Njerez

Orë praktike në shkolla, si të përdorim kondomët – A janë gati prindërit?

Lorina Mixha - Pakkujt prej prindërve që i kanë fëmijët nxënës në gjimnaze mund t'i shkojë afër mendjes se ka dhjetëra vajza që mbeten shtatzënë në moshë të mitur për shkak të një marrëdhënie seksuale, jo vetëm të hershme, por edhe të pambrojtur.

Kur “gjëma” ndodh, zgjidhja e parë që familja dhe shoqëria u jep është aborti për të ruajtur sekretin. Ato pak që vendosin ta mbajnë fëmijën, lënë shkollën, nuk arrijnë dot të gjejnë një punë, të mbarojnë arsimin e  detyruar e jo më të vazhdojnë studimet në universitete. Më pas të merr rrjedha e jetës pa kuptuar.

“Në punën time si mjeke, nga përvoja që kam pasur në shkolla, kam dëgjuar raste të vajzave që kanë mbetur shtatzënë. Trauma është shumë e madhe për ta, për familjarët, për shoqërinë e ngushtë. ‘Fajtorja’ mbetet vajza, është ajo që duhet të marrë vendimin nëse do ta mbajë ose jo. Shumë familje nuk e pranojnë dot diçka të tillë, e shtyjnë drejt abortit në klinika private. Përveç infeksioneve  dhe  problemeve anatomike që çojnë deri në sterilitet, humbjen e aftësisë për të pasur fëmijë,  pasojat psikologjike janë tepër të rënda”, na tregon mjekja specialiste, që informon dhe edukon prej vitesh nxënësit në shkolla, Luljeta Tërshana.

Për mjekët  pasojat psikologjike të abortit për një vajzë që zbulon se do të bëhet nënë janë shumë të rënda, sidomos në një shoqëri patriarkale si kjo e jona.

Pavarësisht se nuk ka shifra të sakta, institucionet e Shëndetit Publik raportojnë  se ka një rritje të ndjeshme të aborteve nga 15 deri 24 vjeç (statistika të materniteteve, sepse nuk ka të dhëna të sakta të raportuara nga klinikat private në vend).

Rreth 4.5 për qind e aborteve regjistrohen nën moshën 18 vjeç. Sipas studimit të Institutit të Shëndetit Publik 1 në 5 të rinj 15-vjeçarë që ndjekin shkollën, kanë kryer marrëdhënie seksuale, por vetëm  63.7% e tyre përdorin kontraceptivë gjatë marrëdhënieve seksuale. Ndërsa, një studim i HBSC na tregoi se moshat më të shpeshta të fillimit të kryerjes së marrëdhënieve seksuale ishin moshat 14 vjeç dhe tendenca që të rinjtë kanë, është të kryejnë seks sa më herët në moshë dhe sa më shpesh.

Nxënës gjimnazi në Tiranë

Për shkak të një situate që ka tendencë të përkeqësohet nga “uria” e të rinjve për seks  në moshë sa më të vogël dhe shumica e tyre të pambrojtur është marrë vendimi që këtë vit në shkollat e mesme në Tiranë, jo vetëm do të shpërndahen prezervativë nga mjekët e shkollave, por edhe të kryhen orë praktike .

Si prind, ideja që i “vogli” yt mund të ulet një ditë në shkollë dhe të mësojë për seksin, pozicionet apo metodat mbrojtëse, mund të duket e çuditshme, madje tejet shqetësuese.

Për një brez të rritur mes ideologjisë komuniste se seksi është i rrezikshëm, edhe thjesht ideja e futjes së edukimit seksual në shkolla ka qenë mjaft e vështirë për t’u përtypur. Por, rritja e shtatzënive të padëshiruara në adoleshencë, aborteve të rrezikshme dhe dhunës seksuale që vuajnë shpesh në heshtje të rejat shqiptare, është një kambanë alarmi që nuk mund të përtypet aq lehtë.

Shëndeti seksual është përfshirë prej vitesh në kurrikulat e pothuajse të gjitha shkollave perëndimore për të adresuar boshllëqet dhe sfidat, me të cilat përballen adoleshentët kur bie fjala te shëndeti dhe të drejtat e tyre seksuale dhe riprodhuese. Nën këto kushte, edhe qeveria shqiptare vendosi  të integronte edukimin seksual në planin mësimor për të ndihmuar nxënësit të bëjnë zgjedhje të shëndetshme dhe të përgjegjshme. Por, a ka shkuar futja e të ashtuquajturave “orë praktike”shumë larg? Çfarë mendojnë ekspertët dhe a do të mund ta çojnë përpara mësuesit shqiptarë këtë nismë?

Autoriteti shëndetësor rajonal, i cili është nismëtari, thotë se përveç mjekëve të shkollave do të përfshihen në orët mësimore edhe djem e vajza të reja eksperte në edukimin seksual që komunikimi të jetë më i thjeshtë dhe që nxënësit të çlirohen nga kompleksi i komunikimit me mësues më të vjetër në moshë.

Edukimi seksual në shkolla nuk është lëndë më vete, por bëhet si pjesë e lëndës së biologjisë në vitin e parë dhe vitin e dytë në gjimnaz. Nxënësit mësojnë kryesisht për sëmundjet seksualisht të transmetueshme në vitin e parë dhe shëndetin riprodhues vitin e dytë, diçka diskutojnë edhe me mësuesit e fizkulturës, duke qenë se përfshihet shëndeti në këtë orë.

Këtë vit flitet se do të bëhet edhe ndarja veç e nxënësve në vajza-vajza dhe djem-djem për të pasur më shumë lehtësi në komunikim.

“Edukimi seksual është ende tabu dhe ky edukim shkon paralel me kulturën e përgjithshme”, thotë Lumturi Mërkuri, eksperte pranë Institutit të Shëndetit Publik, e cila insiston që përveç shkollës, edukimi duhet të bëhet edhe në shtëpi bashkë me prindërit.

Shpërndarja e kondomëve në shkolla është bërë për vite me radhë edhe më parë  me sasi të limituara. Mjekja që ka punuar nga viti 1994 në shkollat e Tiranës,Teuta Pipa, tregon se kjo mënyrë kurrsesi nuk nxit marrëdhëniet seksuale, por përkundrazi ndihmon në shtyrjen e kësaj marrëdhënie në moshë më të pjekur.

“Kur ka informacion të saktë, vajza dhe djali do e shtyjnë marrëdhënien seksuale, dhe nuk do të nxiten sepse ata po të duan e marrin në farmaci, por në shkolla marrin edhe informacionin e saktë se si ta përdorin. Nëse vajza do ta njohë trupin e vet, kupton se në çdo marrëdhënie mund të ngelet shtatzënë dhe sterile për shkak të abortit dhe jo për shkak të metodave mbrojtëse apo kontraceptivëve oralë”, sqaron mjekja Teuta Pipa. Sipas saj, është e nevojshme që edukimi seksual të bëhet nga një personel i trajnuar, të cilët dinë të komunikojnë mirë dhe të ruajnë konfidencialitetin, por duhen afruar prindërit që të bëhen pjesë e kësaj strategjie.

Foto ilustruese: Prindërit kundër edukimit  seksual

Mirëpo, çështja më shumë se te nxënësit,  mund të ngecë te prindërit.

“Unë flas me fëmijët lirshëm, por ka prindër që temat e edukimit seksual i kanë ende tabu. Varet si është ndërtuar marrëdhënia në shtëpi prind-fëmijë. Mua do të më pëlqente që edukimi të niste më herët, kjo edukatë është e domosdoshme. Mosha që nis duhet të jetë në 9-vjeçare, që është adoleshenca e hershme. Kemi dëgjuar se nisin marrëdhëniet që në klasën e 7-të. Por, informimi seksual duhet të jetë sipas moshës, duhet punuar edhe me prindër, në momentin që trajtohen në shkollë është diçka pozitive”, thotë Valentina Prespa, prind fëmije në shkollën “Sami Frashëri”.

Arjana Muça, psikologe dhe profesore e Asociuar pranë Fakultetit të Shkencave Sociale, e vendos theksin te prindërit, të cilët kur janë të painformuar, kanë më shumë frikëra.

Në faqen në “Facebook” të gazetës “Si” një pjesë e lexuesve, kur u informuan për lajmin, ishin skeptikë dhe ndoshta të pakënaqur. Njëri prej tyre shkruante se “më parë fëmijëve duhet t’u mësojmë se si të jenë të sjellshëm, të edukuar, mirënjohës, si të bëhen më socialë. Mësojuni se çfarë është personaliteti, dinjiteti, principet për jetën, që mos të përfundojnë tek alkooli, droga apo nëpër burgje” .

Një tjetër lexues ngrinte shqetësimin se “para se të shqetësohemi për edukimin seksual në shkolla, duhet të shqetësohemi pse nuk do ketë mësues matematike, fizike, kimie etj. Kjo është për kombin tonë dhe jo kondomi”.

Por, për psikologen Arjana Muça “Një prind i kujdesshëm është aty sa herë fëmija ka nevojë për përgjigje,  edhe kur  flitet për marrëdhënie seksuale”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë