Para

Normat e interesit tavan për kreditë konsumatore shqetësojnë institucionet mikrofinanciare

Tregu i kredive të shpejta konsumatore është rritur ndjeshëm në pesë vitet e fundit por normat e larta të interesit që aplikojnë institucionet mikrofinanciare, kanë krijuar ndjeshmëri tek qytetarët.

Banka e Shqipërisë, për të adresuar këtë ndjeshmëri, propozoi disa ndryshime në projekt-rregulloren “Për kredinë konsumatore dhe kredinë hipotekore”.

Sipas projekt-rregullores, BSH do të përcaktojë normën efektive maksimale të interesit(NEI) për secilën nga kategoritë e kredisë konsumatore dhe intervalet e shumave të disbursuara në fund të çdo tremujori.

Për të llogaritur mesataren e thjeshtë të normës efektive të interesit, Banka e Shqipërisë do të marrë në konsideratë të gjitha kreditë e disbursuara në tremujorin e mëparshëm deri në vlerën e 10 milionë lekëve, të cilat janë akorduar vetëm për individët dhe nuk janë të siguruara me anë të hipotekës apo ndonjë sigurim tjetër.

Ajo do të përcaktojë normë maksimale interesi të posaçme, për secilën nga kategoritë e kredisë konsumatore.

NEI maksimal do të ndahet gjithashtu sipas disa intervaleve të shumës së kredisë konsumatore, ku për secilin nga kombinimet e produkteve dhe intervaleve, BSH do të publikojë normat efektive maksimale të interesit me interval tremujor.

Lidhur me këtë projekt-rregullore,  përfaqësuesit e institucioneve financiare të mikrofinancës shprehin një sërë rezervash.

Rezervat sipas tyre lidhen me faktin se vendosja e një norme interesi tavan nuk i shërben konkurrencës së lirë dhe praktikave të drejta të tregut, mund t’i nxjerrë jashtë tregut kompanitë e mikrofinancës dhe do t’i shtyjë institucionet financiare të krijojnë kosto të kamufluara.

Banka e Shqipërisë ka propozuar edhe vendosjen e një kufiri rregullator lidhur me shumën e penaliteteve dhe kamatëvonesave që institucionet e huadhënies mund t’u ngarkojnë kredimarrësve.

Sipas këtyre ndryshimeve rregullatore të propozuara, penalitetet dhe kamatëvonesat nuk mund të jenë më shumë se 30% e detyrimit kontraktor të klientit.

Duke qenë se penalitetet e parashikuara në kontrata janë shumë të larta, ata mund të cenojnë të drejtat e huamarrësve dhe të ushqejnë praktika jo morale biznesi.

Edhe për këtë institucionet financiare kanë rezerva pasi sipas tyre  një kufizim i penaliteteve në 30% do ta bënte të vështirë negocimin me kredimarrësin dhe mbledhjen e detyrimit.

Tavani i interesit efektiv mund të bëjë që kreditë me vlerë të vogël dhe ato me afate shumë të shkurtra maturimi të mos ofrohen më dhe kjo mund të sjellë më pak kredidhënie, faktor i cili do të ndikonte ndjeshëm bazën e të ardhurave.

Edhe në shumë vende të BE, vendosja e një norme tavan interesi në huadhënie është praktikë e përhapur.

Në shumicën e vendeve, një masë e tillë është ndërmarrë nëpërmjet miratimit të ligjeve të posaçme, ndërsa rregullimi me akte nënligjore, si në rastin e Shqipërisë, është rrugë e ndjekur më rrallë.

Sipas një studimi të Bankës Botërore, të paktën 76 vende të botës aplikojnë norma interesi tavan.

Duke parë efektet e shumta anësore negative të vendosjes së interesit tavan, ajo sugjeron që vendimmarrësit të marrin në konsideratë edhe mënyra alternative për të ulur kostot e kreditimit, të cilat duhet të trajtojnë shkaqet që sjellin norma “të tepruara” interesi, siç mund të jetë mungesa e konkurrencës, perceptimi i lartë i rrezikut apo kostot e larta të huadhënies.

BB thekson se kostot e kreditimi mund të ulen gjithashtu duke thjeshtuar procedurat dhe duke nxitur përdorimin e kanaleve digjitale në procesin e kreditimit.

Sipas studimit, për të mbrojtur konsumatorët nga normat abuzive të interesit, autoritetet duhet të punojnë për të rritur edukimin financiar dhe të përmirësojnë mekanizmat e mbrojtjes konsumatore të lidhura me detyrimet e transparencës.

Të dhënat nga BSH na tregojnë se në fund të muajit janar, portofoli i kredisë konsumatore arriti vlerën e 59 miliardë lekëve, ose rreth 480 milionë eurove.

 Krahasuar me një vit më parë, kredia konsumatore është rritur me 2.2%.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë