Më të mirat 2022

Nuk duan apo nuk u leverdis të punojnë tokën? Supertaksa nuk i jep dot përgjigje kësaj pyetje

Nga Megi Iskurti - Supertaksimi i reklamuar së fundmi nga kryeministri për fermerët që po i lënë tokat djerrë i ka ndarë në dy kahe ekspertët e bujqësisë.

Por, përpara se këto deklarata të kthehen në vendime, ata parimisht bien dakord që duhet të ndalemi fillimisht tek arsyet që e kanë nxitur këtë fenomen dhe të merremi me trajtimin e tyre.

Amullia e politikave fiskale, kostot e larta dhe aksesi i kufizuar në tregje janë, sipas tyre, shkaktarët kryesorë pse ngastrat po lihen djerrë.

Ekspertët thonë se ndryshe nga vendet perëndimore por edhe ata të rajonit që u kanë paraprirë këtyre pasigurive dhe largimit të fermerëve, në Shqipëri edhe subvencionet janë të pamjaftueshme, një tjetër arsye që sipas tyre nxit lënien e tokave djerrë.

Eduart Sharka, kreu në detyrë i Shoqatës së Fermerëve, thotë se kjo është mënyrë e gabuar pasi është provuar që gjithmonë sanksionet sjellin boomerang.  

Sharka thotë se shkaku i tokave djerrë është mungesa e interesit ekonomik

“Thelbi i problemit është se shkaku i tokave djerrë nuk është mungesa e vullnetit. Kjo taksë do bënte punë në rast se do të kishim njerëz që kanë të ardhura dhe biznese të tjera dhe e lënë tokën djerrë. Por, shkaku kryesor është mungesa e interesit ekonomik.

Të gjithë ata që e kanë punuar nuk shohin rezultat, çmimet e inputeve kanë arritur kulmin dhe kostoja e prodhimit është shumë e lartë. Ne kemi fermerë që erdhën, sollën remitancat, sollën kapital human dhe teknologji nga vendet që erdhën, dhe tani po ikin sepse bujqësia nuk është kompetitive”, thotë Sharka për Gazetasi.al duke i mëshuar faktit që ky supertaksim është antikushtetues pasi kushtetuta të detyron për taksim të drejtë dhe të ndershëm.

Ai shton më tej se lidhur me dhënien e tokës me qira, aktualisht në treg mungon kërkesa dhe jo oferta.

“Kush nuk do të japë tokën me qira dhe të fitojë të ardhura? Problemi është që ka mungesë të theksuar kërkese. Supertaksimi do të kishte kuptim nëse do të kishim situatën e kundërt. Tabelat për dhënien me qira janë të shumta kudo por qiramarrësit nuk janë aty”, citon Sharka për Gazetasi.al.

“Edhe cilësia që në prodhojmë nuk shkon në tregjet ku do merrte vlerën e shtuar por shkon në tregje rajonale që janë tregje me çmime të ulëta dhe i bie që fitimi është shumë i vogël. Duhet të ketë më shumë vëmendje në këtë drejtim që fermerët të marrin mbrapsht fitimin e tyre”, vijon më tej Sharka.

Por, ndryshe nga ai, Ilir Pilku, gjithashtu ekspert bujqësie, thotë për Gazetasi.al se tashmë jemi në tregti të lirë ku tregjet nuk t’i përcakton shteti por fermerët duhet të kooperojnë me njëri-tjetrin në mënyrë që të shesin me çmim më të lartë produktet e tyre.

Ilir Pilku mendon se taksimi i tokës është ide e drejtë

“Vendosja e një ligji të tillë nga kryeministri kërkon një rishikim të akteve ligjore dhe nënligjore për ta bërë funksionale. Unë mendoj që është një ide e drejtë taksimi i tokës, madje unë i shkoj edhe më përtej jo vetëm për ata që nuk e punojnë por edhe ata që nuk paguajnë taksën e tokës.

Është problem mospagimi i taksave në pushtetin lokal, 8 mijë lekë të reja në vit për çdo sipërfaqe që kanë në dispozicion. Aktet ligjore duhet të shikohen në mënyrë që vendimmarrja që do bëhet të jetë konform ligjeve dhe të ketë funksionalitet dhe jo të mbetet thjesht një ligj detyrues”, thotë ai për Gazetasi.al.

Sipërfaqet e mbjella në serat e Myzeqesë kanë rënë me mbi 25% sipas të dhënave të terrenit të grumbulluara nga fermerët, eksportuesit dhe tregtarët e inputeve.

Rasti i Shqipërisë, i pakrahasueshëm me vendet e tjera

“Në Itali e gjithë shtresa e popullsisë që ka biznese dhe të ardhura mbi mesataren, taksohen vetëm me nivelin bazë nëse nuk e punojnë tokën e tyre.

Atje kush e punon tokën nuk paguan asnjë lloj takse por nuk është se u vihet taksë dyfishe apo trefishe. Edhe fermerët tanë e paguajnë një taksë bazë, një supertaksim do shkonte deri në kufijtë e groteskut”, vijon më tej Sharka për Gazetasi.al.

Në Lituani, fermerët që e punojnë tokën paguajnë 35% më pak taksë për tokën, ndërsa në disa shtete në SHBA ka lehtësi në taksim.

Ndërsa së fundmi edhe Malta po konsideron të taksojë tokën e papërdorur.

Por sipas ekspertëve rastin e Shqipërisë nuk mund ta krahasojmë me asnjë vend tjetër pasi sipas tyre aktualisht ajo ofron mbështetjen më të ulët direkte për fermerët ndryshe edhe nga çdo vend tjetër i Ballkanit Perëndimor.

Aktualisht sipas Agim Rrapajt, kreu i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar, toka bujqësore në Shqipëri sa po vjen e po degradohet.

Rrapaj thotë se Shqipëria ka më shumë se 110 HA tokë pa zot e cila rrjedhimisht ngelet djerrë si dhe 100 mijë HA të tjera që nuk punohen dhe mbeten sërish djerrë.

“Tokat djerrë janë një plagë e Shqipërisë dhe supertaksimi do të ishte si të vendosësh dorën mbi  këtë plagë”, thotë ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë