Kinema

Operacioni ‘Finale’ – Ben Kingsley si nazisti Eichmann

Ben Kingsley  si Adolf Eichmann  Foto: Metro Goldwyn Mayer.

John Anderson/ WSJ - Tri gjëra e bëjnë Adolf Eichmann-in të vlefshëm si personazh filmi: rrëmbimi i tij, gjyqi dhe varja. “Operacioni 'Finale'” me protagonist Ben Kingsley-in si nazisti i arratisur dhe Oscar Isaac-un , si një prej agjentëve të vërtetë të Mosadit, i cili  e gjurmon atë, është shumë afër skenarit të rrëmbimit që izraelitët i bënë Eichmann-it nga Buenos Airesi, më 1960-ën. Ka gjithashtu një grimcë rreth procesit gjyqësor, por asgjë rreth varjes.

Një pyetje më serioze, e ngritur nga ekzistenca e  “Operacioni 'Finale'”, me regji të Chris Weitz dhe shkruar nga Matthew Orton, është nëse Eichmann - njeriu që frymëzoi vëzhgimin e filozofes Hannah Arendt rreth banalitetit të së keqes - meriton të luhet nga z.Kingsley, apo kushdo tjetër. Eichmann nuk është fisnikëruar në vetvete, përveç dinjitetit të patundur që i është dhënë si subjekti i një filmi me buxhet të majmë. Dhe portretizimi  nga aktori që ka interpretuar Gandin, të atin e Ana Frankut dhe  Itzhak Stern-in në “Lista e Schindler-it”, zor se e bën të duket banal.

Nëse mund ta bëni këtë kapërcim, “Operacioni 'Finale'” është një trill i dobishëm, një lloj “Argo”-je në Argjentinë, mbushur me përgatitje të zbukuruara, plane të shkuara keq dhe rrugëdalje të ngushta. Në një uverturë ndaj aksionit kryesor, agjenti izraelit Peter Malkin (z.Isaac) një njësi e Mosadit dërguar në Austri, më 1954, e merr një burrë nga e shoqja dhe fëmijët dhe e ekzekuton në oborrin e shtëpisë. Nazisti i gabuar, siç del, që nuk është aq keq për nazistët sesa për Malkin-in, veçanërisht kur zbulohet se Eichman jeton në Buenos Aires.

https://www.youtube.com/watch?v=iGBNA7l9K8E

Izraeli më pas duhet të vendosë nëse të dhunojë sovranitetin e Argjentinës dhe të rrëmbejë – të dyja bashkë tani – “Arkitektin e Zgjidhjes Përfundimtare”. (Është ai lloj skenari; me fjalët e kolegut të Eichmann-it, Josef Mengele-n e Rajhut të Tretë, ku dikush thotë:  “Ah, Engjëlli i Vdekjes, dora vetë.”)

Argjentina e fundviteve ’50 është portretizuar si një shtrat i nxehtë për simpatizantët nazistë dhe kriminelët e luftës, si një vend ku Eichmann-it as i duhej të fshihej. Ai mban fjalim në grupe private në mënyrë që “të korrigjojë gënjeshtrat e thëna nga ata derrat në Nuremberg.” Ai është kreu i  një departamenti në një fabrikë të Mercedes-Benz . Merr të njëjtin autobus për t’u kthyer në shtëpi, çdo ditë. Është krijesë e zakonit burokratik, që mund të vijë si ironi, duke marrë parasysh historinë e Eichmann-it si administrator, por në këtë mënyrë Malkin dhe grupi i tij ia dalin të orkestrojnë rrëmbimin.

Oscar Isaac  në rolin e Peter Malkin  dhe Ben Kingsley si  Adolf Eichmann. Foto: Metro Goldwyn Mayer.

Ka vonesa në proces, natyrshëm, përfshi vendimet në rangjet e  larta të Izraelit,  nëse i gjithë operacioni ishte siç duhej dhe si do të pranohej në skenën botërore – apo nëse do të ishte më efikase thjesht të gjendej Eichmann-i dhe të vritej. “Një procesi gjyqësor do i vërë të gjithë në gjumë”, argumenton  Rafi Eitan (Nick Kroll),  duke iu referuar vetë Holokaustit dhe është praktikisht një varg gazmor. Por Rafi e fiton argumentin dhe njësia, që dërgohet në Amerikën e Jugut, merr një vizitë jo shumë entuziaste nga kryeministri David Ben-Gurion (Simon Russell Beale), i cili u thotë  qartë: “Mos e menderosni!”

Virtualisht, të gjithë personazhet në filmin “Operacioni 'Finale'” bazohen në persona realë, përfshi edhe Sylvia Hermann (Haley Lu Richardson), e cila shoqërohet me të birin e Eichmann-it, Klausin  (Joe Alwyn) deri mbrëmjen kur ai e merr atë në një prej takimeve,  jo aq klandestine, të nazistëve dhe mëson agjendën që partia ka në plan për hebrenjtë e Argjentinës. Një gjë çon te tjetra dhe Sylvia ndihmon në ngritjen e kurthit për  Eichmann-in, duke pohuar identitetin  e tij. Me t’u vendosur kjo, rrëmbimi është çështje kohe.

Ben Kingsley interpreton  Adolf Eichmann-in, Foto: Metro Goldwyn Mayer.

Përpjekja për ta kaluar 74-vjeçarin Kingsley si 54-vjeçari  Eichmann çon në disa mosfunksionime të grimit, por performanca është e menduar. Eichmann-i i tij është një mashtrues,  i cili mendon se është intelektual; nuk del kurrë qartë nëse ka bindur e  veten rreth gënjeshtrave apo jo, por efekti është mbajtja e  shikuesit në ekuilibër. Çdo anëtar i ekipit izraelit të rrëmbimit ka një sjellje të ndryshme sesi do të sillen me pengun e tyre. Një do thjesht ta vrasë. Një tjetër, Hanna Elian (Mélanie Laurent), është një mjeke, e cila do të sigurohet duke e mbajtur me qetësues, pa i dhënë mbidozë.

Zvi Aharoni (Michael Aronov)  do ta  thyejë Eichmann-in psikologjikisht – i cili për arsye të ndryshme duhet të firmosë një marrëveshje ekstradimi përpara se të zhduket – përmes izolimit dhe stresit. Por, Peter zgjedh rrugën tjetër, duke e angazhuar të burgosurin  në diskutime mbi krimet e tij dhe pretendimet për pafajësi  (“Isha i lidhur në tryezën time të punës 20 orë në ditë!”) dhe madje edhe lutjet e tij të pakuptimta për simpati (“M’u desh të pija schnapps, që të mos më binte të fikët”, thotë ai, duke kujtuar një nga skenat e vrasjeve masive).

Të thuash se performanca e z.Kingsley është më shumë sesa Eichmann  meriton, është sigurisht, të mos kesh thënë asgjë në të vërtetë – është një film i fuqishëm, edhe pse për një subjekt të lëkundshëm. Gjithashtu është mirë të kujtojmë tani dhe përgjithmonë natyrën tinëzare të fashizmit dhe sesi mund të mbijë kudo kur nuk e ke vëmendjen.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë