Politike

Rama: Super taksim për ata që lënë tokën djerrë. Mund të arrijmë gjysmë miliardi euro eksporte

Ashtu siç ishte paralajmëruar më parë nga qeveria, do të ketë 'ndëshkim' për të gjithë fermerët që lenë tokën djerrë.

Nga një takim me fermerët në Dvoran të Korçës, kryeministri Edi Rama tha se ata që do ta lënë tokën djerrë do të kenë super taksim, çka do të thotë se do t’iu vendoset një taksë shumë e lartë nëse nuk e punojnë tokën vetë, ose ta japin me qira. Rama tha se kjo nismë synon që të shfrytëzohet çdo centimetër tokë që lihet e papunuar.

“Do vendoset një super taksim për lënien e tokës djerrë sepse nuk mund të lejojmë që të lihen djerrë. Gjithashtu masa edhe për titujt e pronësisë. Si paska marrë bujqësia tatëpjetën kur sot punohet dyfishi? 

Dhe kjo për dy arsye, sepse sollëm ujin dhe ngritëm pika grumbullimi”, tha Rama. 

Ai shtoi se qeveria shqiptare ka rritur fondet për bujqësinë dhe se sot fshati në Shqipëri është një realitet tjetër, ndryshe nga “gjysmë të vërtetat apo gënjeshtrat që dalin në ekrane televizionesh”.

“Kjo bujqësia e braktisur në fakt ka eksportuar deri në fund të shtatorit 57.9 mln euro më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të shkuar. Mbi 50 mijë ton më shumë produkte bujqësore të eksportuara në vendet e BE dhe më gjerë. Dhe 37.6% e sasisë e përbën eksporti i frutave dhe perimeve. Këtë vit mund të arrijmë gjysmë miliardi euro eksporte”, tha ai. 

Ndërkohë Rama theksoi se falë mbështetjes së qeverisë shqiptare sot inflacioni në vend është më i ulët se në vendet e rajonit.

"Sipas Bankës Botërore, flas për raportin e shtatorit, e cila ka bërë një analizë të efekteve të krizës, Shqipëria ka nivelin e inflacionit të produkteve ushqimore më të ulëta se të gjithë vendet e rajonit. 

Rritja e çmimit të produkteve ushqimore në Shqipëri është thuajse sa gjysma e rritjes në të gjitha vendet e tjera të rajonit. Këto janë fakte dhe jo opinione. Fakte që lidhen me fuqizimin e sektorit dhe politikën e qeverisë shqiptare për të mos ngarkuar konsumatorin familjar me barrën e re të çmimit të energjisë, për ta mbajtur çmimin e energjisë aty ku ishte, duke financuar nga buxheti pjesën tjetër. 

Në faturën e energjisë që ju vjen juve në shtëpi, familjet paguajnë vetëm 20% të çmimit, 80% i paguan buxheti i shtetit, kjo ka bërë që inflacioni të mbahet më në kontroll se sa në vendet e tjera”, tha Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë