Mjedis

Të Gjelbërit e PE presion Komisionit: Shqipëria të ndalojë Aeroportin e Vlorës! Do të shkatërrojë zonën e mbrojtur

Nga Gazeta Si - Të Gjelbërit në Parlamentin Europian i kërkojnë Komisionit që të marrë masa dhe të ndalojë ndërtimin e Aeroportit të Vlorës në zonën e Nartës.

Përmes një letre firmosur nga eurodeputetja italiane, Eleonora Evi, që njëkohësisht është edhe zëdhënëse e grupit parlamentar të të gjelbërve në PE thuhet se projekti i aeroportit është mjaft shqetësues, pasi prek një prej habitateve me diversitet të lartë të faunës dhe florës në Shqipëri.

“Zona e përzgjedhur për ndërtimin e Aeroportit është një lagunë mjaft e rëndësishme dhe e klasifikuar si zonë me rëndësi për zogjtë (Important Bird Area – IBA), zonë kyçe për biodiversitetin dhe është propozuar si një zonë N2000 (NaturAl Project)”, thuhet në kërkesën e eurodeputetes.

Eurodeputetja italiane thekson më pas se zona ku do të ndërtohet aeroporti strehon 11 habitate të ndryshme, 8 specie të ndryshme reptilësh dhe amfibësh, 10 specie mamalësh dhe 8 specie peshqish, që mbrohen nga direktiva e BE për habitatet.

Përveç kësaj, kjo zonë e mbrojtur është kandidate për anëtarësim në rrjetin Emerald të zonave të mbrojtura dhe strehon 62 specie zogjsh që mbrohen nga direktivat e BE. Bashkë me mbrojtjen e Nartës dhe kundërshtimin e projektit të aeroportit, të gjelbërit kërkojnë që të kërkohet edhe mbrojtja e Vjosës, si i vetmi lumë i egër në Europë.

“Çfarë hapash do të ndjekë Komisionit për të kundërshtuar projektin për ndërtimin e aeroportit në zonën e mbrojtur Vjosë-Nartë? Si do ta ndihmojë Shqipërinë që të përputhë legjislacionin e vet me direktivën e BE për habitatet dhe Konventën Ramsar për lagunat brenda ambicies së Shqipërisë për anëtarësim në BE?”, mbyllet letra e eurodeputetëve ambientalistë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë