përveç uljes së emetimeve, vendet duhet të investojnë urgjentisht edhe në përshtatjen ndaj pasojave të ndryshimeve klimatike.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje