Rend dhe Ligj

Operacioni ‘Madridi’ / Arrestohet në Spanjë, Ismail Zeneli, i shpallur në kërkim nga SPAK

Merr fund arratia disa javore e Ismail Zenelit i shpallur në kërkim nga SPAK prej 15 nëntorit, i dyshuar për trafik narkotikësh dhe sigurimin e kushteve për kryerjen e një vrasje si pjesë e grupit kriminal, të drejtuar nga Ervin Mata.

"Në kuadër të operacionit “Madridi”, u lokalizua dhe u arrestua në Madrid, për t’u ekstraduar në Shqipëri, një 49-vjeçar i akuzuar nga GjKKO-ja, për vepra penale kundër personit dhe në fushën e narkotikëve, të kryera në kuadër të grupit kriminal.

Si rezultat i sigurimit të inteligjencës policore, nga strukturat hetimore të Policisë së Shtetit dhe shkëmbimit të saj, në kohë reale, ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Madridit, Policia spanjolle organizoi dhe finalizoi operacionin policor të koduar “Madridi”.

Në kuadër të këtij opeacioni u lokalizua dhe u arrestua, me qëllim ekstradimin në Shqipëri, shtetasi I. Z. alias L. S., 49 vjeç.

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në nëntor të vitit 2023, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për këtë shtetas, për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Trafikimi i lëndëve narkotike”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale apo grupi i strukturuar kriminal” njoftoi policia.

Ismail Zeneli i cili njihet edhe me emrin Luan Sadria dhe në rrjetin social SKY përdorte nofkat “Dajo”, “Dajloki” dhe “Transporter”, është arrestuar në Madrit të Spanjës mbrëmjen e 27 nëntorit. Autoritetet shqiptare kishin siguruar informacion për vendndodhjen e tij të cilat ua dorëzuan homologëve spanjollë të cilët kryen arrestimin. Tashmë ministria e Drejtësisë do të vijojë me procedurat e ekstradimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë